Në 30-vjetorin e vrasjes, përkujtohet Dëshmori i Kombit Izet Bushi

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Hanit të Elezit Rufki Suma, mbahet Akademi përkujtimore në shënim të 30-vjetorit të vrasjes së Dëshmorit të Kombit Izet Bushi. Në fjalën e rastit në shënim të kësaj dite Kryetari Suma tha se Izet Bushi, si nxënës i shkollës së mesme ishte pjesëmarrës i protestave dhe demonstratave që zhvilloheshin në Kosovë kundër politikës fashiste të Sllobodan Millosheviqit. Vitet e 90 ishin vitet kur ne Kosovë u suprimua edhe ajo pak autonomi qe kishte Kosova aso kohe. Edhe përkundër reagimit të rinisë shqiptare të Kosovës që të bojkotohej shërbimi ushtarak, pikërisht për shkak te keqtrajtimit dhe vrasjes se ushtarëve shqiptarë nga e ashtuquajtura Armatë Popullore e Jugosllavisë, në anën tjetër ishte edhe dërgimi i ftesave tek të rinjtë shqiptar për shërbimin e dhunshëm ushtarak jugosllav. Qershori i vitit 1990, Izet Bushin e gjen ushtar në Çupri të Serbisë. Ishte koha, kur nga kjo armatë famëkeqe jugosllave vriteshin ushtarët shqiptarë, ndërsa në Kosovë ktheheshin të mbyllur në arkivol të bllombuar duke iu thënë familjes se ushtari ka bërë vetëvrasje. Kështu ndodhi edhe me Izet Bushin, vrasja e të cilit u organizua nga eprorët e tij në natën e Vitit të Ri, më saktë më 1 janar 1991. Vrasja e Izetit dhe më shumë se 50 ushtarëve te tjerë shqiptarë që u kthyen në arkivole nga ish Armata Jugosllave bëri që rinia shqiptare ta refuzojë shërbimin ne ish armatën jugosllave dhe të organizohet në celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila ktheu dinjitetin tek shqiptarët. Pikrishtë sot 30 vite me parë, më 4 janar 1991 u bë varrimi i ushtarit Izet Bushit në prani të dhjetra mijëra shqiptarëve të ardhur nga te gjitha trevat e shqiptare. 7 vite më vonë, pikërisht këtyre fushave dhe maleve epike të këtij vendi, pra ne fshatin e lindjes se Izetit, ne Puset e Nikes shpërthejnë pushkët çlirimtare për liri. Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që po merrte hakun e Izetit, dhe shumë të rënëve tjerë. Me luftën e UÇK-së dhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar ushtarak te NATOS-s ne krye me Shtetet e Bashkuara te Amerikës, Kosova fitoi lirinë e saj, dhe pas kësaj fitore, të gjithë dëshmorët e Hanit te Elezit të rënë anekënd fronteve te luftës, u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Puset e Nikës tha Kryetari i Komunës Rufki Suma. Ndërsa nga 29 gushti i vitit 2017, në Ditën e Dëshmorëve të Hanit te Elezit, 14 Dëshmorëve të tjerë të Hanit te Elezit iu bashkua edhe dëshmori Izet Bushi, të cilit iu dha statusi Dëshmor i Lirisë. Kjo akademi përkujtimore ishte rast që familja e Dëshmorit Izet Bushi të nderohet me Mirënjohje e cila u pranua nga vëllai, Besim Bushi, ndërsa në emër të familjes u falënderua Ahmet Bushi i cili tha se liria të cilin po e gëzojmë u shënua me sakrifica të mëdha të shumë dëshmorë të cilat i dha Kosova. Ai i falënderoi institucionet për përkrahjen e vazhdueshme që sakrifica e Dëshmorit Izet Bushi të jetë e nderuar. Akademia përkujtimore përfundoi me recital nga nxënësit e SHFMU “Ilaz Thaçi” dhe me interpretimin e këngës kushtuar Izet Bushit nga rapsodi Shefket Beqa, ndërsa Akademia është moderuar nga Akif Shkreta, u.d. Drejtor i SHFMU “Ilaz Thaçi”. Pjesëmarrësit në këtë akademi vizituan edhe Kompleksin e Dëshmorëve në Puset e Nikës për të bërë Homazh dhe nderuar Dëshmorët e trevës së Hanit të Elezit.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë rregullon edhe një fushë sportive me shtresë gome

Komuna e Vitisë, po vazhdon punën në rregullimin e hapësirave sportive për të rinjtë vitias. …