Nevenka Tromp

Nevenka Tromp: Dëshmitë e nivelit të lartë synuan rrëzimin e “mens rea” në procesin ndaj liderëve të UÇK-së

Hulumtuesja e njohur e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, ka vlerësuar se dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja në procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pasur një qëllim të qartë juridik: rrëzimin e elementit thelbësor të aktakuzës – “mens rea”, pra qëllimin kriminal të pretenduar të të akuzuarve. Sipas Trompit, përzgjedhja e figurave me peshë të madhe diplomatike, politike dhe ushtarake – si James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan, James Peter Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe veçanërisht gjenerali Wesley Clark – nuk ishte e rastësishme. Ajo e cilëson këtë si një strategji të mirëmenduar të mbrojtjes për të dëshmuar se udhëheqësit e UÇK-së nuk kanë vepruar në kuadër të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria. Tromp ka theksuar se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) nuk ka konstatuar kurrë se shqiptarët kanë krijuar një ndërmarrje të tillë kriminale me synim dëmtimin e serbëve, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze mbi bazën juridike dhe politike të aktakuzës aktuale. Sipas saj, një vendim që do të mbështeste narrativën e Prokurorisë do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për katërshen e UÇK-së, por edhe për shtetin e Kosovës dhe për vetë karakterin çlirimtar të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin …