Pas reshjeve të borës të gjitha rrugët në komunën e Shtimes janë të kalueshme

Edhe përkundër reshjeve të pandërprera të borës gjatë të enjtes dhe të premtes, kompania “Ardhmëria“, e kontraktuar nga komuna e Shtimes ka arritur që të bëjë pastrimin e të gjitha rrugëve duke i bërë ato të kalueshme për qytetarët në afatin sa më të shkurtër. Edhe pse bora kishte arritur lartësinë mbi 60 cm ndërsa nga erërat ishin krijuar ortekë bore në shumë rrugë, edhe në fshatrat malore edhe në fshatrat e rrafshit, kompania “Ardhmëria“ ka arritur që të zhbllokojë edhe rrugët e fshatrave malore: Rancë, Llanisht, Dugë dhe Karaqicë, që ditën e premte edhe pse kishte erëra të forta.

Sipas drejtoreshës së Drejtorisë për Shërbime Publike, znj Ardiana Rama – Gashi, të gjitha rrugët në komunën e Shtimes janë pastruar dhe janë të kalueshme pasi që kompania e kontraktuar për pastrimin e borës është në aksion 24 orë kështu që, pasi janë ndërprerë reshjet, nuk priten edhe vështirësi të tjera.

Komuna e Shtimes është duke përcjellur gjendjen dhe në koordinim me kompaninë “Ardhmëria“ është duke intervenuar kudo që qytetarët kanë vështirësi në lëvizje, madje edhe në ato rrugica ku nuk janë të parapara për pastrim sipas kontratës.

Sipas znj. Ardiana Rama-Gashi, kjo borë nuk e ka zënë të papërgatitur komunën e Shtimes, pasi që me kohë ka kontraktuar për pastrim kompaninë, por as kompaninë “Ardhmëria“ nuk e ka zënë të papërgatitur pasi që ajo me mekanizmin ekzistues dhe adekuat ka intervenuar me kohë në të gjitha rrugët e komunës së Shtimes, duke i bërë të kalueshme. Në realitet, qytetarët tanë i ka zënë të papërgatitur kjo borë dhe kjo gjendje acari, e sidomos vozitësit e automjeteve të cilët kanë dalë në rrugë pa asnjë pajisje e përgatitje dimërore duke shkaktuar bllokime të kalimeve, ka konstatuar znj Gashi.

Sipas zyrtarëve të kompanisë për pastrim, që ndodhen në terren, nuk ka asnjë rrezik për mbyllje të rrugëve edhe nëse vazhdojnë reshjet në ditët e ardhshme. Ne jemi në gjendje gatishmërie 24 orë edhe me makinerinë tonë edhe me potencialin njerëzor, ka thënë për kompaninë “Ardhmëria“ z. Dashnim Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …