Peticion kundër Konferencës së Londrës të vitit 1913, e cila lejoi copëtimin e Shqipërisë

Peticion, drejtuar ministrave të Jashtëm të Anglisë, Rusisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, për anulimin e Konferencës së Londrës të vitit 1913, me ç’ tast u lejua copëtimi i trojeve të Shqipërisë nga shtetet fqinje


 


(Mynih, 19 korrik 2013) – Peticion për anullimin e Konferencës së Londrës 1913, Drejtuar ministrave të jashtëm të Britanisë së Madhe, Rusisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, Për dijeni: Sekretarit amerikan të shtetit. Duke studjuar dhe analizuar Konferencën e Londrës së viteve 1912-1913 e cila coptoi në pesë pjesë kombin shqiptar, Duke studjuar thelbin e kësaj konference dhe qëllimin për të cilin ajo u mblodh, Duke u bazuar në gjëndjen aktuale të kombit shqiptar, konkludohet se:


 


• Takimet e ambasadorëve të 6 fuqive të mëdha, Italisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë nën drejtimin e ministrit të jashtëm britanik Eduard Grey, nuk përbëjnë bazën e mjaftueshme për të qënë një konferencë.


 


Cilat janë argumentet që sillen në favor të tezës së lartëpërmëndur:


 


• Gjatë zhvillimit të punimeve të saj nuk mbajti proces verbalë, çka do të thotë se nuk kanë mbetur raporte të rregullta zyrtare mbi punimet e Konferencës. Këtë e pohon vetë drejtuesi i Konferencës ish-ministri i jashtëm britanik Grey në Kujtimet e tij. Ja pohimi i tij: “… Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm ti thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një Komitet Miqsh, ashtu siç edhe ishim. Ne mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913..”.(Eduards Grey, Memoires, faqe 248, botimet Payot, 1927)


 


• Mbledhja e ambasadorëve të 6 fuqive të mëdha në Londër nuk u thirr për të diskutuar lidhur me kombin shqiptar, por për të zgjidhur mosmarrveshjet midis 4 fuqive ndërluftuese ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë, pas Luftës së dytë ballkanike. Pol Kambon e pohon një gjë të tillë. Ai shprehet se: …Pas nënshkrimit të paqes midis Turqisë dhe Italisë, marrja e vendimeve që do t’u imponoheshin shteteve ballkanike dhe Turqisë ju besua trupit diplmatik në Londër. Ai kishte për detyrë hartimin e marrëveshjeve midis shteteve të ndryshme ndërluftuese të Ballkanit. Mbledhja e Londrës u hap në 16 dhjetor 1912. (Pol Kambon, Corespodenca, faqe 31, botimet Grasset, viti 1946) Po këtë e pohon vetë drejtuesi i mbledhjes Grey i cili shprehet se: “..Ta mendosh mirë, roli im personal në këtë Konferencë dukej pa ngjyra dhe shumë banal. Interesat britanike nuk ishin të afektuar nga fati i Gjakovës, Shkodrës apo fshatrave të tjera shqiptare.. (Grey, Memoires, Payot, 1927,faqe 254)


 


• Në këto takime që zgjatën 6 muaj, teritoret shqiptare u përdorën për të qetësuar dhe kënaqur palët ndërluftuese që ishin fqinjët e Shqipërisë. Vetë Grey e pranon një gjë të tillë. Ai pohon në Kujtimet e tij se: “…. Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës…..” (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246)


 


• Përfaqësuesit e 6 fuqive të mëdha, nuk u morën asnjëherë me Aktin Juridik të shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 nga politikanët shqiptarë që nga Kosova deri në Ҫamëri, që nga Durrësi deri në Shkup. Kemi të bëjmë me një akt juridik i cili u injorua përgjatë çdo takimi. Qeveria shqiptare që u krijua pas 28 Nëntorit 1912 ishte një qeveri e përbërë nga përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare. Për shëmbull, ministër i mbrojtjes ishte Mehmet Pashë Deralla nga Tetova, ministër i bujqësisë ishte Hasan Prishtina nga Prishtina. Kryetar i Asamblesë ishte Vehbi Agolli nga Dibra e Madhe.


 


• Pjesmarrësit e asaj që u konsiderua padrejtësisht Konferencë, pranojnë me pohimet e tyre, se ata nuk morën asnjë vendim.


 


Cilat janë Pohimet:


 


– Grey: …Nuk pati as mbyllje solemne, ne nuk bëmë fotografi grupi, nuk na dhanë asnjë falënderim apo fjalim lamtumire; thjesht ndaluam së takuari. Ne nuk kishim përcaktuar asgjë, as detajet e kufijve shqiptarë…. (Grey, Memoires, botime Payot, faqe 253)


 


– Pol Kambon, ish pjesëmarrës në mbledhjen e Londrës: “… Ballkanikët tane ikën, por mbetën pa u zgjidhur problemet me të rënda, kufijtë e Shqipërisë dhe ishujt e Detit Egje” (Pol Kambon, Korespodenca, faqe 51, botimet Grasset viti 1946)


 


Ҫfarë përbën rasti i kombit shqiptar në marrdhëniet ndërkombëtare?


 


• Kombi shqiptar është një rast unikal në kontinentin europian. Shqipëria aktuale, është i vetmi shtet në Europë, që përgjatë gjithe vijës kufitare tokësore ka vetvehten. Pra kemi të bëjmë me një rast sui generis dhe tipik gjenocidist. Një nga politikanët më të mëdhenj britanikë, ish ministri i jashtëm Robin Kuk e pranon një gjë të tillë kur thotë se: “…Ne po zhbëjmë padrejtësitë që bëmë në shekullin e kaluar ndaj kombit shqiptar…”. Robin Kuk, Diskutim në Dhomën e Komunave, 3 prill 1999


 


Sot kur flitet për marrdhënie të reja ndërkombëtare të mbështetura jo në të drejtën e forcës, por në forcën e së drejtës, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj tyre. Vetë Grey, e pranon se ata vepruan me anë të forcës dhe jo me anë të së drejtës: Ja pohimi i tij: “……Traktati i vendosur pas Luftës së dytë ballkanike ishte një rregullim me anë të forcës dhe jo me anë të së drejtës…..” (Grey, Memoires, 1927, faqe 246).


 


• Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Preambulën e saj, pranon të drejtën e bashkimit të shqiptarëve në një shtet si të drejtë legjitime.


 


• Bashkimi i shqiptarëve në një shtet, do të jetë procesi përfundimtar i paqes dhe stabilitetit të rajonit te Ballkanit.


 


• Pas viteve 90, si pasojë e ndryshimit të marrdhënieve ndërkombëtare janë anulluar dy Konferenca të rëndësishme ndërkombëtare.


 


• Është anulluar Konferenca e Versajës e vitit 1919-1920. Ajo krijoi aso kohe mbretërinë serbo-kroato-sllovene, duke anulluar edhe pavarsinë e Malit të Zi. Sot ky vendim i Konferencës së Versajës është anulluar në masën 90 përqind, në vënd të Jugosllavisë, janë krijuar 7 shtete të veçanta. Ka mbetur pa u zgjidhur nga kjo Konferencë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.


 


• Është anulluar tërësisht Konferenca e Jaltës e vitit 1945. Është shpërbërë, blloku lindor dhe vetë ish-Bashkimi Sovjetik. Është riparuar edhe coptimi që ju bë Gjermanisë. Gjermania Lindore ju bashkua asaj Perëndimore.


 


Për të gjitha çfarë u thanë më lartë, kërkojmë:


 


1. Anulimin e mbledhjes së Londrës, e cila nuk ka qënë zyrtare dhe duke mos qënë e tillë nuk ka fuqi juridike mbi kombin shqiptar.


 


2. Lejimin e kombit shqiptar për tu bashkuar në rrugë paqësore në një shtet të vetëm, por jo të pastër etnik, bazuar mbi Aktin Juridik të Kuvendit të Vlorës 1912. (Koço Danaj, Tiranë – Shqipëri)


 


PETICIONI MUND TË NËNSHKRUHET NGA TË GJITHË SHQIPTARËT QË JETOJNË


– KUDO NË BOTË –


PËR TA NËNSHKRUAR PETICIONIN KLIKONI KËTU:


https://www.change.org/en-GB/petitions/ministrave-t%C3%AB-jasht%C3%ABm-t%C3%AB-anglise-rusis%C3%AB-franc%C3%ABs-austris%C3%AB-gjermanis%C3%AB-italis%C3%AB-anullimin-e-konferenc%C3%ABs-s%C3%AB-londr%C3%ABs-1913-qe-coptoi-shqiperine-ne-5-shtete.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …