Brickos

Poezia e Jusuf Zenunajt sipas kritikës rumune

 


Një proverb i stërlashtë persian thotë se “lulet më të bukura rriten në baltë”. Duke e eksploruar, mund të themi se dashuria për shpirtin shqiptar është kripa e ëmbël e mbijetesës në kohë të vetmisë dhe arratisjes, ikonë për të shpresuar dhe për të vdekur, madje, në lutjen e përjetshme në vatrën e zjarrit të parë që ia ka modeluar qenien. Por, nëse gurët e shtëpisë nuk mund të merren duke qarë pas njeriut të tëhuajësuar pa dëshirën e tij, atëherë, madje edhe shpirti bëhet vatër për zjarrin e pashuar të dashurisë dhe përmallimit, kudo që të jetë. Këtë na e thotë edhe poeti JUSUF ZENUNAJ në librin e tij, “Prej shkëmbit rrjedhin lotë”, botuar nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (2008), në përkthim të poetit Baki Ymeri, me një parathënie brilante të eseistit Marius Chelaru, dy emra përmes të të cilëve kuptojmë se jemi fis me këta poetë të shkëlqyer kosovarë, të cilëve ua deshifrojmë buçitjen dhe lotin në të njëjtat valë me shpirtin rumun.

Jusuf Zenunaj është një krijues i mushtit të gjallë të fjalëve, një ëndërrimtar i përulur para ikonave vendore ,të cilat i mbështjell me vargje të pëshpëritura aq thellë, saqë të kaplon zalisja duke ua kërkuar thellësinë:
“Kur bie shi/ Dua të të shoh të lagur/ Ajrin që e ke thithur/ Ta ndjej mes buzëve tua/ Kur zdirgjet nëpër fjalë/ Kur bie shi/ Dua të ngrohem/ Në krahërorin tënd të nxehtë/ Në zjarrin e duarve tua/ Kam ëndje të digjem/ Në trupin tënd të piqem” (Kur bie shi).
Protesti kundër ligësisë te Jusuf Zenunaj është i mbështjellë me byrynxhikun e hollë të formulës tekst/nëntekst, aq saqë vargu të na dhemb më shumë se dhembja njerëzore, një dhembje që arrin në receptor me gjithë forcën e tij dëshmitare: “Në kopshtin e mbjellë/ Me lue manushaqel / Një flutur pas shiut/ Erdhi fluturim/ Helm lëshoi mbi lule/ Dhe iku me nxitim/ Lulja më e bukur/ U zbeh në kopshtin tim” (Lulja e helmuar).
Kënga e poetit nuk është një këngë e degdisur, por një këngë e ndërgjegjes përkohësisht e shtyrë rrugëve të papërshtatshme, ngase, te njeriu, porsi te ujku, e fton shpeshherë vetminë dhe ligësinë, duke ia kërkuar çiftin. Ndërmjet vdekjes dhe riplasimit të normalitetit në tiparet e tij:
“Pas dite edhe natëne vonë/ Ujku do mjegull thonë l/ Unë flas me mjegullën/ as vonë , as herët/I them ta marrë dhembjen time/Ta tjerrë në borë, apo n’ diell/Droj mos i trazon zogjtë në qiell / Dhembja shkrin edhe gurin në lumë/ Pa ty, atë s’e mundi unë” (Mjegulla).
Apo: “Kujt s’i mungon diçka?/ Mua më mungon kënga/Që nuk e ka kënduar askush/ As në opera/ As kur mbushej oda me krushq/Emrin e këngës nuk e di/ Të thurim një tjetër/Për për dashurinë e vjetër(Të thurim bashkê njê këngë).
Sentimental dhe i thellë, Jusuf Zenunaj është pronar i përjetimeve shpirtërore në kontekstin e ndjenjave që manifestohen: “Kur nuk të pashë të lumi/ Bardhësia m’i mori sytë/ M’u ngatërrua nata me ditë/ Në majë të shkëmbit/ Një re ia zu rrugën diellit/ Nuk e dija në ishte re me breshër/ Apo re me shi/ Unë i fola për dashuri/ Sa shumë që të përgjason ty” (Kur nuk të pashë në lumë). Pa kurrfarë diskutimi, mosharresa dhe dashuria janë antidoti për lotë, por, o Zot, çfarë lot hyjnor mund ta shpiejë poetin në gjalmën e zemrës, që të mund të shkruajë të gjitha këto! Jusuf Zenunaj është zëdhënës i zgjedhur i shenjave të gjalla të një kënge të pafund. Kënga e zjarrit të dashurisë ndaj atdheut dhe lotit, me gjithë kujtesën e tyre: “Fluturo akullnajeve/Mbi shkretëtirë fluturo/ Mos harro/ Sytë merrmi mbi krahë/ Detreve ushqehej me diell / Zogj/ Sytë m’i kthe në atdhe? Mos harro” (Zogu).
(Përktheu nga rumanishtja: Baki Ymeri)

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …