Për nder të 28 nëntorit mbahet akademi festive në Kaçanik

Për nder të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, Ditëlindjes së Komandantit legjendar Adem Jashari, përvjetorit të daljes publike të UÇK-së dhe 23 vjetorit të rënies së dëshmorit Ismajl Raka, në komunën e Kaçanikut aktivitetet kanë nisur me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve. Kryetari i Komunës, Besim Ilazi me bashkëpunëtorë, dhe përfaqësues të OVL të UÇK-së kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe pranë varreve të tyre. Ndërkaq në Pallatin e kulturës “Xheladin Kurtaj” është mbajtur program festiv. Kryetari Ilazi, në fjalimin e mbajtur para shumë qytetarëve ka thënë se muaji nëntor është muaj historik, ndërsa e ka përmendur nëntorin e vitit 1443, nëntorin e vitit 1912, daljen publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari. Kryetari Ilazi i ka përmendur ngjarjet historike nëpër kohë, me theks të veçantë luftën e UÇK-së e prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari. Ai theksoi se UÇK-ja e mbështetur nga populli ynë dhe bashkësia ndërkombëtare përfundimisht dëboi pushtuesit për të qenë ne sot të lirë. Kryetari porositi se vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar do të realizojmë së bashku projektet madhore të vendit, ndërsa uroi që sa më shpejt të kemi një nëntor integrues evropian, Kosova e Shqipëria si dy shtete të forta në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në emër të shoqatave të dala nga lufta, foli veterani i arsimit Izet Krivenjeva, i cili tha se lirinë sot e gëzojmë falë sakrificës dhe kontributit të UÇK-së, NATO-s dhe gjithë aleatëve ndërkombëtarë. Në fund të akademisë u shfaq një program i pasur kulturo artistik me recitime, këngë e valle nga artistët e Qendrës Kulturore “Kaçaniku”. Për skenën e akademisë u përkujdesën vullnetarët e HANDIKOS-it si dhe të KVRL-së.

Kontrolloni gjithashtu

U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon”

U përmbyll me sukses edhe një edicion i festivalit të folklorit “Anadrinia jehon” në komunën …