Në Komunën e Skenderajt reduktimet e ujit të pijshëm janë bërë të përditshme

Në këtë kohë kur temperaturat janë rritur ndjeshëm dhe si pasojë e mungesës së të reshjeve të shiut është shtuar thatësia, në Komunën e Skenderajt reduktimet e ujit të pijshëm janë bërë të përditshme, pothuajse në pjesën më të madhe të ditës, tani kur edhe bashkatdhetarët kanë ardhur për pushime. Komuna e Skenderajt, që me shqetësim po pranon ankesa të përditshme për mungesë të ujit, njofton opinionin e gjerë publik se përgjegjësinë për furnizimin me ujë për qytetarët e Skenderajt e ka Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë, e cila është kompani publike që udhëhiqet nga menaxhmenti i saj. Komuna e Skenderajt nuk ka asnjë përgjegjësi apo kompetencë në furnizimin e qytetarëve me ujë përveç në shtrirjen e gypit të ujit dhe është duke ofruar mbështetje teknike kudo që po kërkohet nga kompania. Si Komunë jemi duke bashkëpunuar me kompaninë, e cila sot ka njoftuar se ështe duke hulumtuar një defekt në rrjetin ekzistues, për të sanuar, me qëllim që të kthehet normalisht furnizimi me ujë. Me këtë rast kërkohet edhe nga qytetarët respektivisht nga pronarët e lokaleve afariste të shfrytëzojnë sa më racionalisht ujin duke përdorur vetëm për amvisëri dhe assesi për ujitje të tokës bujqësore apo hapësirave tjera publike apo private. Në bazë raporteve të Kompanisë dhe vlerësimeve të menaxhmentit aktual, qytetarët e Komunës së Skenderajt si konsumatorë të ujësjellësit, janë parapagues të rregullt të faturave të ujit, dhe në raport me komunat tjera të rajonit të Mitrovicës, Skenderaj ka nivel të lartë të përqindjes së pagesës. Ky është një tregues i qartë i vetëdijes së qytetarëve tanë ndaj shërbimeve publike. Mirëpo, edhe Kompania Regjionale e Ujësjellësit duhet të jetë më e përgjegjshme, të rrisë kapacitetet e saj dhe të furnizojë pa reduktime banorët e Skenderajt, sidomos ata që jetojnë në qytet. Komuna e Skenderajt njofton se kryetari Fadil Nura është duke u angazhuar cdo ditë që problemi i reduktimeve të ujit të zgjidhet sa më parë të jetë e mundur, në mënyrë që qytetarët të furnizohen normalisht me ujin e pijes.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …