Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar me rastin e përvjetorit të pestë të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë ditë si një kujtesë të gjallë të padrejtësisë historike që po u bëhet luftëtarëve të lirisë. Në reagimin e bërë publik, OVL-UÇK thekson se pesë vite pas arrestimit të figurave kyçe të luftës çlirimtare, drejtësia ndërkombëtare ende nuk ka dhënë përgjigje të drejtë dhe të paanshme ndaj sakrificës së tyre. “Sot bëhen pesë vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së. Organizata kujton se ish-komandantët e UÇK-së, të cilët udhëhoqën luftën për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb, po përballen me një proces të gjatë dhe të rëndë në Hagë, ndërkohë që populli i Kosovës vazhdon t’i kujtojë me nderim dhe respekt si simbol të rezistencës dhe sakrificës për liri. OVL-UÇK thekson se do të vazhdojë angazhimin e saj institucional dhe shoqëror për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për pavarësinë e Kosovës. “Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Historia nuk mund të rishkruhet dhe UÇK-ja nuk mund të njolloset, sepse ajo është themeli i lirisë sonë”, përfundon reagimi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
