Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Prindër, vëllezër, motra, fëmijë të dëshmorëve!
Pjesëmarrës të respektuar!
Ka mbi një muaj që ka dalë nga shtypi vëllimi 10 i monografisë Feniksët e lirisë, por sot jemi mbledhur këtu për ta përuruar atë solemnisht. Në rastet si ky dhe sa herë që shohin dritën e botimit vëllimet e reja të kësaj monografie, por edhe botime të tjera për dëshmorët, për gjithë ne është një moment i veçantë i përjetimit shpirtëror të madhështisë së heroizmit të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Në këtë moment ne përkujtojmë me pietet e përulje jo vetëm ata emra dëshmorësh të cilët kanë zënë vend në faqet e librit Feniksët e lirisë, por përkujtojmë me pietet e përulje emrin e përbotshëm të dëshmorit të UÇK-së i cili ndrit faqet e historisë së lirisë sonë kombëtare. Duke përkujtuar e nderuar dëshmorët e kombit ne marrim forcë e frymëzim nga vepra dhe ideali i tyre, për ta ruajtur pastërtinë e gjakut që derdhën ata dhe për ta çmuar kuptimin e vërtetë të fjalës liri.
Të nderuar pjesëmarrës! Ne të gjithë e dimë se sado e përsosur qoftë, asnjë pendë, asnjë dorë dhe asnjë gjuhë nuk mund t’i japë fjalës fuqinë që asaj i jep heroizmi i dëshmorëve të lirisë. Megjithatë Redaksia jonë në këtë vëllim 280 faqesh të monografisë Feniksët e lirisë ka synuar të spikasë disa prej elementeve të rëndësishme të jetës dhe veprës së 63 dëshmorëve të UÇK-së. Shpresojmë se për lexuesin tonë dhe për brezat që vijnë, ato do të shërbejnë si burim i përhershëm i frymëzimit atdhetar. Dëshmorët që bëjnë të na flasë libri Feniksët e lirisë – 10 janë: Abdyl Pajaziti i Qëndresës së Prizrenit; Agim Zeneli i Shqiponjës së Dushkajës; Agim Islami i Taraxhës së Vushtrrisë; Ajvaz Jashari i Prekazit legjendar; Arben Hyseni i Godancit të Shtimes; Arben Bytyçi i Dejës së Anadrinit; Arsim Muzaçi i Vushtrrisë; Arton Zogaj i Orroberdës së Burimit; Avdullah Baftiu i Vatajt të Kaçanikut; Avni Dudi i Llaushës së Besianës; Bajram Veliu i Rahavecit; Bejtë Rexhepi i Korraticës së Ulët të Drenasit; Bekim Maliqi i Batllavës së Besianës; Besim Kabashi i Samadraxhës së Therandës; Cenë Loku i Kotlinës së Kaçanikut; Emërllah Kuçi i Kotlinës së Kaçanikut; Enver Miftari i Vërbicës së Zhegovcit të Gjilanit; Fahri Bici i Godishnjakut të Besianës; Fatmir Selmani i Repës së Besianës; Fazli Beqiri i Açarevës së Skënderajt; Feriz Blakaj i Vrellës së Burimit; Gafurr Loku i Kotlinës së Kaçanikut; Habib Berisha i Gurbardhit të Malishvës; Hamide Jashari e Prekazit; Hysni Murseli i Nekocit të Drenasit; Isa Olluri i Krojmirit të Lipjanit; Ismet Rrahmani i Açarevës së Skënderajt; Selman Gashi i Anadrinit të Prizrenit; Jahir Mazreku i Malishevës; Januz Zeneli i Ballabanit të Besianës; Jeton Kabashi i Apterrushit të Anadrinit; Kajtaz Jashari i Prekazit; Kurtish Hasani i Qëndresës së Anadrinit; Mahi Loku i Kotlinës së Kaçanikut; Manush Berisha i Krushës së Vogël të Anadrinit; Mark Lleshi i Vraniqit të Dushkajës; Mentor Ibriqi i Komaranit të Drenasit; Mirali Sejdiu i Smirës së Vitisë; Muharrem Vuthaj i Vrellës së Burimit; Nazmi Hasani i Qëndresës së Prizrenit; Nazmi Osmani i Elezajt të Kaçanikut; Nazmi Muzliaj i Orroberdës së Burimit; Nazmi Zhegrova i Studimes së Vushtrrisë; Nexhmedin Hakaj i Orroberdës së Burimit; Nezir Mujaj i Vrellës së Burimit; Nimon Demaj i Vrellës së Burimi; Qamil Olluri i Krojmirit të Lipianit; Qazim Hakaj i Orroberdës së Burimit; Ramadan Mazreku i Retisë së Rahavecit; Sabit Rrahimi i Gegajt të Besianës; Skënder Gashi i Anallapit të Besianës; Skënder Maraj i Vrellës së Burimit; Skënder Latifi i Piranës së Anadrinit; Smajl Jashari i Prekazit; Smajl Fetahaj i Vrellës së Burimit; Sylejman Bytyçi i Samadraxhës së Therandës; Shaban Shabani i Açarevës së Skënderajt; Shkëlzen Krasniqi i Apterrushit të Rahavecit; Tahir Gashi i Landovicës së Prizrenit; Tefik Raka i Kaçanikut; Veli Ballazhi i Hanit të Elezit të Kaçanikut; Xajë Jashari i Strofcit të Vushtrrisë dhe Xhafer Nurkasa i Rahavecit.
Cilido prej këtyre dëshmorëve simbolizon feniksin e lirisë, që rilind dhe do të rilindë nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë etnike. Thurjen e elementeve biografike të tyre, Redaksia e ka mbështetur në të dhënat e mbledhura gojore e të shkruara për ta. Sa i përket ndërtimit strukturor të këtij vëllimi të Feniksëve të Lirisë, ai ndjek vëllimet paraprake të monografisë, ku secilit shkrim biografik i paraprin fotografia e dëshmorit, ndërsa kapitullin e biografive e pasojnë kapitujt Monumente përjetësie, Recensioni, Dokumente dhe Plotësimet me Bibliografinë. Redaksia ka bërë përpjekje që edhe fotografitë e dëshmorëve t’i trajtojë sa më mirë, në mënyrë që ato të reflektojnë besnikërisht pamjen e tyre. Mirëpo, në këtë rast duhet përmendur faktin se si pasojë e kalimit të kohës, vështirësitë për të siguruar jo vetëm informacionet e nevojshme dhe faktografinë për dëshmorët, por edhe fotografitë e tyre, po bëhen gjithnjë e më të pranishme. Me kalimin e viteve të tjera, duhet pritur që këto vështirësi të shtohen edhe më tej, duke marrë parasysh ndërrimin e gjeneratave, ndikimin e distancës së ngjarjeve historike, si dhe mungesën e përkujdesjes institucionale për faktet dhe vlerat e luftës çlirimtare. Për këtë arsye, të gjithë duhet ta ngremë çështjen e nevojës për të grumbulluar e ruajtur me përkushtim të dhënat për dëshmorët, sepse ato janë vetë historia dhe ato janë thesari që duhet t’u lihet trashëgim brezave që vijnë, në mënyrë që ne dhe ata ta njohim vetveten.
Familjarë të dëshmorëve dhe ju të pranishëm! Përurimin e këtij libri dhe përkujtimin e 63 dëshmorëve të tij e përmes tyre edhe të gjithë dëshmorëve të tjerë të UÇK-së po e bëjmë në disa rrethana paksa të veçanta që kanë pasuar zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova, në vitet e pasluftës. Siç e dimë, tashmë Kosova ka shpallur pavarësinë shtetërore në formën e një republike; ka përvetësuar një flamur të ri; ka hartuar një kushtetutë dhe ka miratuar një himn shtetëror. Ne do të ishim shumë të lumtur, sikurse edhe ju, në qoftë se përurimin e këtij libri sot do ta bënim në shtetin me pavarësi të vërtetë të Kosovës dhe në Kosovën siç e kishin ëndërruar e për të cilën ranë dëshmorët që po i kujtojmë. Të gjithë ne së bashku do të ishim pafundësisht të lumtur sikur sot me krenari të ligjshme të mund t’u thonim këtyre dëshmorëve të pushonin të qetë sepse ëndrra e tyre u realizua: se Kosova u bë shtet i lirë e i pavarur; se flamuri kombëtar që atyre u priu në betejë dhe u valon në lapidar, vazhdon ta përfaqësojë krenarinë shqiptare të Kosovës; se himni ynë kombëtar të cilin ata e kënduan pa numër herë dhe i cili hapi e mbylli ceremonitë e përkujtimit të tyre, vazhdon të jetë simboli i qëllimit dhe idealit të bashkimit kombëtar e të tjera, e të tjera. Mirëpo, mjerisht realiteti është ndryshe dhe t’u themi këtyre dëshmorëve se përmes një deklarate Kosova vërtet shpalli pavarësinë, por nuk e mohoi dot një numër rezolute që ia njeh Serbisë agresore të drejtën e sovranitetit mbi të; se dikush në emër të Kosovës, për hatërin e të huajve hoqi nga shtiza flamurin e Skënderbeut dhe shpërfytyroi kuptimin e 28 Nëntorit; se dikush në emër të Kosovës e për hatër të huajve, ua hoqi shqiptarëve të drejtën zyrtare për këndimin e himnit kombëtar dhe në vend të tij ua imponoi atyre një melodi memece; se Kosova miratoi një kushtetutë që e ka për turp të përmendë qoftë edhe një herë të vetme emrin shqiptar; se Kosova nuk njeh zyrtarisht ditë dëshmori-pra, po t’u kumtohen të gjitha këto dëshmorëve, eshtrat e tyre do të lëndohen. Po të kishte mundësi ta dinin këta dëshmorë se edhe në Kosovën e pavarur Serbia vazhdon të kontrollojë pjesë të tëra të Kosovës, të mbajë zgjedhjet e të formojë institucionet e saj, hiri i tyre do të ringritej për të vazhduar luftën atje ku ranë.
Të nderuar familjarë të dëshmorëve! Ato që kanë ndodhur e po ndodhin në Kosovë nuk mund ta dëshpërojnë e ta thyejnë atë që nderon dëshmorët e kombit dhe i beson fuqisë magjike të gjakut të tyre. Nëse nuk jemi ne ata që do t’ia arrijnë ta pamundësojnë zbatimin e projekteve të cilat kanë për qëllim që përmes shpërfytyrimit të dëshmorëve e të luftës çlirimtare, të arrihet shkombëtarizimi i Kosovës, por edhe rikolonizimi i një pjese të saj, pra nëse nuk jemi ne ata, do të jenë bijtë dhe bijtë e bijve të atyre që u flijuan për atdhe, që do ta çojnë në vend amanetin e dëshmorëve. Për këtë duhet të jemi të bindur fuqimisht.
Unë, në emër të Redaksisë Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ju shpreh të gjitha familjeve të dëshmorëve respekt e admirim për qëndresë dhe moral të fortë. Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për dëshmorët e kombit!
Kontrolloni gjithashtu
Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa
Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …