Në Ferizaj nuk ka asnjë mësimdhënës të padiplomuar në kuadrin arsimor

Me qëllim të njoftimit të drejtë të opinionit publik, bazuar tërësisht në dokumente, rrjedhën procedurale e aspak në fjalë e tendenca mediale të motivuara nga qarqe politike, lidhur me lajmin e publikuar në Televizionin Lokal “Tema” me titullin “Del inçizimi: Vazhdon punësimi pa diploma në Ferizaj – 18 Dhjetor 2021 – RTV TEMA”, ku dy qytetarë ferizajas, Liron dhe Lirona Krasniqi, vëlla e motër, shfaqin pretendimet e tyre duke keqinformuar opinionin publik, përmes deklarimeve të pavërteta karshi rasteve të tyre në Drejtorinë e Arsimit. Me këtë rast Drejtoria e Arsimit në Ferizaj  sqarojnë opinioni si nëvijim.

Fillimisht, lidhur me rastin e paraqitur në këtë media, pra mospunësimin e znj. Lirona Krasniqi dhe Liron Krasniqi, për procedurat e ndjekura njoftojmë si vijon:

– Fillimisht është fakt lehtë i verifikueshëm pranë Drejtorisë së Arsimit, se asnjë mësimdhënës në Komunën e Ferizajt, nuk është i padiplomuar e që paraqet kuadrin profesional të DA-së. Kjo e dhënë mund të konstatohet lehtësisht nga kushdo, në çfarëdo kohe dhe në të gjitha rastet.

– Së dyti, për rastin konkret të pretenduesve, njoftojmë se janë zhvilluar të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi, që rregullon sistemin e arsimit parauniversitar lidhur me procedurat e rekrutimit të stafit. Pra, në këtë rast, nëse respektimi i procedurave ligjore të punësimit, paraqet shkelje, atëherë nuk kemi të bëjmë me një ankesë mirëfilli por me tendenca të hapura ndaj një personi të caktuar apo Drejtorisë së Arsimit dhe pushtetit lokal në përgjithësi. Për këtë, Drejtoria e Arsimit, ka qenë e mbetet tërësisht e hapur, t’i ndaj edhe me publikun dhe gjithë palët e interesuara, dokumentacionin që dëshmon këtë fakt.

– Së treti, pretendimet e znj. Krasniqi për punësimin pa diplomë të mësimdhënëses përkatëse, nuk qëndrojnë për faktin se mësimdhënësja në fjalë, është punësuar në vitin 2016 dhe për kohën kur është punësuar mësimdhënësja në fjalë, ka qenë e diplomuar, pra ka përmbushur kriterin e kualifikimit profesional, me diplomë, për vendin e caktuar të punës.

– Së katërti, pretendimet e z. Krasniqi, për pamundësinë e punësimit të tij në sistemin arsimor në Komunën e Ferizajt, nuk qëndrojnë, për faktin e thjeshtë sepse Drejtoria e Arsimit, ka hapur konkurs publik për mësimdhënës, ku aplikues është edhe z. Krasniqi për vendin përkatës të punës. Pra, konkursi është në zhvillim të procedurave dhe si të tillë, çfarëdo ndikimi, qoftë edhe presioni i ushtruar përmes kësaj forme mediale, kujtojmë se paraqet ndikim në procedurat e konkursit dhe rrjedhimisht është në shkelje të legjislacionit në fuqi.

Qytetarët ferizajas, të punësuarit në sistemin publik arsimor, janë dëshmitarë edhe të një fakti tjetër, se Drejtoria e Arsimit, përkatësisht qeverisja lokale aktuale dhe në mandatin e kaluar, ka shpallur më së shumti konkurse publike për rekrutimin e stafit arsimor të të gjitha niveleve, fakt ky që flet për transparencë, llogaridhënie dhe qasje proaktive për të mundësuar rekrutimin e stafit profesional në sistemin arsimor lokal.

Shto kësaj, për këtë rast, të zonjës dhe zotëri Krasniqi, tash e disa muaj, pas presioneve të shumta, kërcënimeve, përdorimit të fjalorit joadekuat, kanosjes ndaj zyrtarëve të DA-së, është paraqitur rasti në organet e sigurisë të cilat presim të kryejnë detyrën e tyre konform autorizimeve të tyre ligjore.

Komuna e Ferizajt, Drejtoria e Arsimit, mbetet e përkushtuar dhe është në interesin e saj, të krijoj kushte të barabarta ligjore për rekrutimin e stafit arsimor, pa rënë pre e presioneve mediale, kauzave të rrejshme publike kinse për padrejtësi në punësim, gjë që mirëfilli kanë motivim politik e njëkohësisht nuk paraqesin të vërtetën e faktuar në dokumentacionin zyrtar, të cilat janë në Drejtorinë e Arsimit, të qasshme nga çdo palë e interesuar.

Me këtë rast, duke qenë tërësisht të pastër e llogaridhënës para ligjit, ftojmë organet e drejtësisë dhe të gjitha palët e interesuara, të hetojnë, verifikojnë, qasen në të dhënat që lidhen me këtë rast, për të dëshmuar mirëfilli, atë çfarë themi në këtë deklaratë, të vërtetën e shkruar të zezë mbi të bardhë, e jo të krijohet një opinion i paqëndrueshëm bazuar në shtrembërimet qëllimkëqija që tentojnë t’i mveshen padrejtësisht një institucioni siç është Drejtoria e Arsimit.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Skenderajt do të organizoj akademi përkujtimore për heroin Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorë tjerë

Nën organizimin e Shoqatës së sh-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të enjten me 16 maj, në …