Pastrohet shtrati i lumit Mirusha në Malishevë

Në kuadër të mirëmbajtjes së hapësirave publike, ka filluar pastrimi i shtratit të lumit Mirusha, përkatësisht shtrati i lumit në rrjedhën përgjatë qytetit në Malishevë. Pastrimi i shtratit të lumit bëhet me qëllim të largimit të mbetjeve të ndryshme nga shtrati, përfshi gjërat që hidhen nga personat e pakujdesshëm, pastaj mbetjet që mbesin nga përmbytjet, si dhe bimët që dalin në ujëra, e të cilat e pengojnë rrjedhën e ujit. Përveç pamjes më të mirë që merr shtrati i lumit, pastrimi i lumit bëhet edhe për shkak të parandalimit të përmbytjeve, që eventualisht mund të bëhen gjatë shirave të rrëmbyeshëm. Pastrimin e lumit e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është ndarë i kënaqur me punën që është duke u bërë, sepse mirëmbajtja e lumenjve është një vështirësi në vete, pasi shtrati i lumit mbushet, si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar nga faktori njeri, pastaj vet natyra, sepse rrjedha e ujit sjellë me vete edhe lymin e tij, pastaj mbirja e bimëve që rriten në ujëra dhe të gjitha këto krijojnë vështirësi për mirëmbajtjen e tyre. “Pavarësisht këtyre faktorëve, ne po mundohemi ta mirëmbajmë dhe shumë shpejt besojmë se do të fillojmë edhe me rregullimin e pjesës tjetër të lumit, ku përveç parandalimit të përmbytjeve, do të krijohet edhe një hapësirë e mirë, me shtigje për ecje dhe relaksim”, tha nënkryetari Berisha.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …