Brickos

Në 20 Vjetorin e rënies përkujtohet Dëshmori Elham Curri

Në ambientet e Shkollës së Mesme të Ulët “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit me Akademi Përkujtohet është përkujtuar 20 Vjetori i rënies të Dëshmorit Elham Curri. Në hapjen e kësaj Akademie përkujtimore, Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, duke përshëndetur familjet e dëshmorëve të kombit, familjen e dëshmorit Elham Curri, përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtarët e Elhamit nga Maqedonia dhe të pranishmit e tjerë, tha se edhe pse jemi në kushte të Pandemisë që e përfshiu tërë botën, megjithatë edhe në këto kushte, me numër të kufizuar të pranishmëve po shënojmë 20 vjetorin e rënies së dëshmorit Elham Curri. Elham Curri qysh nga mosha 17 vjeçare bashkë me familjarët e tij kontribuoi në përgatitjet për fillimin e luftës së armatosur në Kosovë duke bartur armatim nga Maqedonia për formacione të ndryshme të UÇK-së në Kosovë. Jo vetëm Elhami, por gati e tërë familja e madhe Curri dha një kontribut të jashtëzakonshëm në luftërat Çlirimtare shqiptare si me pjesëmarrje direkte në luftë, ashtu edhe në furnizimin e shumë njësive të UÇK-së me armatim dhe pajisje tjera luftarake. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, dhe Çlirimit të saj nga okupatori serb, u shtrua nevoja që edhe shqiptarët në Maqedoni të luftojnë për liri dhe të drejtat e saja. Andaj që nga janari i vitit 2001 në Maqedoni, e me saktësisht në fshatin Tanushë filloi organizimi ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ku edhe filluan luftimet e para mes UÇK-së dhe forcave sllavomaqedone. Gjatë atyre luftimeve ashtu sikur në Kosovë qe merrnin pjesë shumë shqiptarë nga Maqedonia, po ashtu edhe në luftimet në Maqedoni merrnin pjesë shumë të rinjë nga Kosova në mesin e tyre edhe 20 vjetari nga Hani i Elezit Elham Curri me bashkëvendës të tjerë. Me 16 shkurt të vitit 2001 ra edhe dëshmori i parë ne Tanushë Muzafer Xhaferi, ku për disa ditë luftimesh në këtë pjesë të Maqedonisë ranë dëshmor edhe Nijazi Sinani nga Tanusha dhe Shpend Mazrekaj nga Deçani, ndërsa të njëjtën ditë, pra me 16 mars 2001 gjatë luftimeve të UÇK-se me forcat sllavo-maqedone, në Maline, bien dëshmorë Elham Curri me bashkëluftëtarët Gazmend Arifi nga Tanusha dhe Qemal Shaqiri nga Hasanbegu. Pas luftimeve në Tanushë e Malinë, zjarri i luftës u përhap edhe në rrethinën e Kumanovës si në Lipkovë, Sllupqan, Mateq, pastaj në rrethin e Tetovës, në Greqan e Nikishtan, Radushë, Nerasht, Haraqinë e vende të tjera të Maqedonisë. Kur faktori ndërkombëtar pa se forcat e UÇK-së iu afruan Shkupit dhe Tetovës atëherë ndërmjetësuan dhe detyruan dy palët si atë Maqedone ashtu edhe atë të UÇK-së dhe nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit të 13 shtatorit te vitit 2001, me çka shqiptarëve duhej tu jepeshin të drejtat që u takonin, por edhe 20 vite pas përfundimit të kësaj lufte, shqiptarët e Maqedonisë jo vetëm që nuk i gëzojnë të drejtat që u takojnë, por ndaj tyre ushtrohet dhunë dhe represion duke montuar raste të ndryshme gjyqësore siç është rasti Monstra, rasti i Kumanovës e raste të tjera me çka shqiptarët dënohen me qindra vite burg. Të nderuar pjesëmarrës në këtë 20 vjetor të rënies së dëshmorit Elham Curri, në 23 vjetorin e sakrificës dhe heroizmit të familjes Jashari dhe komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, sakrificë e cila zgjoi shpirtin liridashës të shqiptarëve në të gjitha trojet shqiptare dhe kudo që gjendeshin në Evropë apo Amerikë, në cilën do betejë të luftës luftonin bijtë dhe bijat e gjitha trojeve shqiptare, që shënon unitetin apo bashkimin më të madh në histori të shqiptarëve. Pa këtë bashkim dhe veprim të përbashkët si në betejat e luftës, ashtu edhe strehimin e familjeve tona gjatë eksodit të vitit 1999, është një pikë-pyetje e madhe se sot do të shënonim datat e lavdishme të betejave të luftës dhe do të nderonim ata që u flijuan që ne të jetojmë të lire dhe të barabartë me të tjerët. Dëshmi e pa shlyeshme e bashkimit të shqiptarëve është gjaku i derdhur i dëshmorëve në beteja të ndryshme të luftës në troje të ndryshme shqiptare, që është edhe një dëshmi se vetëm të bashkuar nga do që jemi dhe kudo që jemi, mund të shkojmë përpara. Vetëm për Lirinë dhe të drejtat e Shqiptarëve në Maqedoni, Hani i Elezit dha 5 Dëshmorë ndërsa për lirinë e të gjitha trojeve shqiptare Hani i Elezit dha gjithsejt 15 dëshmorë. Një autobiografi mbi jetën dhe veprën e Dëshmorit Elham Curri e prezantoi moderatori i kësaj ngjarje Akif Shkreta. Në shënim të kësaj ngjarje, Kryetari i Komunës Rufki Suma nderoi me Mirënjohje Familjen e Dëshmorit Elham Curri, ndërsa në emër të familjes të pranishmit i falënderoi vëllai i dëshmorit Nusret Curri. Akademia përkujtimore u përmbyll me një program artistik ku përformuan nxënësit e SHMU “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit dhe anëtarët e SHKA”SHARRI” nga Hani i Elezit me prezantim të solistëve Adem Bllaca dhe Nesim Curri. Pjesëmarrësit e kësaj Akademie nderuan me Homazh dhe vendosën buqetë lulesh për dëshmorët në Kompleksin e Varrezave në Pustenik. Një delegacion nga Komuna e Hanit të Elezit i shoqëruar nga Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së dje qëndruan në fshatin Malin të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendin ku ka rënë dëshmori Elham Curri.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …