PDK dhe Aleanca vijojnë aksionet para Qeverisë, kërkojnë konstituimin e institucioneve

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vijuar edhe sot aktivitetin e tyre para objektit të Qeverisë, duke përsëritur kërkesën për thirrjen e seancës konstituive dhe funksionalizimin sa më të shpejtë të institucioneve të vendit. Në kuadër të aksionit të përditshëm, grupi parlamentar i PDK-së ka kërkuar sërish që Kuvendi i Kosovës të konstituohet dhe deputetëve t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët në zgjedhje, ndërsa në këtë aktivitet janë përfshirë edhe përfaqësues të Aleancës, duke e shndërruar aksionin në një qëndrim të përbashkët opozitar ndaj bllokadës institucionale. PDK-së në aksionin e sotëm iu bashkuan edhe asamblistët e kësaj partie nga Komuna e Drenasit, ndërsa pranë hyrjes së ndërtesës së Qeverisë u pozicionuan edhe deputetë të Aleancës, të cilët kanë përsëritur qëndrimin se institucionet duhet të funksionalizohen dhe se vendi nuk mund të vazhdojë të mbetet në një situatë të zgjatur të pasigurisë politike. Përfaqësuesit e dy subjekteve opozitare kanë përdorur këto aktivitete si formë të presionit politik për tejkalimin e ngërçit dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve. Këto veprime të përbashkëta të PDK-së dhe Aleancës po zhvillohen në vazhdën e aksioneve të organizuara gjatë javëve të fundit para objektit të Qeverisë, ku opozita ka kërkuar vazhdimisht që të respektohet mandati i deputetëve dhe të krijohen institucionet e dala nga vullneti i qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kadri Kryeziu: Marrëveshja për Bekim Sejdiun ka përfunduar, LDK-ja nuk është treguar serioze

Profesori i drejtësisë, Kadri Kryeziu, ka vlerësuar se marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike …