Mujë Bahtir Qallapeku (28.3.1963 – 12.4.1999)

Mujë Bahtir Qallapeku (28.3.1963 – 12.4.1999)

Menjëherë pas sulmit serbe në Qirez e Likoshan dhe sidomos pas betejës në Prekaz, në fundshkurt dhe fillimars të vitit 1998, djemtë dhe burrat e fshatit Qëndresë të Drenasit ishin mobilizuar për ta organizuar rezistencën kundër forcave të pushtuesit shekullor serb, të bindur se kishte ardhur koha kur këtyre forcave duhej përgjigjur me krismën e armëve të lirisë. Në mesin e këtyre trimave të dheut ishte edhe dëshmori Mujë Qallapeku, i cili bashkë me vëllezërit dhe kushërinjtë luftëtarët Rrahimin, Qazimin, Hamdiun, Halitin, Halimin, Rexhepin, Hajrushin, Bajramin, por edhe me bashkëfshatarët Tafil e Sahit Spahia, Imer Mulaj, Vesel Hajdinaj e trima të tjerë, ishte angazhuar për formimin e pikës ushtarake të UÇK-së Te Dy Lisat Binjakë në fshatin Qëndresë, për t’i dalur pushtuesit përballë. Armatimi i luftëtarëve të kësaj pike përbëhej nga një mitraloz i lehtë, një automatik M-47, tri pushkë gjuetie, një pushkë e prodhimit italian dhe një pushkë M-48. Po ashtu, secili prej luftëtarëve ishte i pajisur edhe me nga një bombë dore. Pas ngritjes së kësaj pike ushtarake, së shpejti u formuan pika të tilla edhe në lagjet Bazaj, Gjokaj, Gashani e të tjera. Në këto rrethana, fshati Qëndresë u bë zonë e lirë, nëpër të cilën nuk mund të depërtonin forcat serbe, e që mbeti e tillë deri në kohën e ofansivës së përgjithshme në shtator të vitit 1998.

Dëshmori, Mujë Qallapeku, është i lindur më 28 mars 1963 në fshatin Qëndresë (ish-Terstenik) të Drenasit. Ai ishte më i vogli prej fëmijëve të prindërve të tij, Bahtirit e Rabës. Më të mëdhenj se ai ishin katër vëllezërit: Avdullahu, Fejza, Rrahimi (dëshmor) e Qazimi dhe motra Hata. Muja me bashkëshorten e tij, Selvien pati tre fëmijë: Labinotin, Leonorën dhe Lenditën.

Në shkollën fillore të Qëndresës “Zenel Hajdini” Muja ka kryer arsimin fillor dhe pastaj arsimin e mesëm në Drenas, drejtimin e makinerisë. Ka vazhduar në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj, por për shkak të kushteve dhe rrethanave ekonomike nuk e kishte përfunduar. Për ta ndihmuar familjen materialisht u mor me punë bujqësie në fshat.

Dalja publike e njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e sidomos epopeja e Prekazit dhe rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari, mobilizuan shpirtin luftarak të dëshmorit Mujë Qallapeku, i cili pa vonesë u organizua bashkë më luftëtarët e tjerë në pikën e parë ushtarake të fshatit, përgjegjës i të cilës u caktua Halim Qallapeku. Në pranverë të vitit 1998, Muja organizoi dhe udhëhoqi grupin e parë të ushtarëve të kësaj pike të cilët u dërguan në Shqipërinë administrative për të marrë armë e municion. Në korrik të vitit 1998, për bartjen e armatimit, në Shqipëri shkoi edhe grupi i dytë i luftëtarëve prej rreth 1200 vetash nga zona e Drenicës. Një pjesë të rrugës ata e kaluan nëpër zonën e çliruar nga UÇK-ja, duke filluar nga Qëndresa, nëpër Terdec, Negroc, Malishevë e deri në Gllogjan.

Dëshmori Mujë Qallapeku ishte i armatosur me automatik e me bomba dore. Ai mori pjesë në beteja të shumta, jo vetëm në fshatin Qëndresë e në fshatrat përreth, por kudo që e kërkonte nevoja, që nga Likoci, Açareva, Llapushniku e deri në Kijevë.

Pas ristrukturimit dhe zgjerimit të UÇK-së në vjeshtë të vitit 1998, Pika ushtarake e Qëndresës u përfshi në kuadrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Ushtarët e kësaj pike, ndër ta edhe Mujë, Qallapeku morën pjesë betejë pas beteje kundër forcave pushtuese serbe, kudo në zonën e Drenicës dhe më gjerë. Beteja e 12 prillit të vitit 1999 ishte e fundit për dëshmorin Mujë Qallapeku. Atë ditë, militarët çetnikë serbë ndërmorën ofansivë rrethimi kundër pozicioneve të luftëtarëve të fshatit Qëndresë. Në orët e mëngjesit ata kishin filluar lëvizjen nga lagjja Dvorani në drejtim të lagjeve Qallapeku, Mulaj, Bazaj e Spahia. Lëvizja në këtë drejtim e militarëve serbë u bë edhe nga drejtimi i Skënderajt. Në këto rrethana, popullata civile e fshatit Qëndresë u tërhoq në drejtim të fshatit Abri e Epërme, ndërsa pjesëtarët e UÇK-së ndodheshin të pozicionuar në pozicionin e parë te Dy Lisat Binjakë, në pozicionin e dytë te lagjet Mulaj e Qallapeku dhe në pozicionin e tretë te Boka e Munishëve, në drejtim te Abrisë së Epërme. Forcat serbe granatonin pa ndërprerë pozicionet e UÇK-së me qëllim të spastrimit të terrenit, për t’ia mundësuar depërtimin këmbësorisë. Nga granatimet, rreth mesditës u plagos luftëtari Qazim Qallapeku, vëllai i dëshmorit Mujë Qallapeku. Pasdite, rreth orës 17, në drejtim të pozicioneve të UÇK-së filloi të lëvizë këmbësoria serbe, me ç‘rast luftimet filluan të zhvillohen në distancë të vogël. Asaj i arrin edhe autoambulanca për shkak të luftimeve të ashpra dhe humbjeve të mëdha. Pjesëtarët e UÇK-së rezistuan dhe luftuan heroikisht, me ç‘rast asgjësuan pothuajse një bateri të tërë të forcave serbe, si dhe kapën armë e municion. Në luftime e sipër, në lagjen e Munishëve, në luftime të drejtpërdrejta kundër forcave serbe, Mujë Qallapeku ra në altarin e lirisë. Në të njëjtat pozicione të luftimeve, në altarin e lirisë ranë edhe Hamdi Qallapeku, Mehmet Qallapeku e Besim Feka nga Likoci, si dhe Rrahim Qallapeku (vëllai i dëshmorit Mujë Qallapeku), Ismet Qallapeku, Nuredin Munishi e Shaqir Franca, veprimtarë të logjistikës së UÇK-së, kurse u plagos djali i axhës së tij, Arsimi, Bajram e Hajrush Qallapeku.

Dy ditë më vonë, trupat e dëshmorëve Mujë Qallapeku, Hamdi Qallapeku e i dëshmorëve të tjerë të rënë në atë fushëbetejë u varrosën nga bashkëluftëtarët, në varrezat e lagjes Francaj. Në shtator të vitit 1999, kur tashmë kishte marrë fund lufta çlirimtare, trupi i dëshmorit Mujë Qallapeku e i dëshmorëve të istkamit të tij, u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve Te Dy Lisat Binjakë. Për simbolikë të heroizmit dhe qëndresës së dëshmorit Mujë Qallapeku dhe të gjithë dëshmorëve e luftëtarëve të UÇK-së të fshatit ish – Terstenik, pas luftës ky fshat mori emrin Qëndresë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …