Po punohet në të gjitha projektet në komunën e Malishevës

Këshilli i Drejtorëve, i drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të së hënës, ku është diskutuar për të gjitha çështjet e drejtorive, projektet, planifikimet dhe çështje tjera. Në këtë mbledhje, bazuar në deklarimet e drejtorëve të drejtorive komunale, u tha se “po vazhdojnë punimet në të gjitha projektet, si në infrastrukturë, ashtu edhe në bujqësi dhe fusha tjera”.

Drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, tha se janë duke vazhduar punimet në të gjitha projektet, ndërsa ka filluar rregullimi i oborrit të shkollës në Gurishtë, pastaj trotuari në Drenoc, si dhe brenda javës pritet të filloj rregullimi i kanalizimit në Drenoc dhe kanalizimi i ujërave atmosferik, në hyrje të Malishevës.

Edhe drejtori i bujqësisë, Haxhi Krasniqi, tha se po vazhdojnë projektet në bujqësi, përfshi edhe ndërtimin e stallave. Ndërsa drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina, tha se po punohet në hapjen e disa kanalizimeve të bllokuara, si dhe paraqiti nevojën e pastrimit të përroskës që kalon nëpër qytet. Morina, po ashtu tha se kanë filluar edhe përgatitjet për sezonin e dimrit, përkatësisht për mirëmbajtjen e rrugëve.

Në këtë mbledhje u njoftua edhe për fillimin e vaksinimit të gjedhëve kundër sëmundjes gungore të kafshëve, proces i cili po ecën mirë në këto ditë të para.

Në fushën e shëndetësisë, nga drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, u paraqit edhe shqetësimin për rastet e shpeshta që janë paraqitur këtë vit, të thumbimit nga bletët dhe grerëzat, të cilat tek disa njerëz manifestohet me alergji. “Vetëm gjatë ditës së diele, në QKMF të Malishevës, janë regjistruar katër raste të rënda me alergji, si pasojë e thumbimit nga bletët dhe grerëzat”, tha drejtori Berisha.

Sa i përket buxhetit, drejtori për buxhet, Vesel Krasniqi, deklaroi se projekt buxheti për vitin 2017,  është i gatshëm dhe të njëjtin e ka dorëzuar në komitet për politikë dhe financa, ndërsa pritet të kaloj në Kuvendin e Komunës për shqyrtim dhe miratim.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …