Brickos

Ministria e Shëndetësisë nuk e ka kontraktuar gazin medicinal ‘N2O’ në QKUK

Ministria e Shëndetësisë nuk e ka kontraktuar gazin medicinal ‘N2O’ në QKUK

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media sqaron se kjo ministri nuk e ka kontraktuar gazin medicinal ‘N2O’, i cili përdoret në sallat operative të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, siç është raportuar në disa media. Sipas MSH-së, QKUK është institucioni që ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik për furnizim me gazin, për të cilat dyshohet se mund të ketë qenë shkaktari i vdekjeve të cilat po hetohen në këtë qendër.  Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sigurojë edhe një herë opinionin se që prej ditës së parë të marrjes së mandatit të tij, ministri Uran Ismaili u ka dhënë mbështetje të plotë organeve kompetente për zbardhjen e të vërtetës lidhur me vdekjet e fundit të dyshimta në QKUK. Ministri Ismaili ka urdhëruar inspektoratet që të kryejnë hetime të pavarura dhe të detajuara lidhur me vdekjet e dyshimta në QKUK, ndërsa shpreh edhe një herë përkushtimin për të mbështetur hetimet e plota lidhur me rastet.

 

 

 

Lajmet 18. 9. 2017  ora 8.00

 

Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës ku pritet të debatohet dhe miratohet programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021. Pas miratimit, ky plan pritet t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për diskutim në njërën nga seancat. Ndërkohë, është paralajmëruar se të premten e kësaj jave Ministria e Financave do ta përgatisë edhe projektligjin për rishikimin e buxhetit, i cili pas miratimit nga kabineti qeveritar, po ashtu do të procedohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

Partitë opozitare në Kosovë kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një Ekipi të Unitetit, për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë në Bruksel. Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit të fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 31 gusht nëpërmjet një deklarate për medie pati thënë se “pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në pjesën finale, përmbyllëse, historike të shtet-ndërtimit”. “Për këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të spektrit politik dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe pati thënë kryetari Hashim Thaçi. Shpëtim Kamberi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet e reja me Serbinë nuk do të duhej të nisnin pa hetimin dhe vlerësimin e dialogut të deritashëm. LDK-ja ende nuk e ka shqyrtuar mundësinë nëse do të jetë pjesë e një Ekipi të Unitetit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, për të cilën ka folur presidenti Thaçi. Nënkryetari i kësaj partie, Haki Rugova, thotë se vendimet për nivelin e përfaqësimit politik në dialog me Serbinë, duhet t’i marrë Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar fjalorin e përdorur nga politikanët e vendit, duke thënë se debati politik duhet të bëhet mbi bazë të argumenteve dhe se mendimi uniform nuk është i dobishëm në asnjë aspekt. Ndërprerja e komunikimit të degraduar në shoqërinë tonë, do t’i jepte film të ri vendit dhe kombit, për çka thotë se intelektualët e mbetur jashtë politikës, duhet t’i edukojnë qytetarët me kulturën e mirëfilltë në dialog. Krijimin e shtetit të se drejtës, shtetit që krijon vende pune, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi publike, politikës i mbetet vetëm një qellim: mashtrimi i votuesve për t’ia marrë vetëm votën. Kjo është evidente të të gjithë “politikëbërësit” tanë?! E veçmas ata që janë në krye të piramidës politike!  Ne situata të tilla, intelektualët e mbetur jashtë politikës, njerëzit e arsimit, të dijës e të edukimit me mediumet oponente që kanë qellim krijimin e opinionit publik, duhet t’i orientojnë e edukojnë qytetarët me kulturën e mirëfilltë kombëtare dhe dialogun me kulturë e edukatë që po i mungon shumë kohës sonë, mbase jo vetëm politikës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu me Serbinë është i pa alternativë, por duhet të ristrukturohet dhe të afatizohet, duke përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura, pastaj  të përmbyllet me rezultat konkret. Ai gjatë një takimi me ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler tha se Kosova është e përkushtuar në ruajtjen dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjes së paqes e stabiliteti në rajon. Haradinaj tha se është i rëndësishëm konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës dhe përkrahja në procesin e shtimit të njohjeve të reja, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, në OKB, NATO dhe BE. Duke folur për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kreu i qeverisë tha se marrëdhënies kontraktuale me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve me qëllim të arritjes së statusit të kandidatit për anëtarësim. Ndërsa, ambasadori Pfandler, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën, theksoi se Austria do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha fushat.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçiq ka deklaruar se së shpejti deputetët serbë nuk do të kenë dilema për votimin e Ushtrisë së Kosovës.  Këtë ai e ka argumentuar në faktin se ata kanë dhënë betimin si përfaqësues të Republikës së Kosovës. Sipas tij, krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk do të ishte rrezik për askënd, as për Serbinë. “Forca e tanishme Mbrojtëse dhe e ardhmja e Armatosur e Kosovës, në partneritet me NATO-n dhe me SHBA-në, nuk do të jetë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e vendeve të rajonit, siç dëshiron ta paraqes ministri Vulin, por do të jetë e kundërta, garant i tij”, ka thënë Vujiçiq. Sipas tij, serbët duhet ta votojnë Ushtrinë pasi kjo garanton sigurinë territoriale të Kosovës dhe respektimin e Kushtetuës. “Me këtë veprim, ata janë zotuar se do të punojnë në interes të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj, se do të angazhohen në mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit institucional të Kosovës, për garantim të lirive dhe të drejtave të njeriut, në pajtim me ligjet e vendit dhe standardeve evropiane”, ka thënë ai.

Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, diplomati  Xhejms Pardju në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka folur mbi sfidat me të cilat po përballet rajoni, si dialogu Kosovë-Serbi, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, si dhe ndikimi rus në Ballkan. Negociatat, ai i sheh si pozitive, por theksin e vë te njohja e pavarësisë të Kosovës nga Beogradi. “Bisedimet janë gjithmonë të mira. Por ajo që ka rëndësi është se për çfarë bihet dakord dhe çfarë zbatohet konkretisht. Në qendër të tyre është njohja e Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i lejonte të dyja vendeve të lëvizin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Serbia duhet të heqë dorë nga provokimi për të nxitur përçarje etnike për qëllime politike dhe ta njohë Kosovën por edhe ta kuptojë se e ardhmja e rajonit është te bashkëpunimi dhe demokracia.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, në një intervistë për të përditshmen serbe, Blic është shprejur se nuk beson si dikush në Serbi do të më kuptonte nëse them se pas shumë viteve të politikës së gabuar, sidomos pas aventurës tragjike ushtarake të vitit 1999, duhet sërish luftuar për Kosovën. Realiteti është se Serbia, para shumë gjeneratave të reja, e ka humbur betejën politike. Sipas tij, udhëheqja e Malit të Zi e ka parë realitetin dhe është dashur të jenë të sinqertë me miqtë në Beograd, pra ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. “Kemi besuar se duhet të ballafaqohemi me të pashmangshmen e pakëndshme. Në kreun e Serbisë kishin mirëkuptim dhe kapacitet ta kuptojnë këtë pikëpamje. E dinin se ky veprim i Malit të Zi nuk ishte antiserb, por dëshirë që politikën tonë ta bazojmë në realitet, na pëlqeu kjo ose jo. Po ashtu, me këtë kemi dashur të japim shembull për zgjidhen e çështjeve të hapura në rajon”, ka shtuar ai.

Zyra e Prokurorisë shtetërore të Spanjës ka hapur hetime kundër 700 prefektëve të komunave katalonjase, dhe ka paralajmëruar mundësinë e arrestimit të tyre për shkak të bashkëpunimit në organizimin e Referendumit të 1 tetorit për pavarësinë e Katalunjës, meqë ferendeumin e tillë e konisideron të jashtëligjshëm, raporton Reuters. Prokuroria ka urdhëruar 712 prefektë të Katalonjës, të cilët i dolën në mbështetje votimit, që të paraqiten për të dhënë deklarata në gjykatë si të dyshuar zyrtarë për hetimet kriminale, ndërsa nëse nuk i përgjigjen thirrjes do të përballen me arrestime, thuhet në letrën e prokurorisë dorëzuar autoriteteve lokale. Zyrtarët e përfshirë në përgatitjen e votimit mund të përballen me akuza për mosbindje, abuzim detyre dhe keqpërdorim të fondeve publike, thuhet në letër.

 

Kontrolloni gjithashtu

Engelbert Zefaj: Kryeministri Albin Kurti është përfshirë në korrupsion, në aferën korruptive për rezerva të shtetit

Eksperti i ekonomisë, Engelbert Zefaj ka thënë se në raportin e Freedom House është potencuar …