Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Projekt i kujt është pavarësia e Kosovës?

Shteti i se drejtës- obligim i yni

Ka kohë që analistë e pacifistë të ndryshëm nuk ngurojnë të thonë: “Pavarësia e Kosovës është Projekt i ndërkombëtarëve”. Me ketë mënyrë të menduarit, jo vetëm që mohohet përpjekja shekullore e popullit tonë për liri, për gjuhë e komb, për shtet e bashkim kombëtar, por, janë duke e mohuar edhe përgjegjësinë dhe obligimin tonë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, shtetin e zhvilluar e të mirëqenies dhe shtetin e dijes e të drejtësisë sociale. Ketë nuk mund ta na bëjnë të tjerët, sikur nuk na e bënë të tjerët as deri tani, nëse nuk kemi vullnet, gatishmëri, dashuri e përgjegjësi që ta bëjmë ne, e vetëm ne. Ndoshta duhet kuptuar drejtë kategorinë e shqiptarëve të cilët në asnjë kohë nuk e kanë marrë mundin për t’ia bërë një argat të mirë e të guximshëm atdheut.

Dje e ndienin veten rehat e rehat nën sundimin serb e jugosllav dhe kush guxonte t’i luftonte ato regjime, i konsideronin prishës të rahatisë se tyre deri dhe dorë e zgjatur e këtij apo e atij shërbimi të huaj, deri edhe dorë e zgjatur e Beogradit politik e antishqiptar. Ata, në cilëndo kohë që do t’i trajtojmë, kanë qenë në shërbim të të pushtetshmeve, të kësaj apo të asaj Perandorie apo mbretërie. Ai lloj i njerëzve edhe sot është në shërbim të të fuqishmeve në qeverisje ose janë kategoria që gjithçka e lidhin më të fuqishmet e Botës, duke i mohuar përpjekjet shekullore të popullit tonë për çlirim e bashkim kombëtar. Ata i shohim edhe duke e sulmuar e mohuar Ushtrinë Çlirimtare si vlerë kombëtare me arsyetimin se disa veprime të kapadaive të pas luftës çlirimtare qenkan kriminale, ndonëse veprimet kriminale e pa ligjësitë e ndryshme që ndodhen këtyre viteve nuk mund të lidhen vetëm me “komandantët” e luftës. Këto qëndrime të këtyre njerëzve nuk kanë të bëjnë më të vërtetën, nuk mbështeten në fakte relevante a dokument burimor, “dëshmi” të vetme që e proklamojnë më mendësi fodulle  janë bombardimet 78 ditësh të NATO-s e më pas edhe të Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë. Kjo në një masë të madhe mund të trajtohet si një gjysmë e vërtetë dhe asgjë më shumë.

Është e ditur se nuk ka gjë më mbytëse për të vërtetën sesa gjysmë e vërteta. Ndërsa e vërteta është se Projekti i Pavarësisë, është vepër e vet shqiptarëve (e shumë brezave), madje është kompromis i dhimbshëm i tyre, i pas luftës çlirimtare. Nuk mund të mohohet fakti se projekti ynë për çlirim nga Serbia, hasi një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-ja, NATO-ja dhe BE-ja. Por kjo mbështetje nuk iu dhurua Kosovës, por erdhi pas mijëra “okëve të derdhura të gjakut”, siç kërkonte Bizmarku në vitin e Kongresit të Berlinit. Erdhi pas një krize të përgjithshme humanitare dhe një reagimi qytetarë të Botës demokratike. Por ne, nuk mund t’i heshtim as padrejtësitë që na i benë Fuqitë e Mëdha te Evropës në fund të shekullit XIX dhe në fillim të atij XX, atëherë kur Pavarësia nuk ishte Projekt i tyre. Të cilat në një masë u korrigjuan në Bisedimet e Vjenës  nga Presidenti Ahtisari. Kështu ai pat deklaruar në një intervistë për RTK-në.

