Politika e jashtme e Kosovës mes improvizimit dhe izolimit diplomatik

Vizitat e fundit të udhëheqësve institucionalë të Kosovës në SHBA – presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres së Jashtme në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz – e kanë vënë sërish në pah një mungesë të theksuar të koordinimit dhe strategjisë në politikën e jashtme të vendit. Secili prej tyre udhëtoi me agjendë të veçantë, duke lënë përshtypjen e një diplomacie të fragmentuar, të drejtuar nga interesa individuale më shumë sesa nga objektiva shtetërore të përbashkëta. Sipas politologes Donika Emini, Kosova po funksionon me një politikë të jashtme ad-hoc, të dizajnuar për konsum të brendshëm politik dhe jo për kalkulime serioze në arenën ndërkombëtare. Kjo qasje, sipas saj, e shndërron diplomacinë në instrument elektoral, duke e privuar vendin nga arritja e qëllimeve afatgjata. Edhe më kritik është ish-ambasadori Albert Prenkaj, i cili e përshkruan situatën si një “kakofoni” institucionale që ka rezultuar me humbje të relevancës së Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe me vendosjen e sanksioneve nga partnerët kryesorë perëndimorë. Në një kohë kur rajoni po përballet me tensione të reja gjeopolitike, mungesa e një strategjie të unifikuar përfaqëson një rrezik serioz për Kosovën. Në vend që të kapitalizojë mbështetjen e aleatëve dhe të avancojë agjendën e saj shtetërore, vendi duket se po zhytet në një vetëizolim diplomatik, ku institucionet flasin secila më vete dhe shpeshherë për qëllime të ngushta politike.

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, priti në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë Selçuk Bayraktaroğlu

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake …