Nezir Myrtaj: Në shenjë të përkujtimit të mikut, atdhetarit dhe veprimtarit, Hysen Ibra (1948-2007)

Nezir Myrtaj: Në shenjë të përkujtimit të mikut, atdhetarit dhe veprimtarit, Hysen Ibra (1948-2008)

(Me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta)

 Më 14 qershor u bënë dhjetë vite qëkur u nda nga jeta miku i respektuar, atdhetari i devotshëm, intelektuali dhe veprimtari guximtar Hysen Ibra. Ai vdiq në moshë ende të re, kur si kryefamiljar i duhej më shumë se kurrë familjes së tij të shëndetshme: bashkëshortes Gjylës, vajzave Shqiponjës, Yllkës, Liridonës, Qëndresës e Kushtrimes dhe sidomos dëshirit të familjes, Shqiptarit. Ai iku në kohën kur ende i duhej Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë ku ishte duke punuar sekretar dhe kur si jurist i specializuar në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor kishte të planifikuara e të filluara projekte të shumta profesionale me të cilat do t’i kontribuonte interesit të përgjithshëm publik e në veçanti aspektit të planifikimit urbanistik e hapësinor. Njëri prej këtyre projekteve në rrafshin e ngritjes profesionale ishte edhe ëndrra, e mbetur peng më shumë për shkaqe burokratike të institucioneve arsimore-shkencore të Universitetit të Prishtinës, ku ai kishte parashtruar kërkesën për lejimin e temës së doktoratës “Kompetencat kushtetuese të Kosovës në lëmin e planifikimit hapësinor nga lufta e dytë botërore deri sot”, kërkesë e parashtruar në vazhdimësi që nga viti 1997 e deri më 2005.

Më në fund, Hyseni u largua nga jeta në kohën kur shokët dhe miqtë e tij të shumtë do të kishin nevojë edhe më tutje për fjalët e tij të ëmbla, për këshillat e tij të vlefshme, për humorin e tij mëkues, për mbështetjen e tij të pa kursim e për trimërinë e tij të paluhatshme. Për një njeri të tillë, për një shqiptar e burrë si Hysen Ibra do të kishte ende nevojë Kosova.

I lindur e rritur në Kosharen legjendare të malësisë së Gjakovës, Hysen Ibra, bashkë me frymëzimet e ngjarjeve historike kishte bërë pjesë të formimit të tij edhe traditat më të mira të popullit të asaj treve, të cilat i shquante me krenari tërë jetën e tij kudo në rrethet shoqërore. Pastaj i rritur në rrethanat kur që herët kishte mbetur pa babain, si biri i vetëm i së ëmës dhe vëllai i dëshirit i dy motrave, ai ishte pjekur e kalitur para kohe dhe ishte brumosur me tiparet e njeriut të përgjegjshëm që do t’i kishte peshë fjala dhe kuptim vendimi. Ambienti jetësor dhe historia e kombit të tij kishin kultivuar te Hyseni një idealizëm të kulluar të shoqëruar me frymën e optimizmit e të këmëngultësisë i cili e përcolli deri në fund të jetës. Pjesë e theksuar e këtij idealizmi ishte edhe aspekti kombëtar për të cilin ai ishte i gatshëm të punonte e të sakrifikohej në çdo kohë e në çdo moment. Me një formim të tillë, jo rastësisht Hyseni gjatë gjithë jetës së tij, që nga koha e shkollimit të mesëm në Gjakovë dhe atij të lartë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës kishte preokupim pozitën e Kosovës e të popullit shqiptar në Jugosllavi. Prandaj, në periudhat e stuhishme nëpër të cilat po kalonte Kosova, pas vitit 1981 ai asnjëherë nuk kishte qëndruar indiferent para veprimeve të politikës shoviniste serbe kundër kërkesës së shqiptarëve për bërjen e Kosovës republikë, e sidomos në kohën e fushatës serbe për suprimimin e autonomisë së Kosovës të kushtetutës së vitit 1974. Është antologjike fjala e Hysen Ibrës e lexuar në tetor të vitit 1988 në mbledhjen e organeve krahinore në Kuvendin e Kosovës, me rastin e diskutimit të ndryshimeve kushtetuese me qëllim të heqjes së autonomisë politike të Kosovës dhe marrjes së kompetencave të saj nga Serbia. Në atë fjalë ai e kishte krahasuar pozitën që po i gatuhej Kosovës me ndryshimet kushtetuese që po ofroheshin, me pozitën e një komuneje në kohën e mbretërisë së Karagjorgjeviqëve, duke kundërshtuar degradimin e autonomisë së Kosovës e përcaktuar me kushtetutën e vitit 1974. Një mbrojtje të tillë publikisht të pozitës kushtetuese të Kosovës, në atmosferën e histerisë së shfrenuar serbomadhe do të mund ta bënte vetëm një njeri i guximshëm që mbi interesin personal e vë interesin e popullit të vet. Kjo fjalë mbrojtjeje si e tillë mbase mund të jetë e vetmja ose së paku unikate dhe meqenëse ekziston e ruajtur, për kontekstin historik do të kishte rëndësi edhe të publikohej.

Orientimin kombëtarisht të drejtë e të angazhuar të Hysen Ibrës e dëshmon edhe fakti se ai kurdo dhe kudo ishte pranë dhe në krah të veprimtarëve të çështjes kombëtare. Ai ishte pothuajse i pandarë me një plejadë të gjatë të këtyre veprimtarëve, që nga Gani Vlahna me të cilin kishte edhe lidhje familjare e Jashar Salihu e deri te Binak Ulaj e Rexhep Balidemaj. Në mesin e veprimtarëve të çështjes kombëtare që kryesisht ishin ish-të burgosur politikë, Hysenin do ta shihje në tubime të ndryshme të manifestimeve me rëndësi kombëtare, në përvjetorë të ngjarjeve dhe figurave të ndryshme historike, në raste vizitash në familjet e të burgosurve politikë e të dëshmorëve të kombit, e kudo tjetër. Emërtimi i fëmijëve të tij me emra simbolikë kombëtarë, që fillon me Shqiponjën e mbaron me Shqiptarin, po ashtu ka një domethënie të veçantë përsa i përket dashurisë së Hysenit për kombin e vet. Këtë dashuri e kishte kultivuar me sukses në familjen tij, prandaj jo rastësisht ajo ishte bërë strehë e studentëve në kohën kur atyre u ishte mohuar e drejta për vijimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës nga pushteti serb në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Po ashtu, jo rastësisht kishte veshur uniformën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe kishte shkuar në frontin e Koshares bija e tij, Liridona, më 1999.

Meqenëse një kohë të gjatë Hyseni kishte punuar në të ashtuquajturin Sekretariat Krahinor për Urbanizëm dhe Veprimtari Komunale e Banesore në kuadrin e ish-qeverisë krahinore derisa në vitin 1990, administrata e pushtuesit serb e kishte larguar nga puna për shkak se ishte shqiptar dhe me përcaktime të pastra shqiptare, ndërkohë ishte marrë intensivisht edhe me trajtimin e çështjeve të urbanizmit dhe planifikimit hapësinor, të cilat kishin të bënin edhe me problemet e pazgjidhura kushtetuese në raport me Serbinë. Këto çështje vazhdoi t’i trajtojë sidomos gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar kur tashmë Kosova ishte vënë nën sundimin klasik të Serbisë dhe kur ishte e nevojshme ngritja e zërit të ekspertëve të secilës fushë. Në këtë aspekt, aktiviteti dhe kontributi i Hysen Ibrës mbetet i pamohueshëm dhe i pashlyeshëm. Dëshmi e këtij kontributi është lista e gjatë e punimeve dhe e gazetave e mediumeve të tjera në Kosovë, Shqipëri, Kroaci e Slloveni, në të cilat i kishte publikuar ato dhe qasjet e tjera në mbrojtje të kauzës së popullit shqiptar në Kosovë. Në vitin 1998 ai kishte botuar edhe librin me titull “Shkatërrimi i hapësirës së Republikës së Kosovës nga okupatori serb (1989-1997) me të cilin denoncon me argumente politikën okupatore serbe në fushën e planifikimit hapësinor.

Hysen Ibra ishte marrë edhe me shkrime të tjera të karakterit publicistik. Ai kishte publikuar 222 shkrime të tilla e që paraqesin një fond të rëndësishëm shkrimesh të cilat do të mund të përmblidheshin në botime të veçanta publicistike. Ky fond shkrimor, si dhe pjesëmarrja me kumtesa të caktuara në simpoziume të ndryshme shkencore në Kosovë e jashtë saj, dëshmojnë se Hyseni ishte edhe një intelektual i palodhshëm dhe publicist i dalluar, i cili tërë aftësinë dhe dijen e tij dëshironte t’i vë në shërbim të Kosovës.

Kanë kaluar dhjetë vite pa Hysen Ibrën dhe sot familja e tij, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur e me të cilët kishte bashkëpunuar ndiejnë zbrazëtirën e kaq viteve që ka krijuar mungesa e tij. Mirëpo këtë zbrazëtirë e plotëson kujtimi i paharrueshëm i figurës së tij; e plotësojnë gjurmët që ai ka lënë me punën dhe veprat e tij. Veprimtari Hysen Ibra u përket emrave të cilët jetojnë edhe pas vdekjes.

Kontrolloni gjithashtu

Haxhi Vehbi Dibra (1867 - 1937) I krishteri e myslimani janë vëllezër shqiptarë, të pandarë

Haxhi Vehbi Dibra (1867 – 1937) I krishteri e myslimani janë vëllezër shqiptarë, të pandarë

Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) lindi në Dibër të Madhe me 12 mars 1867, në familjen …