leoni

Mujdin Qerim Aliu (15.1.1974 – 14.4.1999)

Mujdin Qerim Aliu (15.1.1974 – 14.4.1999)

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, edhe pse përkufizonte një trevë të caktuar shqiptare të pushtuar nga Serbia, ajo nga të gjithë shqiptarët liridashës kuptohej si luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, andaj radhëve të kësaj lufte iu bashkuan shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë dhe nga mërgata shqiptare kudo në botë. Në radhët e para të kësaj lufte ishte angazhuar edhe djalëria e Tetovës, Shkupit, Kumanovës e trevave të tjera shqiptare nën sundimin e egër të shtetit maqedonas. Në luftën e UÇK-së, në shumë instanca të saj organizative, politike e ushtarake pati luftëtarë nga Ilirida, të cilët aspiratat e tyre për çlirim fillimisht i përqendruan në Kosovë, të vetëdijshëm se një ditë do të luftonin edhe për çlirimin e trojeve të Iliridës e të Kosovës Lindore. Në luftën e UÇK-së morën pjesë qindra luftëtarë nga Tetova, Shkupi, Kumanova, Dibra, Kërçova, Gostivari, Struga, Prespa etj.

Babai i dëshmorit Mujdin Aliu, Qerimi dhe nëna Haxherja patën tre fëmijë dhe Mujdini ishte vëllai i vetëm i dy motrave. Qerim Aliu, për shkak të qëndrimit të tij kombëtar dhe shprehjes kundër dhunës që ushtronte pushteti maqedonas i Shkupit, kundër shqiptarëve, disa herë ishte arrestuar, ndëshkuar e dënuar. Ai në familjen dhe rrethin e tij kishte kalitur ndjenjën e rezistencës kundër shtypjes e shfrytëzimit, i vetëdijshëm se liria dhe të drejtat kombëtare nuk dhuroheshin, por për to duhej angazhuar e luftuar me të gjitha mjetet. Patjetër kjo frymë edukuese kishte lënë gjurmët e saj edhe te i biri, Mujdini.

Mujdin Aliu lindi më 15 janar të vitit 1974, në fshatin Poroj të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në në Tetovë, në drejtimin teknik të elektros. Për shkak të nevojave ekonomike të familjes, Mujdini nuk vijoi shkollimin e mëtejmë.

Në kohën e shpërthimit të luftës në Kosovë, Mujdin Aliu ishte ndër të parët që nuk u mjaftua vetëm me përkrahje verbale e morale, por bashkë edhe me disa shokë nga trevat e Iliridës iu bashkua radhëve të çlirimtarëve të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit. Më 20 tetor të vitit 1998, Mujdini u sistemua në Njësitin Special “Skënderbeu”. Ai ishte luftëtar i shquar, i edukuar kombëtarisht, i afërt me shokët dhe kurdoherë në krye të detyrës ushtarake.

Në pranverë të vitit 1999, Mujdini u sistemua në formacionet e Brigadës 138, “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit. Duke qenë luftëtar tashmë me përvojë të fituar në frontet e luftës çlirimtare, ai ishte në radhët e para të çlirimtarëve. Qysh në fillim të prillit të atij viti ai ndodhej në vijën e parë të luftimeve në vendin e quajtur “Rrasa e Koshares” ku ndodhej fortifikata e pamposhtur e UÇK-së.

Më 14 prill, gjatë intensifikimit të luftimeve, breshëria e armëve të armikut mbuloi istikamin e luftëtarit Mujdin Aliu. Po atë ditë, gjatë luftimeve në istikamet e luftës çlirimtare kishin rënë dëshmorë edhe Bashkim Idrizi, Fisnik Salihu, Kasim Uka e Korab Binxhia. Trupi i dëshmorit Mujdin Aliu u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Poroj, ku bashkëluftëtarët ia kanë ngritur bustin e krenarisë kombëtare. Gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Brigada 112 ishte emërtuar me emrin Mujdin Aliu. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje e dekorata nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës, në shenjë nderimi për sakrificën sublime të të birit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …