Ministri Zharku viziton Kaçanikun dhe inauguron tri projekte rrugore  

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, vizitoi Komunën e Kaçanikut, ku u prit nga kryetari i Kuvendit Komunal, Besim Ilazi, me të cilin bisedoi për planet e zhvillimit të komunës së Kaçanikut, me theks në zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Kryetari i Komunës së Kaçanikut e falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetjen e deritashme që i ka dhënë komunës për realizimin e këtyre projekteve.

Ministri Lutfi Zharku tha se, kur është fjala për Kaçanikun, është shtuar ritmi i investimeve në këtë komunë, ndërsa për sivjet është paraparë të realizohen pesë projekte, nga të cilat për tri tashmë janë nënshkruar kontratat, ndërsa për dy të tjerat kjo do të bëhet së shpejti.

Pas vizitës në Kuvendin Komunal, ministri Zharku me bashkëpunëtorë mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të tri projekteve të infrastrukturës rrugore: ndërtimit të rrugës që lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën nacionale N2 – Kaçanik, ndërtimit të rrugës Gjurgjedellë – Kaçanik dhe asfaltimit të rrugës Kaçanik – Stagovë (Lagjja Dushkaja –Lagjja Dashi).

Për ndërtimin e rrugës që lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën nacionale N2 – Kaçanik, që ka një gjatësi prej 1,172km, vlera e kontratës kap shumën prej 406,769.13 €. Për këtë projekt procedurat e prokurimit dhe investimet i ka bërë Ministria e Infrastrukturës, ndërsa koha e përfundimit të kontratës është 180 ditë pune.

Për kontratën e realizimit të projektit të dytë, ndërtimit të rrugës Gjergjedellë – Kaçanik, me gjatësi prej 4,471.86km, Ministria e Infrastrukturës do të investojë 379,965.66 €, ndërsa për asfaltimin e rrugës Kaçanik- Stagovë (Lagjja Dushkaja –Lagjja Dashi), që ka gjatësi prej 2,75km, vlera e kontratës kap shumën prej 226,205.88 €, kurse investitor është Ministria e Infrastrukturës.

Sikurse te dy projektet e përmendura më parë, edhe për këtë projekt afati i realizimit të kontratës është 180 ditë pune.

Me rastin e përurimit të fillimit të punimeve në këto tri projekte, ministri Zharku tha se ai dhe stafi i tij janë në përkrahje të Kaçanikut, sikurse edhe të komunave të tjera.

Sivjet i kemi pesë projekte, nga të cilat në tri projekte tejet të rëndësishme tashmë kanë filluar punët. Besojmë që gjatë 2-3 javëve të ardhshme do ta fillojmë edhe rrugën prej Vaje për Strazhë deri në lidhjen me rrugën rajonale Doganaj-Glloboçicë, kurse në plan gjatë këtij viti kemi edhe projektin e rrugës që lidh Kaçanikun përmes Kërbliçit me Vitinë, – tha ministri Zharku dhe shtoi se me Memorandumin e mirëkuptimit, Ministria dhe Komuna e Kaçanikut janë dakorduar që ta ndërtojnë edhe rrugën “Hamëz Jashari” në Kaçanik, si dhe rrugën në lagjen Luzhaj në Begracë.

Në përfundim të fjalës së tij ministri Lutfi Zharku tha se sa u përket projekteve për vitin e ardhshëm, kjo do të shihet më vonë, por tha se beson që të gjitha projektet do të kryhen në afatin dyvjeçar.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se disa projekte madhore të kësaj komune po bëhen realitet falë mbështetjes së Qeverisë, e në veçanti të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilat i falënderoi për mbështetjen e pakursyer.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …