Brickos

Përurohet shkolla fillore në fshatin Drobesh të Vitisë

Në Drobesh të Vitisë, sot është përuruar objekti i shkollës fillore të këtij fshati, e ku ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Teknologjisë Ramë Likaj, ministren e Financave Hykmete Bajrami, deputeten Marigona Geci, zv.ministren Fatbardha Emini. Në këtë solemnitet,kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se ndërtimi i objektit të shkollës në Drobesh, ka qenë domosdoshmëri, me qenë se shkolla e vjetër nuk ka plotësuar kushtet për një mësim cilësor e kualitativ. Kryetari Haliti, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Arsimit për realizimin e këtij projekti dhe ka premtuar se në koordinim me Institucionet qendrore, Organizatat ndërkombëtare dhe donatorët, do të vazhdojnë edhe me projekte të reja në ofrimin e kushteve sa më të mira në arsim në komunën e Vitisë. “Në vitet e fundit kemi ndërtuar shumë shkolla dhe kjo që po e përurojmë sot në Drobesh, i paraprinë edhe shkollës në Pozheran, që pritet të përfundoj së shpejti”, u shpreh kryetari Haliti. Ndërsa kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, është shprehur se është kënaqësi të jesh prezent e të dëgjosh zhurmat e nxënësve në këtë objekt të ri, të cilët edhe do i japin gjallëri kësaj shkolle. Ai ka thënë se është ngjarje e mirë kjo që gjysmëvjetori i dytë të filloj në një objekt të ri shkollor, duke shpresuar se do të lihet anash e të harrohet edhe kjo situatë me pandeminë, që ti rikthehemi jetës normale në të gjitha sferat. “Me këtë projekt, sipas kryetarit Haliti, po përmbyllet edhe rrjeti i ndërtimit të objekteve të reja shkollore dhe kjo po më gëzon, pasi që do të rrisë cilësinë e mësimit, sikur edhe numër optimal të nxënësve për klasë. Kemi kaluar një periudhë të vështirë gjatë vitit të kaluar, sikur edhe në gjysmëvjetorin e parë shkollor dhe shpresojmë që ky vit të jetë i fundit që organizojmë mësimin në këto kushte me klasë të përgjysmuara. Qeveria e Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë arsimore”, është shprehur kryeministri Hoti. Kurse ministri i Arsimit dhe Teknologjisë Ramë Likaj, theksoi se ky projekt është vazhdimësi e përpjekjeve që ka bërë Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Hoti dhe ne si ministri, për të sigurua kushte më të mira, infrastrukturë më moderne, dhe një ambient më të ngrohtë arsimor. Nxënësit e fshatit Drobesh, në mungesë të kushteve dhe hapësirës së pamjaftueshme, kanë qenë të detyruar që mësimet në ciklin e lartë ti ndjekin në Viti. Aktualisht, numri i nxënësve nga parashkollor e deri në klasën e 5 është 156, të cilët nga sot do të vijojnë mësimet në objektin e ri, kurse nxënësit nga klasa e 6 deri klasën e 9-të, që janë diku rreth 130 nxënës, do të mund ti ndjekin mësimet në këtë shkollë nga shtatori i këtij viti. Me këtë projekt, përfundon edhe cikli i rivitalizimit dhe ndërtimit të shkollave të komunës së Vitisë, përpos asaj në Pozheran e cila pritet të përfundoj së shpejti.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …