Pas njoftimit të Gjykatës Speciale për zhvillimin e deklaratave përmbyllëse nga 9 deri më 18 shkurt në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për një përmbyllje të drejtë dhe të paanshme të këtij procesi. Të katërtit ndodhen në paraburgim në Hagë prej mbi pesë vjetësh. PDK vlerëson se procesi ka qenë i karakterizuar nga zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut, duke cënuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe duke rënduar padrejtësisht mbi ish-udhëheqësit e shtetit dhe çlirimtarët. Në deklaratë theksohet se dëshmitarët kyç kanë hedhur poshtë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar dyshimet mbi fajësinë individuale, grupore apo komanduese. PDK insiston që faza përmbyllëse të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia, faktet dhe provat, duke u larguar nga çdo qasje politike apo spekulative që e ka shoqëruar procesin gjatë këtyre viteve. “Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke besuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit tonë,” thuhet në deklaratë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
