Brickos

Në shënimin e Epopesë së UÇK-së në komunën e Malishevës bëhet thirrje për unitet kombëtar

Me aktivitete të ndryshme Komuna e Malishevës po shënon 26 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, aktivitete që kanë filluar ditë me parë, e që po vazhdojnë edhe sot, ndërsa aktivitetet shënohen nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje solemne, ku është folur për rëndësinë e Epopesë së Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për sakrificën sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, si dhe për jehonën e kësaj beteje të zhvilluar me 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz. Po ashtu në fjalimet e rastit, u bë thirrje për unitet kombëtar, si dhe u kërkua lirimi i bartësve të luftës, të cilët po gjykohen padrejtësisht. Në fjalën e tij, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, pasi ka folur për rëndësinë e 5,6 dhe 7 Marsit të vitit 1998, ngjarje e cila është unike në botë, kur një ushtri e tërë lufton kundër një familjeje, luftë e cila zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe mori përmasa të gjëra. “Kjo sakrificë e komandantit legjendar, pati jehonë të madhe, pasi mobilizoi tërë kombin që të ngritët në luftë për liri, luftë e cila më pas arriti të ndikoj edhe në botën demokratike dhe përfundimisht populli shqiptar i Kosovës, të çlirohet dhe të jetë një vend i lirë, sikur të gjitha kombet tjera”, tha mes tjerash Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. Edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Argjend Thaçi, në fjalën e tij, tha se “kjo ngjarje ishte fillimi i fundit të robërisë shekullore për shqiptarët dhe lufta e familjes Jashari dhe e Komandantit Legjendar Adem Jashari, ishte motiv për popullin shqiptar në luftë për liri, dhe lufta e UÇK-së, ishte kurorëzimi i përpjekjeve shekullore për liri”. Kryetari i degës së OVL të UÇK-së, Metush Kryeziu, duke folur për epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe rolin e Komandantit Adem Jashari, tha se “populli shqiptar ka dy figura dy figura të mëdha dhe dy ngjarje të mëdha, Skënderbeun dhe kthimin e tij në Krujë dhe Adem Jasharin dhe Epopenë e UÇK-së”. Më pas, sot janë bërë homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz. Po ashtu, janë mbajtur dhe po mbahen edhe aktivitete tjera kulturore dhe sportive, në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …