Në Skenderaj u mbajt manifestimi qendror “Dita e Diasporës” 

Në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, është mbajtur manifestimi qendror “Dita e Diasporës”, për nderë të bashkatdhetarëve, në të cilin kanë marrë pjesë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ministri për Punë të Jashtme Behxhet Pacolli, ministrat për Diasporë të Shqipërisë dhe Kosovës, Pandeli Majko respektivisht Dardan Gashi, deputetë të Parlamentit të Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, zyrtarë të tjerë shtetëror, si dhe një numër i madh i qytetarëve nga mbarë trevat shqiptare. Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, si nikoqir i manifestimit, në fjalën e tij para të pranishmëve ndër të tjera ka theksuar se duhet të kujtohet e të pranohet sa herë të jetë nevoja se të gjitha ndërmarrjet, nismat dhe idetë për çështje të kombit, kanë zanafillë në mesin e diasporës shqiptare. “Duhet gjithashtu me mburrje e krenari të pranojmë se pa diasporën shteti ynë nuk do të ishte këtu ku ndodhet sot. Duke qenë se diaspora shqiptare është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe zhvillimit pozitiv të mbarë kombit tonë, ne si institucione, qoftë në nivelin lokal, qoftë në nivelin qendror, kemi obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, pa marrë parasysh shtetin ku ata jetojnë”, ka thënë mes tjerash kryetari Jashari. Para të pranishmëve ka folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka vlerësuar lart kontributin e diasporës shqiptarë në përgjithësi. Edhe kryeministri i vendit i ka përshëndetur qytetarët e Skenderajt dhe diasporën në përgjithësi, duke theksuar se diaspora ka kontribuar jashtëzakonisht shumë që para luftës së Kosovës. Ndërkaq, ministri i Diasporës së Shqipërisë, Majko ka dhënë lajme të mira, duke theksuar se çështja e vizave do të mbyllet shumë shpejt, dhe se shqiptarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm që nga janari i vitit të ardhshëm. Pas fjalimeve, ka vazhduar programi artistik me këngëtarë të shquar të estradës shqiptare dhe valle. Në kuadër të aktiviteteve në shënim të manifestimit qendror, të cilin e ka organizuar Komuna e Skenderajt dhe Ministria e Diasporës në Republikën e Kosovës, pasditen e së mërkurës delegacione të ndryshme shtetërore kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe kanë qëndruar në Kullën e Jasharëve, ku janë prit nga kryefamiljari i kësaj familjeje, Rifat Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Skenderajt do të organizoj akademi përkujtimore për heroin Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorë tjerë

Nën organizimin e Shoqatës së sh-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, të enjten me 16 maj, në …