Në përvjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët, Skënder Rexhepi – Hekuri dhe Fitim Duraku – Fita

Në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të Kombit, Skënder Rexhepi – Hekuri nga Mrasori  dhe Fitim Duraku – Fita nga Krusha e Madhe, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka bërë homazhe dhe ka përkujtuar heroizmin e tyre te Kompleksi Përkujtimor në Krushë të Madhe dhe te vendi i flijimit mbi fshatin Fortesë. Me këtë rast kryetari Latifi tha se, Skënderi dhe Fitimi ishin dy prej luftëtarëve trima që u rreshtuan të parët në vijën e drejtë të qëndresës e angazhimit si veprimtarë të organizuar të ilegales atdhetare, sepse edukata e tyre familjare ishte brumosur në frymën e dashurisë dhe flijimit për kombin. Ata kishin rol të rëndësishëm në organizimin dhe fuqizimin e UÇK-së, duke dëshmuar shpirtin luftarak dhe angazhimin e guximshëm në kohën kur Kosova dhe lufta e saj çlirimtare kishte më së shumti nevojë për bijtë e saj. Deri në frymën e fundit, luftuan për lirinë që e donin aq shumë. Për Skënderin, rrugëtimi në luftën për çlirim nga robëria u ndërpre më 21 janar 1999, kur në një ditë të ftohtë e me acar, u sulmuan në një pritë të organizuar nga forcat pushtuese serbe, ndërkaq si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë, Fitimi do të përjetësohet me 4 prill të po atij viti në spitalin ushtarak të Pagarushës. Si dy luanë, luftuan krah bashkëluftëtarëve Xhavit Elshani nga Pirana dhe Mustafë Bajraktari nga Polluzha, të cilët gjithashtu kishin marrë plagë të rënda në të njëjtën pritë. Xhaviti e Mustafa u mbijetuan plagëve të asaj beteje për të rrëfyer për trimërinë dhe heroizmin e dy bashkëluftëtarëve të rënë, Skënderit e Fitimit. Që të katër, Skënderi, Fitimi, Xhaviti e Mustafa, sot janë bërë bashkë në jetën e përtejme, sepse asnjëri prej tyre nuk jeton më, por trimëria dhe vepra e tyre frymëzon dhe jeton mes nesh në formë lirie. Flijimi është sakrifica më e madhe që mund t’i falet Atdheut! Vepra e tyre heroike do të jehojë në përjetësi!

Mund të jetë një imazh i 9 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …