Adem Lushaj

Mr. Adem Lushaj: Resurset natyrore të Deçanit, mundësojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit

 Padyshim se, Zhvillimi ekonomik i një vendi, varet shumë edhe nga resurset natyrore që posedon ai vend, qofshin nëntokësore apo mbi tokësore. Në këtë aspekt hynë edhe zhvillimi i Turizmit, si një nga sektorët e rëndësishëm me rritjen më të shpejtë ekonomike. Pos kësaj, Turizmi si komponentë e fuqishme e zhvillimit ekonomik, ka parasysh edhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si parakusht për turizmin e qëndrueshëm.

Një alternativë e investimeve në turizëm është Ekoturizmi, si model i një zhvillimi të qëndrueshëm të turizmit, ngase grupon tipe të ndryshme të turizmit, rreth një nocioni të përgjithshëm që është mjedisi natyror.

Kosova, edhe pse ka hapësirë të vogël gjeografike, ofron mundësi të mira për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, qofshin masiv apo alternativ, e që mund të shfrytëzohen nga popullsia vendore për eskurzione, sport, rekreacion, kulturë, arsim e edukim. Mirëpo, ky lloji turizmi nuk është i zhvilluar në nivelin që duhet të jetë, edhe pse kohëve të fundit janë ndërtuar objekte të shumta hoteliere-turistike, anekënd Kosovës, si dhe është mikpritja tradicionale e banorëve vendës.

Bazuar në resurset ekzistuese ekonomikë dhe faktorët e favorshëm klimatik, komuna e Deçanit ka gjitha mundësit për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit malor. Këto resurse janë kryesisht të përqendruara në masivin e Bjeshkëve të Nemuna, ku pjesa më e madhe është nën administrim të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Mirëpo, për të pasur një zhvillim të këtij sektori ekonomik, nevojitet një angazhim dhe përcaktim politik dhe profesional të institucioneve të vendit, qofshin nga ato komunale apo qendrore. Hartimi i një strategjie afatgjate dhe shfrytëzimi racional i resurseve ekonomike, do krijoheshin gjitha mundësitë për shfrytëzim maksimal të kushteve të favorshme klimatike, e që do rrisnin zhvillimin e përgjithshëm të ekonomisë së Deçanit, por edhe të zhvillimit të Kosovës. Në përgjithësi mund të konstatohet se kompleksi malor “Bjeshkët e Nemuna”, ka kushte të volitshme të klimës malore, e që do ishte faktor i çmueshëm i zhvillimit të turizmit malor, që do thotë zhvillim të ekonomisë deçanase.

Mirëpo, me qëllim të shfrytëzimit të këtyre resurseve për zhvillim të qëndrueshëm, Komuna e Deçanit, Qeveria e Kosovës dhe Agjencitë e ndryshme investuese, duhet që programet e tyre për investime, të orientohen kah këto resurse, e sidomos për ndërtimin sa më të shpejt të rrugës që lidh Komunën e Plavës më të Deçanit, ngase kjo rrugë konsiderohet si bosht i zhvillimit dhe integrimit ndërshtetëror dhe lidhje të trojeve shqiptare.

Politika zhvillimore e Deçanit, por edhe të institucioneve të vendit, duhet orientuar në ngritje të infrastrukturës dhe kapaciteteve turistike në Bjeshkët e Belegut, e sidomos për zhvillim të turizmit dimëror, por edhe në Dervishkom, Kozhnjer, Lugu i gatë, Jodovë, vende këto që mundësojnë turizmin veror dhe dimëror, qoftë të turizmit masiv apo alternativ. Politikat zhvillimore të cilës do subjekt politik që pretendon për qeverisje komunale, duhet fokusuar në realizim të projekteve në Grykë të Deçanit, pasi që kushtet klimatike mundësojnë zhvillim të të gjitha llojeve të turizmit. Këtë rast, nuk mund të anashkalohet edhe ndikimi i manastirit të Deçanit, qoftë si ndikim pozitiv apo negativ, edhe pse ky monument kulturor e fetar, nuk është treguar sa duhet i gatshëm që të lejon investime në krijim të parakushteve për zhvillim të turizmit në Grykën e Deçanit.

Por, me gjendjen mjedisore me të cilën përballën turistët që nga hyrja në territorin e Deçanit, nuk do mund të zhvillojmë asnjërin nga llojet e turizmit, ngase moto e çdo turisti është që të investohet aty ku ruhet mjedisi dhe ndihmohet komuniteti pritës. Decani, që të ketë zhvillim të turizmit dhe të jetë komunë tërheqëse për turistët, duhet të investon në menaxhimin efikas dhe trajtimin e duhur të mbeturinave, si dhe të investohet në infrastrukturën adekuate zhvillimore

Ndërtimi I Hidrocentraleve në Grykën e Deçanit, jo vetëm që nuk përmbush asnjërin nga komponentët e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, por është edhe në kundërshtim me Ligjin, ndaj këto janë më shumë për inter4esa të manastirit, pse jo edhe të individëve, se sa që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Deçanit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …