Musli Kadri Krasniqi (25.5.1966 – 12.4.1999)

Musli Kadri Krasniqi (25.5.1966 – 12.4.1999)

Musli Krasniqi u lind në Negrovc të Drenasit, më datën 25. 5. 1966. Në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me shembullin e tij dha prova të burrërisë, guximit dhe trimërisë. Ai kishte dy vëllezër e dy motra.

Shkollimin fillor Musliu e përfundoi në Shkollën Fillore “Jusuf Gërrvalla” të fshatit të lindjes. Pastaj regjistroi Shkollën e Mesme Profesionale “Leonik Tomeu” në Drenas, në lëmin e Makinerisë. Ai i përkiste gjeneratës së shqiptarëve, e cila vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi nëpër protesta dhe demostrata kundër shtypjes së pushtuesit serb, në të cilat brohoritej parulla Kosova-Republikë.

Vitet ’90-ta të shekullit 20 u karakterizuan me përshkallëzim të dhunës serbe mbi shqiptarët, e cila e shtronte domosdoshmërinë e kundërvënies së armatosur nga ana e shqiptarëve, për t’i dhënë fund shtypjes, përbuzje dhe diskriminimit të përmasave raciste ndaj tyre. Për këtë arsye, bijtë më të mirë të Kosovës formuan UÇKnë, e cila i doli zot popullit të shumëvuajtur të Kosovës.

Musliu, si ish i dënuar politik, nuk kishte dilema nëse duhej vazhduar me pritjen, apo të radhitej në radhët e kësaj ushtrie të lavdishme. Prandaj, me formimin e njësitit “Pëllumbi” nga Ferat Shala, ai u bë pjesë e këtij njësiti më 13. 4. 1998. Fillimisht ishte ngarkuar me detyrën për vëzhgim në Pikën e Parë në hyrje të fshatit, kurse më vonë, pasi luftimet marrin vrull, me pushkën gjysëmautomatike merr pjesë në betejat e njëpasnjëshme.

Gjatë Stërvitjeve ushtarake në Negrovc në vendin e quajtur “Saraje”, të udhëhequra nga Fadil Gashi nga Arllati dhe nga ushtarak të tjerë, Musliu tregoi rezultate të shkëqyeshme në përdorimin e armëve dhe në demonstrimin e shkathtësive fizike. Ai së bashku me Bekimin, bashkëluftëtar dhe dëshmor, mori pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara në fshatrat, Negroc, Nënkala, Arllat, Gjergjicë, Gryka e Llapushnikut, Balincë dhe Llazicë. Brenda një kohe relativisht të shkurtër mori pjesë në rezistencën kundër tri ofensivave të armikut dhe në secilën prej tyre kishte dalur faqebardhë. Ndër luftimet më të ashpra ishin ato të zhvilluara gjatë ofansivës së ndërmarrë në drejtim të pozicioneve të UÇK-së në malin e Kozmaqit, ku për dy ditë rresht u luftua në distancë fare të vogël. Në këto luftime ranë dëshmorët Fatos Krasniqi, Skënder Shala dhe Ilaz Javori. Rënia heroike e këtyre bashkëluftëtaëve të tij, Musliun e lëndoi shumë, por për asnjë çast nuk e deshpëroi, por përkundrazi ai mori edhe më shumë forcë e vendosmëri për ta luftuar pushtuesin barbar.

Në mars të vitit 1999 në këtë trevë, kundër pozicioneve të UÇK-së dhe popullsisë civile pasoi një ofansivë tjetër e ashpër serbe, gjatë së cilës Musliu me bashkëluftë- tarët e tij gjatë gjithë kohës luftoi me trimëri. Duke parë rezistencën e UÇK-së, më 12 prill të vitit 1999, forcat kriminale serbe me makineri të rëndë ndërmorën ofensivën tjetër në shkallë të gjerë, me qëllim të asgjësimit të njësiteve të UÇK-së dhe depërtimit te popullsia civile. Po në këtë ditë, Musliu, së bashku me Bekimin, ishte ngarkuar me detyrën për vëzhgimin e lëvizjeve të armikut në relacionin nga fshatrat Mleqan dhe Llozicë. Ndërsa, pkëtakimi me bashkëluftëtarët e tjerë ishtë lënë në malin e Kozmaqit, te vendi i quajtur te “Guri i Madh”. Duke shkuar në pikëtakim, Musliu e Bekimi bien në pritën e organizuar nga armiku serb te vendi “Rruga e Gurit” dhe në përballje luftimi për ta çarë rrethimin, bien në altarin e lirisë dy kusherinjtë bashkëluftëtarë. Trupat e tyre i varrosën te vendi i rënies, bashkëluftëtarët Sejdi Krasniqi, Semedin Krasniqi dhe Gani Krasniqi.

Shtatë ditë pas rënies së Musliut, militarët serbë ia ekzekutuan edhe babain, Kadriun, në Çikatovë të Re.

Pas çlirimit, trupat e dëshmorëve Musli Krasniqi e Bekim Krasniqi janë rivarrosur në “Varrezat e Dëshmorëve dhe martirëve“ në vendin e quajtur ,Sedulë. Musliu ishte i martuar dhe ka lënë vajzën dyvjeçare.

Në vendin e rënies është vendosur pllaka përkujtimore. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …