Në vigjilje të Pavarësisë vendosen shenjat përkujtimore të shtëpive shtabe të UÇK-së në Malishevë

Në kuadër të aktiviteteve në vigjilje të shënimit të dhjetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, organizuar nga OVL e UÇK-së, dega në Malishevë dhe financuar nga Komuna e Malishevës, zyrtarisht ka filluar implementimi i projektit për vendosjes e pllakave me mbishkrime, në shtëpitë shtabe të UÇK-së, apo objektet tjera, të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në territorin e Komunës së Malishevë. Në ceremoninë zyrtare të fillimisht të vendosjes dhe zbulimit të këtyre pllakave, mori pjesë Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Guncati, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, zëvendësministri i ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi, eprorë dhe ushtarë të ish UÇK-së dhe qytetarë të tjerë. Pllaka e parë që u zbulua, ishte ajo në odën e dëshmorit të kombit, Imer Krasniqi, në Carrallukë, odë e cila njihet për takimet dhe vendimet e rëndësishme që janë marrë, gjatë luftës së UÇK-së. Më pas, pllakat janë zbuluar edhe në Malishevë, në shtëpinë depo e armëve, të Skënder Krasniqit, pastaj në Lladrovc, në shtëpinë e Besim Gegajt, ku janë themeluar celulat e para të UÇK-së në këtë pjesë, pastaj në shtëpinë e Fatmir Limajt në Banjë, ku ishin të vendosura celulat e para të njësisë “Çeliku”, në shtëpinë tjetër në Banjë, të Ragip Begajt, shtëpi shtab i UÇK-së, gjatë viteve 1998-1999. Vendosja e pllakave, ku shënohen shtëpitë apo objektet me rëndësi të veçantë gjatë luftës, do të vazhdoj deri në përfundimin e tyre. “Kjo që po bëjmë tani, është më e pakta që mund të bëjmë për dëshmorët e kombit, por edhe për shtëpitë dhe familjet e tyre, të cilat i kanë lëshuar shtëpitë e tyre në shërbim të luftës, pasi mundin dhe sakrificën e tyre, nuk mund ta shpërblejmë me asgjë”, tha në fjalën e tij Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, gjatë zbulimit të pllakës, në odën e dëshmorit të kombit, Imer Krasniqi. Ndërsa kryetari i OVL të UÇK-së. Hysni Guncati, gjithashtu tha se “kjo është shumë pak, por ka një domethënie të madhe, pasi përmes këtyre pllakave, gjeneratat e ardhshme, do ta kujtojnë luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit të Kosovës”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi në 25-vjetorin e rënies, ka nderuar kujtimin për luftëtarin e UÇK- së dhe dëshmorin e kombit, Sadri Fazli Krasniqi

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, bashku me familjarë, bashkëpunëtorë e miq, në 25-vjetorin …