Ndërtimi i kompleksit memorial për masakrën e Burimit, drejt përfundimit

Ndërtimi i kompleksit memorial për masakrën në Burim të Malishevës, është në përfundim e sipër, pasi shumica dërmuese e punimeve në këtë kompleks kanë përfunduar. Punimet i kanë parë nga afër i pari i Malishevës, Ragip Begaj, i cili ishte i shoqëruar edhe nga nënkryetari Hajdin Berisha dhe drejtorët e drejtorive, Islam Vrenezi dhe Dibran Kastrati. Ata u ndanë të kënaqur me punimet e kryera deri më tani, e po ashtu u shprehën të kënaqur, pasi po rregullohet ky vend, i cili ka rëndësi edhe historike, sepse në Burim, në vendin e quajtur Vrella e Mëhillit, janë vrarë e masakruar 38 qytetarë, dhe katër të tjerë përreth këtij vendi, më 31 mars të vitit 1999. Në nderim dhe kujtim të kësaj masakre të ndodhur në atë ditë, Komuna e Malishevës, ka filluar ndërtimin e kompleksit, në vendin e vrasjes së civilëve të pafajshëm, e të cilët u vranë për arsyen e vetme, sepse ishin shqiptar. “Punimet kanë ecur mirë dhe sipas dinamikës së paraparë dhe ndihem shumë mirë që po arrijmë të përfundojmë një vepër e cila ka rëndësi historike, që do ta mbajë gjallë në kujtesën tonë ngjarjet e lavdisë dhe të dhimbjes, të asaj dite, kur këtu në këtë vend u vranë dhe u masakruan qytetarët tanë. Ne si institucione e kemi për detyrë, që jo vetëm ti nderojmë, por edhe të kujdesemi që ngjarjet dhe datat e rëndësishme si kjo, dhe vendet me rëndësi si ky, të mbesin përgjithmonë të shkruara në vepra dhe të kujtohen gjithmonë”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, gjatë vizitës së sotme, në Burim.

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar konsultimet publike për Planin Zhvillimor Komunal të Ferizajt

Në kuadër të hartimit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), Komuna e Ferizajt ka filluar …