Në moshën 90-vjeçare ka ndërruar jetë këngëtari i mirënjohur i këngës qytetare, Qemal Kërtusha, “Artist i Merituar”

Në moshën 90-vjeçare ka ndërruar jetë këngëtari i mirënjohur i këngës qytetare, Qemal Kërtusha, “Artist i Merituar”

Qemal Kërtusha ka lindur më 27 tetor të vitit 1931. Përfshihet në lëvizjen amatore artistike të qytetit që në vitin 1946. Në vitin 1948 është pjesëmarrës i filarmonisë shqiptare në Tiranë. Në vitin 1951 pjesëtar i ansamblit të ushtrisë. Pasi kryen shkollën e mesme në vendlindje, në periudhën 1951 – 53 studion për kanto me padagoge Artisten e Popullit,  Marie Kraja. Kthehet në qytetin e lindjes dhe inkuadrohet si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Me krijimin e estradës profesioniste kalon si këngëtar profesionist dhe jep shfaqje në të gjitha skenat e vendit. Me një zë krejt të veçantë dhe me mundësi të pakufizuara vokale, diapazoni i tij shtrihet nga muzika popullore, muzika e lehtë, romancat, kënga partizane, kantata e deri tek ajo më e vështira, opera.

Në vitin 1962 është pjesëmarrës i festivalit të parë të këngës në Radio, ku nderohet me çmime për të tria këngët; “Fëmija i parë”, “Vashëzo” dhe “Mos më qorto”. Më pas vijon me çmimet e fituara në 17 festivale rresht. Në vitin 1963 ai përgatit dhe jep me sukses të parin koncert recital me këngë nga festivalet e muzikës së lehtë. Në vitin 1968 merr pjesë në operë,  “Bijtë e Skëndërbeut”.

Duke parë vlerat e mëdha artistike dhe njerëzore të tij, në vitin 1968 i akordohet titulli “Artist i Merituar”. Është fitues i medaljeve të arta në takimet e estradave si në Tiranë, Peshkopi e Shkodër. Të bujshme kanë qenë koncertet e tij në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ku është pritur mjaft ngrohtësisht nga vëllezërit tanë të një gjaku. Në repertorin e tij numërohen mbi 1000 këngë të kënduara nëpër skenat tona, apo të incizuara në Radio Tirana. Në vitin 2008 i është akorduar titulli “Qytetar Nderi” i Durrësit. (Dita)

 

Kontrolloni gjithashtu

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit të  Kosovës në këtë organizatë. …