Brickos

Në Izbicë është mbajtur tubimi përkujtimor në nderim të 147 civilëve të vrarë, në 24 vjetorin e Masakrës së Izbicës

Në fshatin Izbicë, në lëndinë ku ka ndodhur krimi më barbarë kundër popullatës shqiptare, është mbajtur tubimi përkujtimor në nderim të 147 civilëve të vrarë, në 24 vjetorin e Masakrës së Izbicës, organizuar nga Komuna e Skenderajt. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, gjenerali Sami Lushtaku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deputetë të Parlamentit të Kosovës, gjeneralë të luftës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjarë, drejtorë të Ekzekutivit, asamblistë dhe qytetarë të shumtë, kanë marrë pjesë në homazhet institucionale te lapidari i ngritur në nderim të viktimave të kësaj masakre. Kryetari i Komunës së Skenderajt, në fjalimin e tij para të pranishmëve, ka thënë se Masakra e Izbicës është kujtim i pavdekshëm përveç tjerëve edhe për Çlirimtar Behramin, viktima më e re e kësaj masakre, jeta e të cilit vetëm sa kishte nisur. “Vetëm 5 javë nga jeta e tij e nisur mes krismave të kësaj ane dhe luftës së pabarabartë mes një populli liridashës dhe një agresori të neveritshëm, Çlirimtari është viktima më e re e Masakrës së Izbicës”, ka thënë kreu i Skenderajt, duke shtuar se pagëzimi i tij është domethënës, për një popull që po vuante shtypjen, vrasjet, barbarizmin dhe çdo veprim tjetër të llahtarshëm. Një popull i tërë u pagëzua me emrin e Çlirimtarit të vogël. Në këto male ishin ata çlirimtarë që e ndihmuan të çlirohet ky vend nga robëria shekullore. Andej ishin burrat dhe gratë sypatrembur të veshur me uniformën më të mirë që ka njohur historia e luftërave, ka thënë ndër tjera kryetari Nura, dhe ka shtuar: “Në këtë përvjetor dhe në çdo shënim tjetër të kujtimit për dëshmorët, martirët dhe civilët e vrarë për lirinë e Kosovës, nuk kemi si të mos jemi të shqetësuar për padrejtësitë që po na u shkaktohen. Sot ka drejtësi selektive. Drejtësi asimetrike. Sot krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në emër të asaj që quhet drejtësi. Sot, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët tjerë të luftës, po vuajnë nga padrejtësitë që bëhen në emër të drejtësisë. Trupi ynë si popull rënkon edhe nga plagët tjera që u shkaktuan nga lufta e Kosovës. Mbi 100 familje të komunës sonë, sot vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre, fati i të cilëve sot e 24 vite më parë, nuk është zbardhur”. Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka thënë se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, të vetëdijshëm për fundin që po u vinte, Serbia shtoi intensitetin e fushatës së tyre gjenocidale në Kosovë, përmes dëbimit, vrasjeve e masakrave mbi civilë të pafajshëm. Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë. Prandaj, edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë. Në emër të familjeve të dëshmorëve, foli Xhavit Jashari, kryetar i ShFD-së të Kosovës, kurse Xhavit Aliu paraqiti historikun e masakrës. Lavdi përjetësisht të gjitha viktimave të Masakrës së Izbicës!

Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti vizitoi fshatin Stubëll

Kryetari i komunës së Vitisë z. Sokol Haliti vizitoi fshatin Stubëll. Aty  nga afër ai …