Në fshatin Rezallë, është mbajtur tubim përkujtimor në nderim të viktimave të Masakrës së Rezallës, në 24 vjetorin e saj

Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, sot në fshatin Rezallë, është mbajtur tubim përkujtimor në nderim të viktimave të Masakrës së Rezallës, në 24 vjetorin e saj, ku ka marrë pjesë një numër i madh i udhëheqësve, deputetë të Parlamentit të Kosovës, qytetarëve, ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarë, familjarë dhe të ftuar të tjerë. Fillimisht në Kompleksin e Varrezave janë bërë homazhe nga kryetari Nura, nënkryetari i Komunës, gjenerali Sami Lushtaku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kurse më pas është mbajtur tubimi. Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kryetari Nura ka thënë se këto ditë 24 vite pas përfundimit të luftës, popullin tonë e gjejnë te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, duke bërë homazhe për të rënët e lirisë. “Dje në Izbicë e sot në Rezallë, kurse e nesërmja me siguri të plotë do të na gjej gjetkë tjetër, në ndonjë kompleks varrezash të dëshmorëve, duke bërë homazhe. Pra, shënimet e këtyre ngjarjeve kaq të afërta me njëra-tjetrën, tregojnë për vuajtjet e popullit tonë në rrugën drejt lirisë së Kosovës. Sot, me respektin më të lartë, përulemi para varrit të secilit prej 98 të vrarëve të masakrës së Rezallës. Një gjë është e sigurt se gjaku i tyre kurrë nuk do të shkelet. Se sakrifica e tyre do të çmohet e lartësohet me lavdinë e lirisë së fituar me shumë mund e vuajtje. Nder ndaj familjarëve të këtyre viktimave, që i falën tokës së Kosovës bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë liridashës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është lufta më e pastër që ka njohur historia e njerëzimit”, ka thënë mes tjerash kreu i Skenderajt, për të shtuar se “një ditë para se nis gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së, u organizua marshi më i madh që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Kaq hapur nuk mund të ipej mesazhi se lufta jonë ishte e drejt. Mes zërit të popullit për këtë drejtësi, megjithatë po na u bëhen shumë padrejtësi. Po gjykohet viktima e një lufte ku barbar kishte Serbinë. Ka filluar një proces në të cilin krerët e UÇK-së, padrejtësisht po gjykohen. Vetëm për faktin se rrokën dhe drejtuan luftën ku morën pjesë mijëra burra e gra në luftën tonë çlirimtare. Ata do të dalin të pafajshëm nga ky proces në të cilin në fakt do të duhej të uleshin kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë”. Ndërkaq kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se për familjarët dhe të mbijetuarit e kësaj masakre dhembja vjen e shtohet, e për Kosovën bëhet edhe më e domosdoshme nevoja për të kërkuar drejtësi dhe ndëshkim për kryesit e këtij krimi çnjerëzor. Në emër të familjeve të dëshmorëve në nivel të Kosovës foli Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ndërkaq Muhamet Rukolli paraqiti një historik të Masakrës së Rezallës. Në fund të fjalimeve, dy nxënëset e shkollës “Malush Ahmeti”, Agnesa Malaj dhe Aromë Deliu, recituan poezi me motive kombëtare. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve!

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen e mbetur për regjistrim

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen …