Brickos

Në Letnicë u përmbyll kampi rinor ”Ngritja e kapaciteteve për studentët e arkitekturës në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore”

Në fshatin Letnicë të Vitisë është bërë sot prezantimi i punimeve në Restaurimin e Mullirit të Frroka Dokiçit, me këtë rast  është organizuar edhe një ceremoni rasti, ku pos kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kanë marrë pjesë edhe Ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Marija Kapitanoviç, ambasadore e Republikës së Kroacisë në Kosovë. Në fjalën e tij, kryetari Haliti ka thënë se Letnica është vend i trashëgimisë kulturore, vend i turizmit, vend i religjionit por mbi të gjitha është vend i nënës Terezë. “Ne si Institucione komunale, kemi bërë shumë punë që ky fshat të mos na mbetet anash. Kemi realizuar shumë projekte e po ashtu do të jemi përkrah këtyre banorëve, sepse ky lokalitet ka edhe nevoja të tjera, për çka na duhet mbështetja edhe e institucioneve qendrore”, ka thënë kryetari Haliti.

 

Kurse ambasadori Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka theksuar se trashëgimia kulturore është në fokusin e OSCE-së për shumë arsye. “Kosova ka një trashëgimi të pasur kulturore. Me këtë investim, duam të rikthejmë vëmendjen e vizitorëve edhe më shumë në këtë fshat të bukur, sepse mbajtja e trashëgimisë kulturore është vlerë në vete. Ne jemi të kënaqur që kemi arrit të mbështesim këtë kamp gjatë këtyre ditëve, ku pjesëmarrës kanë qenë 17 student”, ka thënë ambasadori i OSCE-së Braathu. Edhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë Marija Kapitanoviç, investimin e OSCE-së e ka vlerësuar si një projekt i mirë dhe shumë konkret. “Besoj që këto projekte i bëjnë dallimet në këtë vend, sidomos nga pavarësia e Kosovës e deri më tash. Falënderojmë të gjithë për kujdesin e ofruar për banorët kroat. Ne e dimë se brenga më e madhe e këtyre të moshuarve është vetmia, prandaj çdo ndihmes për ta është e mirëseardhur”, ka thënë ambasadorja Kapitanoviç.

 

Ndryshe, punimet e rikonstruimit janë bërë në kuadër të kampit rinor “Ngritja e kapaciteteve për studentët e arkitekturës në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore” e cila u organizua nga CHWB Kosova dhe është financuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të OJQ-së “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” ndërsa në fund të kësaj ceremonia u bë edhe ndarja e certifikatave për studentet të cilët kanë punuar në rikonstruimin e një pjese të mullirit dhe atë sipas metodave burimore me gurë dhe baltë, duke ia kthyer atij autenticitetin në tërësi. Puna praktike në këtë mulli është koordinuar dhe mbikëqyrur nga ekspertë të restaurimit, ndërkaq kampi është zhvilluar prej 25 qershorit deri më 5 korrik kur edhe është përmbyllur.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga skema praktike në punë

Sot, kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi nënshkroi kontratat me tre praktikantë nga …