Deklarata e Albin Kurtit në Nju Jork, se “bota mund të mësojë nga Kosova si përballë krizës ekonomike globale”, është kthyer në objekt talljeje nga opinionisti Adri Nurellari. Me ironi therëse, Nurellari thotë se në fakt bota mund të mësojë nga Kurti se si të boshatiset një vend i tërë pa luftë. Ai sjell statistika alarmante: sipas Eurostat, vetëm gjatë pesë viteve të qeverisjes së Kurtit, plot 210 mijë kosovarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE. Vetëm në vitin 2024, numri ishte afro 39 mijë – sa një komunë e tërë që largohet çdo vit. “Ky është ‘suksesi’ i tij i vetëm për t’u prezantuar jashtë: shndërrimi i Kosovës në një laborator emigrimi masiv, ku ikja është më e madhe se shpresa”, ironizon Nurellari. Pra, ndërsa Kurti mban ligjërata pompoze në auditorë prestigjiozë, realiteti në vend është i hidhur: qytetarët votojnë me këmbë, duke ikur çdo ditë.
