leoni

Ndahet nga jeta në moshën 99 vjeçare Nexhmije Hoxha, gruaja e ish-liderit shqiptar Enver Hoxha

Njerëzit e pandërgjegjshëm dhe hipokritët nuk i vret dot ndërgjegjja

Vdekja, në moshën 99-vjeçare e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së jetës dhe idealit të prijësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, ashtu sikur dhe dihej u prit me shpërfillje dhe pa as një ndjenjë njerëzie nga ata që dikur kishin ndenjur gatitu para saj, jo sepse kishin qenë të detyruar, por sepse kishin qenë vetë pushteti, të cilin e mbanin së bashku dhe e shfrytëzonin së bashku kush sa mundte e dinte. Tekefundit ka vdekur një nënë, një gjyshe, një grua e moshuar e cila tërë jetën e saj ia fali një ideali, të cilit dikur i kanë besuar 90 për qind e shqiptarëve.

Shpërfillja, ndjekja, injorimi dhe satanizmi që i bënë familjes Hoxha, në radhë të parë bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë dhe ata që e kishin drejtuar e ndërtuar Shqipërinë për 50 vjet, ka të bëjë me “moralin” e tyre njerëzor, me hipokrizinë dhe djallëzinë dhe me mungesën elementare të njerëzisë nga ana e tyre.

Nuk po flas për kundërshtarët dhe ata që pësuan nga regjimi komunist, nëse kanë pësuar për shkak të bindjeve të tyre, sikur thonë shumica, ndërsa janë veprat e tyre të dëshmuara para gjyqeve që flasin veç e veç për veprat e tyre, të montuara apo të pa montuara, meqë duhet të ketë pasur nga të dyja anët.

Po çfarë të këqija patën nga ai regjim, Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Fatos Nano, Neritan Ceka, dhe tërë një klasë politikanësh shqiptarë, të cilët vetë e shembën atë që e kishin ndërtuar, vetë ia dhanë zjarrin Shqipërisë dhe sot po këta e klanet e tyre kriminale,  mafioze, vrastare, antishqiptare po e shtrydhin e po e shtypin po e shfrytëzojnë e po e degdisin si po duan, tërë Shqipërinë në të majtë e në të djathtë.

Sot, kur po i jepet lamtumira, Nexhmije Hoxhës, nga familja dhe nga pak ata njerëz, kryesisht pleq që nuk i kanë ndërruar bindjet e idealet e tyre, sot gajasen së qeshuri djallëzisht, Salo Berisha, Ilir Meta, (i cili po përgatitet t i bëjë edhe një varr të ri Shqipërisë, sepse e pret burgu si njeriun më të korruptuar vend), dhe tërë ata që janë përkundur, janë rritur, janë shkolluar  falas, janë bërë burra, në djepin e Shqipërisë Socialiste.

Sot ata nuk begenisin t’ i dërgojnë familjes Hoxha qoftë edhe një telegram apo SMS personal, sepse i frikëson hija e vet, e kaluara, të cilën nuk e shkulin dot nga ndërgjegjja, nëse kanë pak ndërgjegje.

Sot nën hijen e ndërgjegjes së vrarë kanë mbetur si “Shën Pjetri mbi mangall”  edhe shumë e shumë shqiptarë, dikur besnikë fanatikë të regjimit socialist, sot besnikë të neveritshëm të kapitalit që kanë krijuar duke shitur atdheun e shqiptarëve, duke shitur trupin dhe tërë atë që shitet e blihet dhe duke e bërë tapi për vetët e klanet e tyre mafioze.

Ata që i gëzohen vdekjes së një gruaje 99-vjeçe, por edhe ata një ditë i pret vdekja, sepse vetëm vdekja është “mbretëresha” e pagabueshme, e cila nuk bën dallim mes më të pasurit të botës dhe më varfanjakut. Nuk ka qenë traditë e shqiptarit të shahet e të fyhet i vdekuri në ditën e vdekjes, madje qoftë edhe armiku më i përbetuar. Janë pritur të kalojnë dy apo tri ditë.

Sot nuk mund të flitet më për moral tradicional shqiptar, për moral socialist e human, nuk flitet fare për moral, sepse  deledashët ia kanë hequr “petën lakrorit” dhe nuk merakosen më për asgjë, pos për pronat e pasuritë e tyre, edhe pse  asnjëri  nuk i merr dot në varr.

Nexhmije Hoxha i qëndroi besnike idealit të saj, dikur i pranueshëm nga 90 për qind e shqiptarëve. I qëndroi besnike atdheut, Shtetit, familjes duke mbrojtur ideologjinë e vetë, atë ideologji, të cilën në kohën e saj e kishin pranuar dhe përvetësuar dy të tretat e shteteve dhe popujve të botës…  ( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …