Situata e sigurisë në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me popullatë serbe, mbetet e qetë, por tejet e ndjeshme pas ndërprerjes së funksionimit të strukturave paralele serbe. Zyrtari i NATO-s, tha se zhvillimet e fundit, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë dhe incidentin e sabotimit në kanalin Iber–Lepenc, vazhdojnë të ndikojnë mbi stabilitetin e përgjithshëm në veri të vendit. “Sot kemi qetësi, por situata mbetet e brishtë pas mbylljes së strukturave paralele serbe, ndryshimeve të tabelave të veturave dhe bllokimeve të mëhershme të rrugëve në veri”, u shpreh ai. Duke folur për raportimet e fundit mbi dronë të vërejtur mbi pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, zyrtari konfirmoi se KFOR-i është njoftuar dhe po e monitoron gjendjen në koordinim me institucionet e Kosovës. “Jemi të informuar për raportimet dhe po e ndjekim nga afër situatën në kufi. Kemi komunikim të rregullt me autoritetet e Kosovës lidhur me çdo zhvillim të ri”, theksoi ai. Në përfundim, zyrtari theksoi se KFOR-i mbetet i angazhuar për garantimin e sigurisë dhe lëvizjes së lirë në të gjithë territorin e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
