Përkujtohen Tahir e Nebih Meha, Malush Ahmeti dhe 31 dëshmorë tjerë të kombit

Në Qendrën e Kulturës dhe Artit “Hasan Prishtina”, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, është mbajtur Akademi përkujtimore, për nder të përvjetorit të 36-të të rënies së Nebih e Tahir Mehës, 20-vjetorit të Malush Ahmetit dhe 31 dëshmorëve tjerë të kombit, të rënë në altarin e lirisë në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ngjarje, në të cilën kanë marrë pjesë kryetari Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku, drejtorët e Komunës, familjet e dëshmorëve, invalidët e veteranët, përfaqësuesit e Shoqata të dala nga lufta, deputeti Bekim Haxhiu, zëvendësministri Abdyl Ymeri, gjeneralë të FSK-së dhe qytetarët, kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në fjalimin e tij, ka thënë se sot po përkujtohen me mirësi dhe respekt dëshmorët e kombit tonë, luftëtarët e etapave të ndryshme të historisë shqiptare, që luftuan me çfarëdo që kishin kundrejt një force shkatërrimtare, siç ishte armiku ynë i përbetuar. Vuajtjet e popullit shqiptar janë të kahershme, sa herë ishin të lehta e sa herë të rënda, por prapseprap ishin vuajtje, ka theksuar kryetari Jashari, duke shtuar se vuajtje këto të cilat populli shqiptar nuk do t’i duronte në pafundësi, dhe gjithmonë ishte i gatshëm t’u jep fund, edhe atëherë kur çmimi ishte tepër i lartë. Drenica si zemër e Kosovës, këtu ku kanë pas zanafillën shumë ngjarje, lëvizje kombëtare e patriotike, që kanë çuar në rrëzimin për tokë të shumë krajlëve, kryeministrave dhe perandorive. Populli shqiptar i Kosovës i kishte rezistuar për vite më radhë shtypjes së egër nga pushtuesi serb, por qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, do të shënonte rezistencën aktive me armë në duar kundër pushtuesit jugosllav të trojeve tona. Në një ditë si kjo, 38 vite më parë, Kulla e Mehajve ishte gjendur e rrethuar nga milicia serbe, që për detyrë kishin arrestimin e të pabindurit Tahir Meha. Ajo që njihej në atë kohë si “Dita e Milicisë”, vërtetë doli të jetë e tillë, madje u doli për hundësh aksioni i arrestimit, pasi përreth kullës së rezistencës kishin mbetur të vdekur disa milicë serb. Në përpjekje për ta çarë rrethimin, meqë po iu mbaronte municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav. Ata ranë në fushën e nderit, dhe askush nga bashkëfshatarët e tyre, madje as burrat e Familjes Jashari, nuk arritën t’u dalin në ndihmë, nga rrethimi I çeliktë me tanke dhe autoblinda të shumta. Por, në ditën e varrimit të Tahir e Nebih Mehës u bë një betim. Shaban Jashari me dy djemtë e tij, Ademi e Hamza, tashmë ishin zotuar se krismat e pushkës nuk do të ndalen deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, nga okupatori serb. Kryetari Jashari ka thënë se e ka të freskët ngjarjen e 13 majit të vitit 1981, atëbotë kur ai ishte vetëm 6 vjeç. Në këtë akademi janë përkujtuar gjithashtu edhe dëshmorët tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Malush Ahmetit dhe 31 heronj të tjerë të kombit. Emrat e tyre dhe të gjithë dëshmorëve tjerë i kemi të shkruar në zemrat dhe mendjet tona, të cilët do t’i kujtojmë përgjithmonë, për flijimin e tyre në emër të lirisë së Kosovës, është shprehur kryetari Jashari. Ata kishin guximin mbi të gjitha gjerat tjera të personalitetit të njeriut. Ne që vazhdojmë jetën në saje të sakrificës së dëshmorëve, duhet ta kthejmë kokën prapa për të parë se nga kemi ardhur. Për t’i kujtuar vuajtjet nëpër të cilat kemi kaluar. Jemi populli më me fat që jetuam në epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që jetuam me Adem Jasharin e që i njohëm dëshmorët e martirët e lirisë. Duke mos e harruar trishtimin e përjetuar, të ecim përpara me synimin e vetëm: zhvillimin e Kosovës dhe për të mirën e saj. Është amaneti i dëshmorëve. Është detyre e jona për fëmijët tanë, ka thënë në fund kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari. Në orët e paradites janë bërë edhe homazhe te varret e dëshmorëve Nebih e Tahir Meha në Lagjen Mehaj në Prekaz.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në komunën e Malishevës mbajti mbledhjen e tretë të rregullt

Komiteti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së  dhe Martirëve të luftës në …