Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Platforma kombëtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 ende nuk është realizuar, pavarësisht disa të arriturave

138 vjet më parë, në Prizren ishte  themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila  në historinë e popullit shqiptar konsiderohet tubimi më i rëndësishëm i shqiptarëve, qysh prej Lidhjes së Lezhës së vitit 1444. Komiteti i Stambollit i themeluar nga kreu politik dhe ushtarak kombëtar i  kohës, ishte organizuar me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek.  Prej Epopesë lavdiplote, çlirimtare dhe fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, asnjëherë nuk pushuan përpjekjet e liridashësve shqiptarë për t’u çliruar nga Perandoria Osmane, e cila për 500-vjet rresht mbajti nën robëri, jo vetëm Shqipërinë, por tërë Ballkanin, një pjesë të madhe të Evropës dhe shumë shtete ndër më të fuqishmet  të botës. Përpjekjet e përgjakura dhe të pareshtura të shqiptarëve për të krijuar një shtet kombëtar, që do të përfshinte të gjitha territoret me shumicë etnike shqiptare, shënuan një kthesë afirmative, sidomos me Lidhjen shqiptare të Prizrenit, të qershorit të vitit 1878, datë kjo që kishte shënuar një moment krucial gjatë të cilit të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për Atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’u bërë ballë turqve, serbëve, malazezve, gjermanëve, austro-hungarezëve, grekëve, pse që të gjithë këta së toku ishin bashkuar kundër popullit shqiptar. Tashmë kanë kaluar 138 vjet dhe kërkesat programatike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos sa i përket ruajtjes së tërësisë territoriale të vendit  nuk janë realizuar, edhe pse çështja shqiptare në Ballkan ka bërë disa përparime.

Themelimi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878)

Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe organizimi me sukses i punimeve të tij.

Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit.

Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët pro turq. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë, duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e bejlerë besnikë të Sulltanit.

E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare.

Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra (Neza), Abdyl Frashëri, Sefë Mahmut Koshraja ( i fundit, dokumenteve të Austro-humgarisë) etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e por turq nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?. Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga këta, delegatët, që i takonin krahut të Sulltanit, u përpoqën që organizata që do të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t’ia nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qendrimet e dëmshme të qarqeve pro turke, ashtu edhe me trysninë e autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje.

Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar. Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi). Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse. (Historia e Popullit Shqiptar)

Kontrolloni gjithashtu

Bajraktari: Për një periudhë tejet të gjatë kohore krimet e luftës kanë qenë kompetence e autoriteteve ndërkombëtare

Avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se trajtimi i krimeve të luftës në përgjithësi dhe atyre …