Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka hapur mbledhjen e dhjetë të Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, ku u trajtuan shumë tema, në veçanti përkrahja e bizneseve. Ministri Shala theksoi se do të vazhdojnë ta forcojnë Këshillin, duke e konsideruar si një platformë të dobishme për dialog. “Ne do të vazhdojmë ta forcojmë këtë këshill si një platformë të dobishme të dialogut publiko – privat ku do t’i adresojmë prioritetet dhe sfidat kryesore për t’i zbatuar reformat gjithëpërfshirëse, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e ambientit e të bërit biznes në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj theksoi se “s’ka dilemë që pa një koordinim të përbashkët dhe pa rolin e secilit prej nesh do të jetë e vështirë të sigurohet një agjendë e mirëfilltë e zhvillimit ekonomik”. Në takimin e sotëm u diskutuan edhe temat nga Oda Ekonomike e Kosovës, të tilla, si: trajtimi i çështjes së Prokurimit Publik- integrimi i mekanizmave alternativë, inicimi i analizës mbi implementimin e Ligjit mbi mbrojtjen e konsumatorit. Njëkohësisht u diskutuan tema për diskutim edhe nga Oda e Afarizmit e Kosovës, si Kërkesa për shfuqizim të Udhëzimit Administrativ nga Ministria e Bujqësisë, që ndikon sidomos në sektorin e minierave dhe mineraleve, Rifunksionalizimi i Gjykatës Ekonomike për çështje të bizneseve. Po ashtu u diskutuan edhe për ZRRE, KEDS – siç është çështja e pronësisë së Trafostacioneve dhe mënyra e rimbursimit të tyre, krijimi i një fondi të veçantë për grante dhe subvencione për NVM-të, si dhe krijimi i një skeme (fondi) për ofrimin e kredive të buta dhe pa interes etj.