Ministrja Bajrami në prezantimin e të gjeturave të hulumtimit “After Care” për investimet në Kosovë

Në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht me Agjencinë për Promovim të Investimeve dhe  Mbështetje të Ndërmarrjeve si dhe me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, u bë prezantimi i të gjeturave të hulumtimit “After Care” (Përkujdesja ndaj Investitorëve). Synimi i këtij hulumtimi ka qenë identifikimi i problemeve dhe barrierave që kanë investitorët dhe promovimi i shërbimit të përkujdesjes dhe ofrimit të zgjidhjeve nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, duke folur për këtë hulumtim tha se studimi ka ofruar të gjetura mjaft interesante, të cilat do të jenë një udhërrëfyes edhe për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe për Ministritë tjera, të cilat në mandatin e vet kanë si qëllimi përmirësimin e mëtutjeshëm të ambientit biznesor në Kosovë.  “Ky studim është ndërmarrë për të marrë opinionin e investitorëve në periudhën pasi që kanë kryer investimet e tyre në Kosovë dhe për të informuar ata për përmirësimet e vazhdueshme të kornizës ligjore dhe iniciativave të tjera pasi që nganjëherë po krijohet përshtypja se elita politike e Kosovës është e interesuar vetëm për të investime te reja, ndërkohë që po neglizhon investitorët te cilët kanë investuar tashmë në Kosovë. Në fakt, nuk është ashtu për shkak se nga përmirësimi i ambientit të biznesit përfitojnë edhe investitorët, që tashmë janë në Kosovë. Investitorët që tashmë janë prezent qofshin të huaj apo edhe vendorë janë pjesa më e rëndësishme e ekonomisë së Kosovës, për shkak se këta janë këtu dhe duhet t’i mbajmë këtu dhe duhet t’iu krijojmë kushte të favorshme në mënyrë që të prosperojmë me agjendën e zhvillimit ekonomik”, potencoi ministrja Bajrami.

Në mes tjerash, ministrja Bajrami përmendi se Qeveria e Kosovës ka arritur rezultate të rëndësishme në krijimin e klimës sa më të mirë të të bërit biznes dhe se rezultatet e ndryshimeve të rëndësishme ligjore do t’i gëzojnë si investitorët aktualë po ashtu edhe ata që në të ardhmen do të investojnë në Kosovë. “Përmirësimet në ambientin e të bërit biznes dhe iniciativat tona po vazhdojnë për të krijuar një ambient më të favorshëm për investime dhe se janë bërë përmirësimet të dukshme, ku shumica e atyre përmirësimeve janë të njohura për investitorët e huaj dhe për ata vendorë”, bëri të ditur ajo.

Ajo, më tej theksoi se “dialogu publiko-privat është intensifikuar përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik, i cili deri më tani ka mbajtur 5 takime, ku agjendat e këtij forumi derivojnë; nga kërkesat e asociacioneve te biznesit  të cilët janë anëtarë të respektuar të KKYHE-së dhe se deri më tani të gjitha çështjet që janë ngritur aty janë zgjidhur“. Po ashtu, ajo përmendi se në kuadër të këtij Këshilli, me vendim të Qeverisë së Kosovës e kemi formuar një ‘Task Force’  për përmirësimin e ambientit të biznesit, për Raportin e Bankës Botërore për “Të Bërit Biznes”, dhe se tashmë pesë ministri po punojnë në përmirësimin e indikatorëve në të bërit biznes.

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, në mes tjerash citoi: “Investitorët kanë nevojën për ndihmën tonë, nuk mjaftojnë vetëm që të sjellin kapitalin këtu, atyre ju duhet përkrahje dhe shtet i fort  ligjor. Duhet që çdo problem që ata kanë t’u zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe të drejtë nga sistemi gjyqësor i Kosovës”, citoi O’Connell.

Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës theksoi  se komuniteti i biznesit është duke e ndjerë përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor dhe kjo vije si rezultat i bashkëpunimit të mirë të të gjithë aktorëve, në veçanti të MTI-së, dhe potencoi se dialogu publiko – privat është përmirësuar dukshëm në periudhën 2015-2016.

Hulumtimi “After Care” (Përkujdesja ndaj Investitorëve) ka mbledhur informata rreth eksperiencës së investitorëve të huaj në Kosovë, në lidhje me mjedisin e biznesit që ofron Kosova për investime të jashtme, si dhe ndikimi i investitorëve aktualë që i vazhdojnë investime edhe më tej, e të cilët kanë ndikim të rëndësishëm për investimet në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …