Nasim Haradinaj: Dënimi i Serbisë për gjenocid do të ishte fitore historike për Kosovën

Ish-nënkryetari i OVL – UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar publikimet e fundit të gazetës gjermane Frankfurter Sonntagszeitung rreth fenomenit të njohur si “Sarajevo Safari”, ku përmendet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Haradinaj theksoi se nëse Serbia dënohet si shtet për gjenocid, kjo do të përbënte një fitore historike për vendin tonë. Ai shtoi se, pavarësisht një dënimi eventual, mendësia e serbëve ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar. “Ata qysh në djep mësohen të jenë okupues, me pushtu dhe me urrejtje. Por politikat ndryshojnë nëse Serbia dënohet për gjenocidin”, tha Haradinaj, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare. Nasim Haradinaj shpjegon se një dënim zyrtar i shtetit serb do të kishte ndikim jo vetëm simbolik, por edhe politik dhe juridik, duke shënuar një konfirmim të përgjegjësisë historike për krimet e kryera dhe duke forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ai nënvizon se ky dënim mund të ndikojë drejtpërdrejt në politikat rajonale dhe në mënyrën se si Serbia vepron ndaj Kosovës, duke e detyruar atë të marrë përgjegjësinë dhe të respektojë ligjet dhe normat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Haradinaj e konsideron çështjen e dënimit për gjenocid si një hap kyç për drejtësi dhe si një fitore morale dhe historike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Tahiri: Rajonit i duhet më shumë lidership strategjik dhe më pak debate teknike në rrugën drejt BE-së

Në tryezën e CIG Western Balkans, të mbajtur në Sarajevë me temën “Si ta bëjmë …