Pavarësia ishte kompromis i dhimbshëm

Pse po them që Projekti i Pavarësisë së Kosovës është kompromis i dhimbshëm dhe shumë bile. Kosova në vitet e Lidhjes Shqiptare  të Prizrenit, ka qenë epiqendra e Kryengritjes anti Osmane dhe të të gjithë atyre që i cenonin tokat tona stërgjyshore. Madje edhe para kësaj Lidhjeje, ekzistonte Vilajeti i Kosovës, njeri nga Vilajetet më të mëdha shqiptare te Perandorisë Osmane në Ballkan. Kosova për më shumë se 80 vjet, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri në vitin 1998, Projekti i shqiptarëve ka qenë: Çlirimi dhe bashkimi i trojeve të pushtuara shqiptare dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë. Nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, e sidomos vendimi i saj për t’i lënë jashtë Shqipërisë londineze, më shumë se gjysmën e tokave dhe të popullit shqiptar, aspirata e Shqiptarëve për çlirim e bashkim kombëtar nuk ka pushuar as edhe një herë, krejt deri në çlirimin e saj nga Serbia me ndihmën e NATO-s. Të gjitha Kryengritjet shqiptare, të para e të pas Luftës së Dytë Botërore, të gjitha organizatat e fshehta  kombëtare për çlirim, në Programet e tyre e kanë pasur: “Luftën për Çlirim e Bashkim Kombëtar”. Madje edhe LPK e UÇK, të fundmet e organizimit klandestin, në programet e tyre e kishin të theksuar: “Çlirimin e bashkimin e Kosovës dhe të trojeve të tjera të pushtuara nga Federata Jugosllave, me Shqipërinë”. A ka mendje të kthjelltë shkencore a politikë parimore që mund t’i mohoj përpjekjet mbi dyqindvjeçare për një komb, një gjuhë e një shtet shqiptar?

Shqiptarët e Kosovës kanë pasur një rol të rëndësishëm në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878/81). Kosova ishte qendra politike e Kryengritjes për Autonomi (as pavarësia nuk ishte e huaja për atë kohë) dhe mbrojtja e tokave nga synimet grabitqare të sllaveve të jugut, të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Që nga ajo kohë deri të çlirimi i saj në qershorin e vitit 1999 kanë kaluar 121 vjet, ndërsa deri të Pavarësia më 17 shkurt 2008, kishin kaluar 130 vjet. Kosova në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte epiqendra e atyre kryengritjeve që u zhvilluan nga Shkupi, Kaçaniku, Slivova, Carnaleva, Malësia e Gjakovës e deri në Shkodër e Malësi të Madhe. Kryengritje që në thelb kishin kërkesën politike për një gjuhë,  një komb e një atdhe (shtet). Vite këto që përmbyllen edhe formimin e kombit shqiptar. Edhe pse kryengritjet kishin një rol mbarëkombëtar, personalitete të Kosovës kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm. Veç kësaj, edhe Manifesti politik e programatik i shqiptarëve i hartuar nga Sami Frashëri: “Shqipëria çka qenë, ç’ është e çdo të bëhet”, i shkruar në fund të shekullit XIX enkas për Lidhjen “Besa-Besë” të Pejës që udhëhiqej nga Haxhi Zeka. Pra dy Kuvende të Mëdha Shqiptare të kohës dhe Kryengritjet më masive të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane janë zhvilluar në Kosovë, për shtetin Autonom të shqiptarëve të të katër vilajeteve.

Në fillim të shekullit XX, Vilajeti i Kosovës me kryeqytet Shkupin e më pas Prishtinën, ka qenë hapësira kombëtare që në kontinuitet dhe fuqishëm e ka kundërshtuar Perandorinë Osmane. Sidomos janë të njohura Kryengritjet shqiptare të viteve 1908 –  1912, e sidomos duhet veçuar atë të vitit 1910, 1911 (Programi i Gërçës 1911) dhe Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912 e udhëhequr nga Hasan Prishtina. Kryengritje që quan në Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.  Më 28 Nëntor  1912 shqiptarët e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë se katër vilajeteve, por do të jenë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) që i copëtuan trojet tona duke lënë jashtë atdheut më shumë se gjysmën e trojeve dhe gjysmën e popullit shqiptar.

Pikërisht për ketë qëllim, në nëntor të vitit 1918 në Shkodër ishte themeluar, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Nga ajo kohë, mbase edhe më herët, nuk kanë munguar përpjekjet për bashkimin e trojeve shqiptare që Konferenca e Ambasadorëve ne Londër, i kishte lënë jashtë shtetit shqiptar – Shqipërisë Londineze. Të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, Serbia, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavia e Versajës) e më vonë Jugosllavia e AVNO-it ( e Titos), arritën që t’i shuajnë më zjarr e hekur, me shpërngulje e karrem të ndryshme ose thënë ndryshe me “shkop e karrot”. Duke i parë përpjekjet e grupeve të ndryshme, që në të shumtën kishin qenë grupe lojale ndaj të huajve dhe kundërshtarë të fortë të Lëvizjeve Kombëtare e klandestine për Çlirim dhe në anën tjetër duke i njohur përpjekjet çlirimtare të Organizatave të fshehta atdhetare, vendosa ta trajtoj ketë temë të rëndësishme, se vërtetë i kujt është Projekti i Pavarësisë së Kosovës? I shqiptarëve apo i Ndërkombëtarëve? Madje, çka do të mund të bënin ndërkombëtaret pa shqiptaret? Kjo do të finalizohet më vonë.

Ndërkombëtaret në një formë a tjetër e kanë hisen e tyre në shpalljen e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, por vetëm pas ngjarjeve të Marsit 2004, sidomos gjatë Bisedimeve të Vjenës, pas të cilave Presidenti Ahtisari i propozoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Presidentit të Këshillit të Sigurimit, se “pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën ishte zgjidhja e vetme”. Dhe kjo vetëm pasi u binden se nuk kishte mbetur hapësire për një bashkëjetesë mes Kosovës e Serbisë. Kompromisi i dhimbshëm u bë me kërkesën e ndërkombëtareve dhe u pranua për hir të Pavarësisë se Mbikëqyrur. Por, sado e madhe ishte mbështetja, ajo nuk e bënë Pavarësinë Projekt të ndërkombëtarëve. Ketë mund ta përrallisin vetëm ata që po e bëjnë hisedarë Serbinë në Kosovë me bisedimet e Brukselit e askush tjetër.

Bashkimi kombëtar është zgjidhja

Prandaj, as kjo çështje e as ndonjë tjetër, ndaj askujt e për asgjë nuk duhet të na bëjë servilë, se servilizmi është nëna e despotizmit dhe kurrën e kurrës e lirisë dhe e demokracisë! Mendoni vetëm për një qastë: servilizmi ndaj Millosheviq-it, a do t’na sillte lirinë e pavarësinë edhe kështu si është? A nuk na ka lënë servilizmi të fundmit e Evropës, sikur të ishim “indianët” e saj të getoizuar?

Kështu si po rrjedhin gjërat, shqiptarëve po ju mbetet vetëm një zgjidhje: Bashkimi Kombëtar! Shikuar edhe në aspektin financiar, kombi ynë nuk mund t’i përballoj dy e më shumë shtete. A jemi të gatshëm për ketë, edhe kjo, me ketë nivel të bajraktarizmi “lideristë” mbarëkombëtar, lë për të dëshiruar shumë! Pasi lakmia për pasuri (jo vetëm e njerëzve të politikës) e ka qitur në plan të dytë a të tretë aspiratën e rilindësve të urtë e brezave të tjerë pas tyre, për një komb e një shtet shqiptar në Ballkan!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …