Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka shprehur mbështetje të fuqishme për studentët shqiptarë që po protestojnë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar të drejtën për përdorimin e gjuhës amtare në procesin e dhënies së provimeve të jurisprudencës. Në reagimin e saj, OVL UÇK thekson se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë e panegociueshme dhe e garantuar me ligj, duke kritikuar autoritetet për moszbatimin e këtyre garancive. Sipas kësaj organizate, një qasje e tillë përbën cenim të dinjitetit njerëzor dhe rrezikon stabilitetin shoqëror. OVL UÇK nënvizon se shqiptarët historikisht kanë respektuar gjuhët dhe identitetet e komuniteteve të tjera, por, sipas saj, gjuha shqipe vazhdon të përballet me kufizime dhe trajtim të pabarabartë në disa zona. Në fund, organizata vlerëson se kërkesa e studentëve për të dhënë provimet në gjuhën amtare përfaqëson një standard minimal që duhet të garantohet nga institucionet, duke kërkuar mbështetje të plotë për këtë kauzë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
