Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarëve të Qeverisë në dorëheqje, duke pretenduar se ata kanë ushtruar njëkohësisht funksionet ekzekutive dhe mandatet e deputetëve të Legjislaturës së XI-të. Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se përmes kallëzimit kërkohet ndërhyrja e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, ndërsa pretendoi se mbajtja e pozitave të dyfishta ka prodhuar edhe pasoja financiare përmes vendimeve të marra nga Qeveria në dorëheqje. Sipas dokumentit të dorëzuar më 26 gusht, PDK ngre dyshime për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, duke pretenduar se nga 6 korriku 2026, Kurti dhe ministrat e tij që janë certifikuar e betuar si deputetë kanë vazhduar të ushtrojnë njëkohësisht të dyja funksionet. Në kallëzim përmendet edhe mbledhja e Qeverisë e 12 gushtit, ku janë marrë 24 vendime, përfshirë vendime me pasoja financiare, si ndarja e 100 mijë eurove, dhënia me qira e një prone publike me vlerë kontraktore prej 23 mijë e 205 eurosh, inicimi i dy shpronësimeve dhe emërimi i komisioneve për pozita të larta drejtuese. PDK pretendon se këto veprime kanë tejkaluar kompetencat e një Qeverie në dorëheqje dhe kanë cenuar kufizimet kushtetuese e ligjore, ndërsa Prokurorisë Speciale i është kërkuar që t’i trajtojë dhe hetojë pretendimet e ngritura në kallëzimin penal.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
