leoni

Posta e Kosovës nderon artistin, Ymer Shaqiri

Filatelia e Postës së Kosovës, përmes motiveve të pesë pullave postare, të cilat nga sot vihen në qarkullim postar, prezanton veprat e përzgjedhura të artistit, piktorit dhe grafistit të njohur të artit bashkëkohor, Ymer Shaqiri. Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë, në jug të Podujevës. Akademinë e Arteve e kreu në Prishtinë në vitin 1981, nën drejtimin e Fatmir Krypës, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve në Beograd më 1984, ku edhe mori titullin akademik. Origjinaliteti në shprehjen e veçantë që karakterizon grafikën e autorit për nga stili dhe teknika paraqet një kulturë të lashtë. Detajet e kompozuara me kujdes dhe mjeshtëria në objektet e preferuara të artistit si porta, dyer, dritare me gozhda të ndryshkura, janë mesazhe të fuqishme që interpretojnë lashtësinë, vuajtjet dhe realitetin e vendit tonë. Ka jetuar dhe punuar në Gjermani dhe Kosovë. Ai u nda nga jeta më 11 gusht 2021, duke lënë pas një punë kolosale si punëtor i palodhur që ishte. Punimet e tij mund të gjenden në shumë koleksione, galeri dhe muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ishte pjesëmarrës në bienale dhe trienale në Slloveni, Japoni, SHBA, Francë dhe vende të ndryshme, dhe nga sot, përmes shërbimit postar të Postës së Kosovës, punimet e tij do të ekspozohen në mbarë botën duke na bërë jashtëzakonisht krenarë.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …