leoni

Natasha Kalauz emërohet drejtore ekzekutive e WWF Adria

Natasha Kalauz emërohet drejtore ekzekutive e WWF Adria

ZAGREB – Nataša Kalauz, eksperte në fushën e zhvillimit të biznesit, investimeve dhe strategjive zhvillimore, është drejtore e re ekzekutive në WWF Adria, zyra rajonale e organizatës botërore për mbrojtjen e natyrës me seli në Zagreb. Përveç Kroacisë, WWF Adria operon gjithashtu në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni Veriore, Slloveni dhe Serbi përmes aktiviteteve të ndryshme.

Nataša Kalauz, Master i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Evropiane, e ka provuar veten duke udhëhequr programe komplekse ndërkombëtare në të gjithë rajonin tonë. Ajo fitoi përvojë duke punuar si konsulente për planifikim strategjik në Qeverinë e Republikës së Kroacisë, si anëtare e Këshillit Kombëtar të Konkurrencës të Republikës së Kroacisë dhe si këshilltare për zhvillimin e politikave për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ajo gjithashtu ishte drejtuese e programit UNDP në Kroaci, duke përsosur kështu aspektin e zhvillimit të qëndrueshëm. Si Drejtore e Departamentit të Tregtisë Ndërkombëtare në Ambasadën Britanike në Zagreb, Nataša ka fituar përvojë shumë vjeçare duke udhëhequr një ekip të madh të këshilltarëve të politikës dhe tregtisë në 11 vende të rajonit tonë. Ajo ka kaluar dy vitet e fundit si partnere në një firmë konsulente.

 “Jam jashtëzakonisht e lumtur që kam mundësinë të kontribuoj në ruajtjen e natyrës në rajonin tonë! Megjithëse nuk jam biologe me profesion, përvoja ime në UNDP më ka sjellë mjaft pranë temës së mbrojtjes së natyrës dhe rëndësisë së zhvillimit të qëndrueshëm dhe jam e bindur që do të ndihmoj WWF Adria të pozicionohet si një organizatë kryesore për kujdesin e natyrës dhe ruajtjen e saj. Falë përvojës shumë vjeçare në udhëheqje ekipore, besoj se do të drejtoj një ekip prej 70 ekspertësh në të gjithë rajonin, me kënaqësi reciproke” tha Natasa Kalauz, e cila vjen në WWF me përvojë të gjerë të mbledhjes së fondeve nga sektorët privatë, qeveritarë dhe joqeveritarë.

WWF është një nga organizatat më të mëdha dhe më me reputacion të pavarur të ruajtjes së natyrës në botë. Në 60 vitet e ekzistencës së saj, e pranishme në të gjitha kontinentet dhe në më shumë se njëqind shtete, organizata ka tërhequr pothuajse gjashtë milion ndjekës. Në rajonin tonë, WWF ka funksionuar për më shumë se dy dekada përmes partneriteteve me OJQ të tjera. WWF Adria u themelua zyrtarisht në 2015, dhe puna e organizatës është përqendruar në përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemeve të ujërave të ëmbla, pyjeve dhe zonave të mbrojtura si dhe ruajtjen e detit e posaqërisht, specieve të egra, të gjitha këto me një bashkëpunim të ngushtë të komuniteteve lokale. (Krenare Salihu)

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …