Nuk luftohet kulti i djeshëm i individit, duke ndërtuar kultin e sotëm, po të individit

Nuk janë të pakët përderecakët e deridjeshëm, që e kishin vështirë t’i  ngopnin zorrë me bukë të kuqe të misrit dhe sot janë “rehatuar” si mos më mirë në sarajet, odat, hamamet e qymezet e Shtetit, falë gjeturisë së tyre për të zhbiruar dhe për t’i futur hundët edhe atje ku, duhama e keqe nuk u hiqet nga goja e trupi për tërë jetën. Ata, falë servilizmit, të tipit “lepe-peqe” dhe  gatishmërisë së lindur  për të qenë shërbëtorë të padronit deri në neveritje, si parazitë të lindur e të rritur, sot i gjen të postuar kudo, nëpër ministri, kryeministri, Presidencë, në të gjitha segmentet e Shtetit e të pushtetit. Dikur me zorrët bosh tani barkun kosh. 10 këshilltarë për një ministër, gjysmë analfabet. 10 të tjerë statistë, asistentë, bodiguardë, shoferë. Tërë një kohortë për ta ruajtur, për ta këshilluar, për ta teleisur dhe për ta kompletuar “Shefin”, atë më të mirin, kurdoherë të pagabueshmin, “më trimin” i cili  në kohën e luftës kur i kërcënohej prapanica, ia therrte larg e më larg, ashtu edhe tani, kur mendon se po i kërcënohet karriera, ia hedh me pehlivanllëk gjithnjë mbi kurriz të popullit, duke e lavdëruar atë, por edhe duke e ironizuar, me moton e huazuar nga kumbarët serbë, ( narode moj, stoko moja) populli im kafsha ime e mirë…

Nuk duket se është e domosdoshme që të gjithë këta, apo ata shefa e ministra  të jenë të tillë. Po nga ai “nus prodhim” i institucioneve të mefshta e të korruptuara të Kosovës, hetohet një klasë e këshilltarëve fanatikë, që lavdin dhe servilizmin e tyre të neveritshëm nuk e bëjnë zap, madje as edhe  atëherë kur në ndonjë rast, lavdatën e  e tillë  nuk e do padroni, madje ndodh të skuqet, nëse ka pikë nderi e burrërie. Të tillë pa dyshim se ka, meqë ka ministra edhe me nga dy e tre këshilltarë, e jo me 10 e 20.

Dikush,  me rezonimin e tij të mjerë mendon se të jesh këshilltar, doemos duhet ta lavdërosh “Shefin”, ta lavdërosh aq shumë sa të mos ketë ku të shkojë me tej, meqë  “Shefi” nuk ka as mund të ketë ndonjë të metë, sepse ai është shefi, kulti, i përsosuri, pehlivani, të cilit nuk ia  qet kush shpinën në tokë, sepse ka kush e  mbron, sepse edhe ky Shefi, është njëlloj servili e skllavi ndaj padronit të vet, ndaj shefit të vet “ndërkombëtar”.

 Të jetosh si derr i kënaqur nuk është diçka e re, ashtu sikur nuk është e re as të jetosh si Sokrat i vuajtur.  Por të jetosh duke luftuar të gjitha mitet e kultet e së kaluarës e të traditës, me të cilat ke qenë i edukuar dhe dikur u ke besuar, e sot të përpiqesh t’i demontosh të gjitha ato “kulte”, duke lënë vetëm një kult, as kjo nuk është diçka e re. Kështu kanë bërë njerëzit, në rrugë për ta besuar vetëm një Zot dhe jo shumë zotër sikur bënin paganët. Por përderisa besimtarët monoteistë i besojnë një Zoti që nuk duket, që nuk ka lindur as nuk vdes! “derri i kënaqur” është derr materialist, që i beson materies, shefit, atij që shihet, të cilit i shërbehet dhe nga i cili jetohet pa mund, pa djersë, vetëm duke e lavdëruar, por jo duke e këshilluar. Në rastin konkret, pse jo edhe në rastin e përgjithësuar, nuk kemi dëgjuar për ndonjë  këshilltar që ka marrë apo merr guximin ta këshillojë shefin, sepse po të pretendojë të tregohet më i mençur se shefi, vaj halli për të.

“Derri  i kënaqur” jeton me gjithë të mirat. Jeton pa gajle, jeton duke përlarë me turi nga “të lënat e çanakëve të shefit”, por edhe nga ndonjë “sahan” tjetër. Me rëndësi është të jetë kurdoherë me shefin, ta lavdërojë, duke e krahasuar me atë që dikur e kishte sharë, sepse edhe Shefi nga sharës e përbuzës tani është kthyer në lavdërues e përkushues të “atij”,  që e kishte sharë e përbuzur për së gjalli.

“Derrit të kënaqur, aq i bën se “edhe Shefi faqe ndërron, dje shante e sot lavdëron”. Kështu do të bëjë edhe ai, gjithnjë sipas Shefit. Ndërrojnë kohët, ndërron zakoni, ndërrojnë shefat, ndërron padroni, por ama veset e derrit të kënaqur, as kanë ndërruar as ndërrojnë ndonjëherë. Të më falin derrat, dosat, këto kafshë të mjera e inteligjente, nuk e kam me ata, madje as me ata derra e dosa  të Xhorxh Orvellit, thjesht fjalën e kam te derrat tanë të pangopur, të cilët përveç se jetojnë të kënaqur duan edhe të na mësojnë, duan të na bindin me çdo kusht se jeta ka kuptim, vetëm po të jetohet sikur jetojnë  ata, gjithnjë duke i lavdëruar shefat e tyre, të gjithëdijshëm, trima e të pagabueshëm dhe duke i damkosur ata, që dikur kishin qenë po kështu, trima e të pagabueshëm.

Nuk luftohet kulti i djeshëm i individit, duke ndërtuar kultin e sotëm, po të individit.

Ahmet Qeriqi

  1. 2. 2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …