Mehmet Sylë Qallapeku (9.8.1963 – 12.4.1999)

Mehmet Sylë Qallapeku (9.8.1963 – 12.4.1999)

Banorët e fshatit Tërstenik të Drenicës, luftës së UÇK-së ia kanë dhënë 24 dëshmorë e 36 martirë.

Vetëm lagjja Qallapeku e këtij fshati luftës së UÇK-së ia ka dhënë dëshmorët: Mehmet Qallapeku, Halim Mehmet Qallapeku, Halit Qallapeku, Hamdi Qallapeku dhe Mujë Qallapeku, si dhe disa martirë.

Fshati Tërstenik i Drenicës ka një histori të lavdishme të rezistencës kundër pushtuesve. Përveç pjesëmarrjes masive në kryengritjet shqiptare për çlirim nga robëria turke, trimat e këtij fshati kanë luftuar edhe përkrah Azem Galicës, më vonë përkrah komandantit të Nacionalçlirimtares së Drenicës, Shaban Palluzha dhe në luftën e fundit të UÇK-së përkrah luftëtarëve të komandantit, Adem Jashari.

Prindërit e Mehmetit, Syla dhe Azizja patën tre bijë: Mehmetin, Istrefin e Rrahmanin dhe pesë bija: Salën, Ajshen, Kadën, Vahiden dhe Zahiden.

Mehmeti, shkollën fillore e kreu në vendlindje, por në kushte të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes nuk e vazhdoi shkollimin e mëtejmë edhe pse kishte treguar talent të veçantë dhe prirje, sidomos për artin figurativ. Qysh në moshë të re shkon për të punuar në Slloveni, atje ku ishte edhe vëllai i tij, Rrahmani dhe disa nga kushërinj. Pas një kohe, nga Sllovenia kishte shkuar në Itali ku kishte punuar rreth tri vite.

Në nëntor të vitit 1998 lë punën në Slloveni dhe kthehet në vendlindjen e tij në Tërstenik, në mesin e vëllezërve e kushërinjve, të cilët me armë në dorë po luftonin në radhët e UÇK-së.

Në pyetjen e vëllezërve pse ishte kthyer, meqë mjaft ishin për luftë, ai ishte përgjigjur shkurt: Jam kthyer për të luftuar dhe për ta dhënë jetën për çlirimin e vendit nga kriminelët serbë! Ndërkohë, pak pasi ishte kthyer në familje, ishte martuar, meqë kishte qenë i fejuar.

Sapo ishte kthyer nga Italia, Mehmeti u bashkohet luftëtarëve të Pikës “Te Lisat Binjakë” ku luftëtarët e lirisë po i mbronin me nder e krenari pozicionet e luftës çlirimtare.

Pika e parë e UÇK-së në këtë fshat të madh të Drenicës është formuar qysh në maj të vitit 1998, në vendin e quajtur “Te Lisat Binjakë”. Ishte një pikë strategjike nga ku vëreheshin dhe përcilleshin vazhdimisht lëvizjet dhe pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe. Aty luftëtarët e kësaj ane kishin rregulluar dy bunkerë dhe kishin hapur istikamet me qëllim për të mos lejuar depërtimin e forcave armike.

Në këtë pikë kanë vepruar: Halim Qallapeku, Rrahman Qallapeku, Halit Qallapeku, Hajrush Qallapeku, Rexhep Qallapeku, Mujë Qallapeku, Hamdi Qallapeku, Halit Qallapeku, Tafë Qallapeku, Sahit Spahiu, Tafil Spahiu, Imer Mulaj, Adem Munishi, Qamil Mulaj, Ganimet Bytyçi, Adem Latif Mulaj, Vesel Hajdini, Rizah Hajdini e të tjerë. Gjatë kohës së luftës nga muaji në muaj shtoheshin edhe vullnetarë të tjerë, kështu që në përfundim të luftës Njësiti i Pikës “Te Lisat Binjakë” kishte 113 luftëtarë, një nunër simbolik i përputhshëm me numrin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës.

Komandant i Pikës së Parë ishte emëruar Halim Milazim Qallapeku.

Kjo pikë luftarake strategjike ishte vendosur përgjatë rrugës automobilistike, Drenas-Skënderaj, në territorin e fshatit Tërstenik, në anën perëndimore, që shtrihej në një relacion prej kësaj lagjeje të fshatit e deri në Marinë. Luftëtarë të këtij njësiti, të konsoliduar qysh në pranverë të vitit 1998, kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të po atij viti. Komandanti i kësaj pike, Halim Qallapeku, ishte në kontakt me Komandantin, Ilaz Dërguti nga Rezalla, eprorin e lartë të UÇK-së, Naim Bazaj po nga fshati Tërstenik dhe me eprorë të tjerë të Drenicës.

Deri në ofensivën e shtatorit të vitit 1998, Pika “Te Lisat Binjakë” kishte mbrojtur me sukses pozicionet, gjatë tërë kohës së luftimeve, ndërsa luftëtarët e kësaj pike kanë marrë pjesë në luftime edhe në fshatrat përreth kurdo që ishte kërkuar ndihmë.

Pasi forcat e Aleancës Veriatlantike kishin filluar bombardimin e makinerisë ushtarake të pushtuesit serb, më 24 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kishin ndërmarrë një ofensivë në shkallë të gjerë, me qëllim për t’i shkatërruar bazat dhe pozicionet e UÇK-së, në prill të vitit 1999, serbët kishin hapur luftë frontale kundër të gjitha pozicioneve të çlirimtarëve të Kosovës. Më 14 prill të po atij viti, forcat ushtarake serbe kishin mësyrë me këmbësori në drejtim të Njësisë Speciale të Drenicës, e cila shtrihej në pozicionet “Te Lisat Binjakë”. Luftëtarët e lirisë, vëllezërit Mehmet Qallapeku, Rrustem Çallapeku, dhe dhjetëra luftëtarë të tjerë të kësaj lagjeje heroike ishin ndeshur ballë për ballë me forcat e këmbësorisë serbe. Luftimet ishin zhvilluar në një afërsi pre 10 deri në 30 metra. Një shembull të veçantë të trimërisë kishte treguar luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Rrahman Qallapeku, i cili me bomba dore kishte sulmuar forcat serbe, duke u shkaktuar atyre humbje të konsiderueshme. Atë ditë forcat serbe kishin raportuar për disa ushtarë të tyre të vrarë e shumë të tjerë të plagosur.

Krahas tij luftonin ballë për ballë edhe shumë luftëtarë të tjerë. Pas luftimeve gjatë tërë ditës, në altarin e lirisë bien heroikisht, Mehmet Qallapeku, Hamdi Qallapeku dhe Mujë Qallapeku. Po atë ditë bien edhe Ismail Qallapeku, Besim Hajdini, Hajdin Hajdini, Nuredin Munishi e Shaqir Franca. Kanë marrë plagë: Hajrush Qallapeku, Bajram Qallapeku, Qazim Qallapeku dhe Halit Qallapeku.

Mehmeti ka lënë pas vëllezërit e motrat si dhe djalin e vetëm, Mehmetin, i lindur pas rënies së babait, që sot është nxënës i dalluar në mësime dhe ndihet krenarë për babanë dëshmor.

Familja e tij ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së si dhe nga shoqatat e luftës.

Nga fshati Terstenik janë shpallur dëshmorë: Adem Shaban Mulaj, Afrim Nezir Gjokaj, Bedri Zeqir Bazaj, Enver Salih Kukiqi, Fatime Xhemajl Bazaj, Halim Milazim Qallapeku, Halit Sokol Qallapeku, Hamdi Hajzer Qallapeku, Hysni Idriz Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Smajl Xhemajl Bazaj, Mehdi Halit Cakiqi, Mehmet Sylë Qallapeku, Mujë Bahtir Qallapeku, Naim Azem Tiku, Nasuf Qerkin Gashani, Nuhi Lan Dvorani, Nuredin Adem Munishi, Osman Xhemë Gjokaj, Ramiz Kajtaz Bazaj, Shefshet Jashar Bazaj, Shaqir Rashit Franca, Tahir Nasuf Gashani, Fadil Murat Gjoka. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …