Brickos

Jahir Shaban Mazreku (24.6.1967 – 3.4.1999)

Jahir Shaban Mazreku (24.6.1967 – 3.4.1999)

“Maja e Kikës” gjendet afër fshatrave: Burim, Astrazup e Gurbardh, por jo larg Turjakës e Zatriqit, dhe për forcat serboçetnike që zhvillonin gjenocidin mbi fshatrat shqiptare, “Maja e Kikës” shënonte pikën me rëndësi strategjike, pasi që prej 25 marsit të vitit l999, nëpër dhijaret e kësaj kreshte që kalonin bri kësaj maje e truponin në drejtim të fshatrave: Burim, Gurbardh, Turjakë, Panorc, Rud, Llapçevë, Zatriq e veçanërisht kah Gurbardhi e prej fshatrave të përmendura në drejtim të Astrazupit, Shkozës, Jançistit e Pagarushës, u bënë korridor i vetëm dhe shfrytëzohej për ta prerë aksin e rajonales Rahavec-Malishevë, jo larg “Dushkajës” (“Livadheve të Mahmutit”) e as larg Astrazupit. Aksi i rajonales Rahavec-Malishevë, veçanërisht prej “Vorrreve të Zallagës”, bri Astrazupit, e deri te “Arat e Dulës” kah Rahaveci, ishte shumë i rrezikuar për lëvizjen e lirë të forcave serbe, sepse në këtë segment përherë, pothuajse prej majit të vitit 1998 serboçetnikët shënonin humbje të njëpasnjëshme. Sulmoheshin prej Brigadës l2l “Ismet Jashari – Kumanova”, prej Brigadës 122 “Imer Krasniqi” e prej Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, përkatësisht prej formacioneve që vepronin përreth Rahavecit dhe Malishevës, pra të Llapushës e të Anadrinit. Së këtejmi, forcat serbe gradualisht tërhiqen prej aksit rrugor të rajonales Rahavec-Malishevë dhe vendosin prita perfide, madje jo në vendet ku nuk pritej, por edhe nëpër vendet ku priteshin pritat e kurthet e këtilla, mirëpo rrugëdalje të tjera Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas situatës në terren nuk kishte, prandaj luftëtarëve të lirisë u duhej që gjatë javës së parë të prillit të vitit l999, t’i shpërthejnë rrethimet dhe pritat si në “Kryqin e Rakocit” ndërmjet Gjakovës e Deçanit, ashtu edhe në “Majen e Kikës” ndërmjet Malishevës dhe Rahavecit.
Kështu gjatë këtyre shpërthimeve e prerjeve të akseve rrugore ranë: Xhavit Hazir Kelmendi i Karaçicës,Vezir Hazir Kolshi i Baicës, Ramë Salih Bytyçi i Karvasarisë, Hidajet Hasan Mazrreku i Gurishtit, Bashkim, Jetullah, Luan e Agron Krasniqi të Hoçës së Vogël, Sylejman Melit Krasniqi i Apterrushit, Salih Selman Bytyçi i Shkozës, Halit Coka i Kukësit, Fitim e Enver Duraku të Krushës së Madhe, Besnik e Zaim Muçaj i përjetësuar në Vraniq, Shaqir Zekë Paçarizi në aksin Rahavec-Malishevë, te “Ujësjellësi”, e në ”Kryqin e Rakocit” të Rrafshit të Dukagjinit përjetësohen Bajrush Mehmetaj me Arbenin, Islam Ademaj dhe Fitim Rexha të Shqiponjës së Dushkajës, kurse në “Majën e Kikës” u pritet rruga djelmoshave nga Malisheva e Jançisti: Jahir Shaban Mazrreku me Maliqin dhe Hysen Sopajn, i pari nga Malisheva, kurse Sopajt, nga Jançisti i Llapushës. Në këtë pritë, më 3 prill të vitit l999, në orët e pasmesnatës përjetësohet dëshmori i kombit Jahir Shaban Mazrreku, luftëtar i lirisë.
Jahiri, i njohur si librar e punëtor grafik, jo vetëm në Malishevë, por edhe në tërë Llapushën e Anadrinin, është i lindur më 24 qershor të vitit l967 në Malishevë në vatrën familjare të Shaban Mazrekut, të ndjekur, të përndjekur, të rrahur e të burgosur disa herë, të martuar me Fahrinë, bijë e Shalës nga fshati Ndrekaj (ish-Kezherekë) të Drenasit. U rrit në një vatër patriotike të njohur për qëndrimet që kishte kundër çdo pushtuesi që u vërsulej këtyre trojeve për të cilat dhanë jetën shumë burra të Mazrrekëve të Llapushës ortakë të trimit Ilaz Agush Mazreku nga Malisheva. Shkollën fillore, Jahiri e mbarroi në vendlindje, por gjatë shkollimit në gjimnazin e Malishevës kyçet në veprimtarinë ilegale që asokohe sajonte një vijë të fortë të veprimtarisë kah Gurbardhi e Bubaveci, prandaj edhe u bjen në sy pushtetarëve lokalë e rrjetit të shpijunazhit të cilin e sajonin edhe shqipfolësit, dhe Jahir Shabanit i shqiptohet masa disiplinore e largimit nga procesi mësimor. Jahiri vazhdon gjimnazin në Therandë ku sajon kontakte edhe me veprimtarët e Therandës. Më l982 së bashku me Safet Mazrekun then Pashtrikun dhe vendoset në Shqipëri. Sërish arrestohet, por për shkak të moshës së mitur lirohet mirëpo më vonë, si duket kur i bëri vitet, pushteti sllavokomunist e dënoi me 18 muaj burgim të cilin e mbajti në Prizren e Lypjan. Madje një herë policia serbe i ra në gjurmë gjatë udhëtimeve të shpeshta nëpër Drenicë dhe te udhëkryqi i Bushatit (ish-Kamaranit), ndërsa ishte së bashku me veprimtarët: Fazli Asllan Mazreku e Gëzim Idriz Gajraku, të tretë u rrahën deri në alivanosje. Kështu çdo lëvizje e forcave serbe mbi veprimtarët e Llapushës e të Drenicës e frymëzonte Jahirin për një kërkim të shpëtimit kombëtar vetëm me luftë të armatosur. Bëri përpjekje maksimale që t’i shmanget vajtjes në shërbimin ushtarak të ish-ushtrisë jugosllave por nuk ia arriti. Dërgohet pothuajse me dhunë në kryerjen e këtij sërbimi në Dërçevë të Maqedonisë e së andejmi e transferojnë në Tetovë, por me shpërthimin e luftimeve në Kroaci, maqedonasit e dërgojnë në fushëbetejat e Kninit. Jahiri së shpejti dezerton së bashku me disa shokë dhe kalon në anën kroate, merr pjesë në “Olujën” e Kninit dhe deri në fund të luftës nuk largohet prej Fehmi Lladrovcit, Rrahim Ademit, Xhelal Hajdës, Gëzim Hamzës e Agim Çekut. Por lëvizjet për formimin e instrumentit të forcës në Kosovë, aktiviteti në diasporë dhe forcimi i fondit “Atdheu në rrezik – Vendlindja thërret” u dhanë krah djemve të mërgimit prandaj të gjithë si një, me të dëgjuar për daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Llaushë, për luftimet e Komandantit Legjendar Adem Jashari, për rezistencën e Haradinajve në marsin e Gllogjanit, edhe Jahiri u bashkohet grupeve të para të formuara në Llapushën heroike. Gjendet së bashku me: Gani Krasniqin, Hysni Kilajn e Vllaznim Kryeziun kur zënë të koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj Jahiri është plot vrull për veprime të mëtejme drejt përshpejtimit të shtrirjes së formacioneve sa në Malishevë aq edhe kah Rahaveci, përkatësisht Drenajt dhe Zatriq, pasi që formacionet e para ishin të stërvitur në Shqipëri gjatë viteve l992 e l993 dhe u ra hise që ta përbënin bërthamën e “Lumëve” të Malishevës në kuadër të Brigadës që mori emrin e Ymer Ramë Krasniqit, njëri prej dëshmorëve të parë të Llapushës.
Më 26 prill të vitit l998 forcat serbe ndërsa lëviznin nëpër magjistralen Prishtinë-Pejë, thyhen definitivisht në segmentin ndërmjet fshatrave Gjergjaj dhe Balaj të Llapushës, ndërsa kjo fitore në të cilën shkëlqyen: Mehedin Morina, Imer Krasniqi, Fatos Krasniqi, Besim Halilaj, Gani Krasniqi, Hilmi Shala, Ferat Shala, Sokol Krasniqi e Isni Kilaj, mbetet betejë e parë e Zonës Operative të Pashtrikut në të cilën marrin pjesë formacionet: “Lumi” e “Pëllumbi” të drejtuar prej Ferat Shalës, Isni Kilajt e Gani Krasniqit.
Dita e Betejës së Gjergjajt, për Jahirin ishte shumë e rëndësishme, sepse në mënyrë shumë të sinkronizuar e të sinkretizuar u veprua në dy rrugë magjistrale, krahas aksit Prishtinë-Pejë, edhe në aksin Prizren-Gjakovë, te “Përroni i Keq”, ndërmjet Piranës dhe Krushës së Vogël, u sulmuan forcat serbe, u thyen e u thërmuan formacionet mobile, ndërsa luftëtarët e lirisë, si në të parën, në Gjergjaj, ashtu edhe në të dytën, në Krushë të Vogël, korrën fitoret e para dhe kështu mori këmbë e flatra Zona Operative e Pashtrikut. Jahiri, në të gjitha ndërmarrjet, si në kuadër të zhvillimit të formacionit të parë ashtu edhe të Brigadës së Llapushës, është së bashku me Mazrrekët: Fazliun, Refkiun, Hilmiun, Xhevdetin, Safetin, Muharremin, Mentorin, Mevludimin, Bekimin, Qamilin dhe Bedriun dhe të vëllain Zenunin, pjesëmarrës të Betejës së Junikut në ditën kur ranë Bedri Shala e Bekim Berisha, Bashkim Leku, Elton Zherka e Përmet Vula më 8 gusht të vitit 1998, është së bashku me Bajrush Hotin, Ragip Begajn, Sylejman Telakun e Milaim Shalën, ndërsa pothuajse nuk ka ose së paku vështirë të gjendet ndonjë aksion apo betejë frontale e të mos ketë marrë pjesë Jahir Bani me axhën Fazli e me vëllezërit Zenunin e Mevludinin. Emrin e madh të dëshmorit Jahir Mazrreku e bëjnë faqet e ndritshme e të arta të historisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më l6 qershor në luftime e Bllacës e të Duhlës, Beteja e Fortesës në Rrafshin e Anadrinit, Beteja e Rahavecit, luftimet te “Rrasat e Rahavecit”, Beteja në “Lugun e Shqipeve”, “Beteja te Arat e Dulës”, “Beteja te Podi”, sulmi mbi stacionin policor në Malishevë dhe në të gjitha këto luftime e aksione, Jahiri në fund merr edhe një plagë në këmbë, por edhe pas plagosjes mori pjesë edhe në shumë aksione guerile në të cilat Jahiri aplikonte shkathtësitë e mësuara në fushëbetejat kroate, traditën luftarake të familjes Mazrreku dhe aftësitë e bashkëluftëtarëve me të cilët ishte i afërm dhe shumë kooperativ. Të gjitha këto i zhvilloi deri në fund të marsit kur fillojnë luftimet përreth Malishevës deri në Pagarushë, Gurak, Shkozë, Jançist e Gajrak, kur fillon tërheqja e popullatës civile në drejtim të Kleçkës dhe Bjeshkëve të Berishës. Por pas përfundimit të Betejës në Qafën e Pagarushës, Jahiri tërhiqet kah territoret që i kontrollonte Brigada 122 “Imer Krasniqi” dhe prej l prillit të vitit l999 përgatitet për ta thyer aksin rrugor Malishevë-Rahavec e që zakonisht, sipas vlerësimeve të njësiteve vëzhguese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ky aks i rajonales mund të thyhej te Ujësjellësi, ndërmjet “Vorreve të Malishevës” dhe Dragabilit, nga Burimi (ish-Javiqi), te Shkolla Fillore e Dragabilit, nga Burimi, te “Vorret e Zallagës” dhe te “Maja e Kikës”, të cilën edhe e zgjodhi Jahir Shaban Mazrreku së bashku me luftëtarët Maliq e Hysen Sopaj, sot dëshmorë të kombit. Ky monopat, Gurbardh – Burim – Shkozë-Jançist, u konvenonte luftëtarëve të lirisë pasi që konfiguracioni i terrenit ishte në favor të grupit të Jahirt. Ai zgjodhi mesnatën, përkatësisht orët e hershme, të para të pasmesnatës për ta trupuar gjolin që gjendet në maje të Kreshtës, bri “Majës së Kikës”, por forcat serbe, të përqëndruara nëpër aksin e rajonales i kishin forcuar pozicionet vëzhguese e përgjuese, prandaj edhe përjetësohet Jahir Mazreku së bashku me Maliq e Hysen Sopajn dhe me shumë qytetarë të cilët pretendonin të ktheheshin nëpër shtëpitë e braktisura pas masakrave të bëra gjatë marsit nëpër fshatrat e Anadrinit. Trupin e pajetë të luftëtarëve të lirisë soldateska bandite serboçetnike që gjasonte me hijenat kufomngërnëse, i mori dhe i dërgoi në Rahavec. I groposi në një kënd të varrezave të Rahavecit ku kishte groposur edhe shumë luftëtarë të përjetësuar. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë zbulimi i këtyre varrezave dhe trupi i pajetë i Jahir Shaban Mazrekut dhe i të gjithë dëshmorëve rivarroset në Malishevë. Sot bri vendit të rënies së Jahir Shaban Mazrekut me dy dëshmorët Sopaj të Jançistit ngrihet një lapidar në cep të segmentit Rahavec-Malishevë, ndërsa në “Kposhtin e Dëshmorëve” të Malishevës gjendet edhe shtëpia e amshueshme e Jahirit, pranë shokëve të Brigadës 122 “Ymer Krasniqi” të Malishevës, të cilët edhe pse i lodhur sa nga rënia e Jahirit aq edhe nga pritja e gjatë, i viziton xha Shabani me të bijtë e Jahirit, Arbrin, Arjetën dhe Arjanin, të cilët po rriten në prehërin e nënës Fatmire e të gjyshes Fahrije. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …