Shembja graduale e rendit demokratik liberal ndërkombëtar dhe rikthimi i logjikës së zonave të influencës po ndryshojnë themelet mbi të cilat për dekada u ndërtua siguria europiane. Bota që po formësohet nuk është më ajo e institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes dhe e parimeve universale liberaldemokrate, por një rend i pasigurt, ku vlerat duhet të bashkëjetojnë me praktikën e forcës dhe stabiliteti do të kërkohet gjithnjë e më shpesh përmes kompromisit mes fuqive të mëdha.
Nuk është rastësi që në këtë kontekst ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi publikisht nevojën për hapjen e kanaleve të reja të komunikimit me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin. Ky sinjal tregon se rajoni i Ballkanit nuk perceptohet më si hapësirë gjeopolitike e mbyllur dhe e stabilizuar, por si një çështje strategjike e lënë pezull.
Si e tillë, ajo duhet të rikthehet në tavolinën e diskutimeve mes fuqive të mëdha.
Henry Kissinger ka paralajmëruar me të drejtë shumë kohë më parë se rendi ndërkombëtar nuk ruhet nga morali, por nga ekuilibri i forcave. Ndërsa John Mearsheimer, një nga mendimtarët më në zë të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin XXI, shkon një hap më tej. Ai thotë se fuqitë e mëdha i respektojnë rregullat për aq kohë sa ato u shërbejnë interesave të tyre.
Strategjia e re amerikane e sigurisë e vitit 2025 e konfirmon këtë ndryshim kursi historike. Tashmë për SHBA janë Kina dhe Paqësori prioriteti ekzistencial. Evropa vlerësohet si teatër dytësor, e cila duhet të jetë e stabilizuar, por jo që të mbrohet pa kushte nga SHBA.
Në një botë të organizuar në mënyrë të tillë, kompromiset territoriale në periferinë e saj nuk janë më tema tabu dhe shtetet e vogla e të pastabilizuara mund të bëhen pjesë e menuve, nëse nuk arrijnë dot të ulen rreth tryezës, sikurse do të shprehej kryeministri kanadez, Mark Carney, në takimin e këtëvitshëm në Davos.
Sa më sipër, Ballkani i përmbush të gjitha kushtet e një hapësire periferike. Ai nuk përbën interes jetik për SHBA, nuk prek drejtpërdrejt prishjen e balancës globale, ndonëse mbart një potencial shumë të lartë destabilizimi rajonal. Pikërisht për këtë arsye, ai është i përshtatshëm për kompromis.
Serbia është një aktor dominues brenda kësaj hapësire. Ajo zotëron kapacitetin më të madh ushtarak rajonal, ekonominë më të zhvilluar të Ballkanit Perëndimor dhe një diplomaci elastike që lëviz mes Brukselit, Moskës dhe Pekinit. Në një rend transaksional, Serbia paraqitet si partner i negociueshëm për stabilitetin. Ndërsa Kosova shfaqet si një rast problematik që kërkon menaxhim.
Forca reale e Serbisë nuk qëndron vetëm te ushtria apo ekonomia e saj, por te mënyra se si ajo e koncepton sigurinë kombëtare. Prej dekadash, Serbia ka ndërtuar një bosht funksional kishë – akademi shkencash – shtet – diplomaci. Kisha Ortodokse Serbe prodhon narrativën historike dhe morale, akademia e legjitimon shkencërisht, shteti e përkthen në doktrinë politike dhe diplomacia e eksporton ndërkombëtarisht.
Ky koordinim i heshtur krijon vazhdimësi strategjike, pavarësisht ndryshimeve qeveritare në Serbi. Përballë kësaj arkitekture, fragmentarizmi shqiptar Tiranë – Prishtinë nuk është thjesht një dobësi politike, por një disavantazh i thellë e i gjithanshëm.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukraniës tregoi se koha e pushtimeve klasike në Europë jo vetëm që nuk ka kaluar, por është më aktual se kurrë. Gjithsesi, ai nuk mund të përdoret nga kushdo e kurdo, pasi dominimi i një shteti ndaj një shteti tjetër mund të arrihet edhe me forma të tjera. Koha i dha të drejtë Hedley Bull, i cili ka vënë në dukje se rendi ruhet edhe përmes kufizimit të sovranitetit të aktorëve të dobët.
Neutralizimi gradual, autonomitë asimetrike, statuset speciale dhe prania afatgjatë mbikëqyrëse u shndërruan në instrumente të zakonshme të kontrollit politik. Ky model prodhon fitore pa kosto lufte. Në këtë kontekst rendi botëror të ndryshuar, për momentin për Serbinë, neutralizimi i Kosovës është objektiv strategjik shumë më i favorshëm se ri-aneksimi i saj.
Megjithatë, rreziku më i madh për Kosovën nuk buron vetëm nga forca e Serbisë apo nga rikthimi i pansllavizmit. Rreziku më i madh qëndron te mungesa e një boshti kombëtar Tirana–Prishtina dhe e një doktrine të përbashkët strategjike shqiptare. Sikurse po e tregon koha, Shqipëria dhe Kosova po hyjnë në këtë epokë ndryshimesh botërore jo si një bllok i unifikuar politik kombëtar, por si dy shtete të fragmentuara, me orientime të ndryshme dhe për fat të keq, shpesh konkurruese me njëra-tjetrën.
Marrëdhëniet mes dy kryeqyteteve shqiptare nuk janë ndërtuar mbi mekanizma të qëndrueshëm institucionalë, por mbi dinamika personale dhe kalkulime të momentit, ndonëse institucionet janë më të rëndësishme se individët për stabilitetin afatgjatë të një kombi.
Kësisoj, mungesa e një arkitekture strategjike të përhershme shqiptare e ka shndërruar politikën kombëtare në funksion të rivaliteteve personale të udhëheqësve shqiptarë. Tirana ka preferuar më tepër stabilitetin dhe harmonizimin me Bashkimin Evropian, duke shmangur përplasjet.
Ndërsa Prishtina e viteve të fundit ka ndjekur një linjë më sovraniste dhe më rezistente ndaj kompromiseve. Kjo ndarje funksionale e dobëson pozicionin shqiptar dhe i jep Serbisë një avantazh të heshtur.
Bashkëpunimi qeveritar mes dy shteteve shqiptare, megjithë simbolikën e tij, ka mbetur sporadik dhe formal. Mbledhjet e përbashkëta qeveritare dhe marrëveshjet ceremoniale nuk janë shoqëruar me ndërtimin e institucioneve a një strukture të përhershme planifikimi strategjik, me sekretariat të përbashkët, me analiza të sinkronizuara dhe me doktrinë të unifikuar të sigurisë dhe diplomacisë. Pa këto elemente, Shqipëria dhe Kosova veprojnë si dy aktorë të pavarur, pa një subjekt politik të përbashkët në kuadër të ruajtjes së interesave të kombit shqiptar.
Kjo dobësi thellohet edhe më shumë nga një përçarje identitare dhe politike që po konsolidohet veçanërisht në Kosovë. Diskursi i “kombit kosovar”, i ndërtuar si identitet i veçantë nga ai shqiptar, duket sikur në aspektin formal i shërben konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës. Por, në plan strategjik kombëtar, ai prodhon një efekt shumë të rrezikshëm: shkëputjen graduale të Kosovës nga boshti kombëtar shqiptar.
Një nga teoricienët më të rëndësishëm të nacionalizmit modern, Ernest Gellner, thekson se kombet janë projekte politike që kërkojnë koherencë simbolike dhe strategjike. Kur identiteti shtetëror ndërtohet në kundërshtim me identitetin kombëtar, baza e solidaritetit dobësohet dhe kapaciteti për veprime të përbashkëta mes shteteve të një kombi reduktohet. Një nga idetë më radikale të Gellner është se shtetet e reja shpesh ndërtojnë identitet shtetëror artificial, me qëllim konsolidimin e sovranitetit. Por, kjo shpesh bëhet në dëm të identitetit kombëtar ekzistues.
Edhe më destabilizues është normalizimi i një gjuhe popullore armiqësore ndaj Shqipërisë. Akuzat për paternalizëm, pretendimi se Tirana kërkon kontroll mbi Prishtinën dhe etiketimi i saj si «vasale historike e Beogradit» kanë kaluar nga polemika episodike në narrativë të qëndrueshme.
Madje, shkohet deri aty, sa ka shqiptarë të Kosovës që nuk e shikojnë Shqipërinë si trungun amë të shqiptarisë. Albin Kurtin e quajnë «baba i Kombit», ndërsa Edi Ramën «vllau i Vuqiqit».
Kjo gjuhë minon besimin reciprok mes shqiptarëve, paralizon bashkëpunimin institucional dhe i jep Serbisë avantazh propagandistik të çmuar dhe është realisht «dhurata» më e mirë që mund t’i bëhet Serbisë.
Për fat të keq, mosmarrëveshjet kanë depërtuar edhe në fushën akademike, aty ku normalisht duhet të prodhohej kohezioni më i qëndrueshëm. Qëndrimet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të shoqëruara me akuza ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për paternalizëm apo përpjekje dominimi prej saj, kanë prodhuar rivalitet institucional në vend të bashkëpunimit natyror. Treguesi më domethënës i thellësisë së këtij problemi është ngadalësimi, në mos bllokimi i projektit madhor albanologjik “Enciklopedia Shqiptare”.
Prej më shumë se dy vitesh dy akademitë shqiptare të shkencave ende nuk po arrijnë të miratojnë në tërësi fjalësin enciklopedik, dokumentin themelor të veprës. E lere pastaj për të filluar punën kryesore, hartimin e artikujve enciklopedikë! Dhe kjo jo për faj të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndonëse edhe ajo ka kusuret e veta. Vendime të marra së bashku rihapen, debate të mbyllura rikthehen artificialisht në tavolinën e Redaksisë Qendrore.
Procesi është shoqëruar prej fillimit të tij me pretendime absurde se Tirana do “të marrë gjithçka për vete”, duke përdorur gjuhën “ne dhe ju” etj., a thua se nuk bëhet fjalë për një enciklopedi kombëtare por për të vendosur piramida mes kufirit shqiptaro-shqiptar! Ky dyshim strukturor ndaj akademisë së Tiranës e shndërron një iniciativë themelore kombëtare në arenë rivaliteti dhe e bën të pamundur ndërtimin e një kulture bashkëpunimi akademik normal.
Sa më sipër, mosbashkëpunimi akademik, mungesa e projekteve të përbashkëta qeveritare afatgjata dhe izolimi institucional e dobësojnë formimin e një elite strategjike të përbashkët, duke e lënë hapësirën shqiptare pa një bazë mendimi të koordinuar, se për konsolidimin as që bëhet fjalë.
Megjithatë, përgjegjësia nuk është e njëanshme. Heshtja e zgjatur e qeverisë shqiptare, shmangia sistematike e debatit publik mbi marrëdhëniet me Kosovën dhe mungesa e një politike të qartë kombëtare e kanë thelluar keqkuptimin dhe distancimin mes Tiranës e Prishtinës. Tirana ka zgjedhur shpesh konformizmin diplomatik në vend të kërkimit të dialogut dhe ndërtimit të një vizioni strategjik afatgjatë. Kjo heshtje nuk ka prodhuar qetësi, por një vakum, i cili është mbushur nga narrativa radikale dhe nga mosbesimi i akumuluar.
Kalimi i kësaj gjendjeje nuk arrihet me korrigjime taktike, por kërkohet ndërhyrje radikale strategjike, çka duhet të synojë transformim të vetë elitave politike, akademike dhe kulturore shqiptare. Elitat aktuale, të formuara në kushtet e para dhe gjatë tranzicionit të gjatë, të cilat janë të komprometuara nga trashëgimia e praktikave të vjetra, kanë treguar kufizime serioze në prodhimin e një vizioni strategjik kombëtar.
Vetëm përmes ardhjes së elitave të reja, të arsimuara në perëndim e të pakompromentuara nga logjika e regjimit të kaluar dhe nga klientelizmi tranzicional, mund të ndërtohet një kulturë e re bashkëpunimi, besimi dhe planifikimi afatgjatë mes dy shteteve shqiptare.
Në këtë pikë, një përgjegjësi e veçantë bie mbi elitën akademike. Në shoqëri të vogla dhe të ekspozuara ndaj presioneve të jashtme, roli i universiteteve dhe i instituteve kërkimore nuk është thjesht përshkrues, por orientues. Akademia e Shkencave duhet të artikulojë interesat jetike kombëtare, të prodhojë korniza konceptuale për politikëbërjen dhe të krijojë konsensus minimal strategjik përtej cikleve elektorale.
Kjo gjë do ta bënte Kosovën më të qëndrueshme nga presioni i jashtëm dhe do të shmangte realizimin e një skenari veçanërisht të rrezikshëm: “finlandizimin” e Kosovës. Në kuptimin klasik të terminologjisë politike të Luftës së Ftohtë, “finlandizimi” nënkupton ruajtjen formale të sovranitetit, por kufizimin real të politikës së jashtme dhe të sigurisë nën presionin e një fuqie më të madhe, çka për Finlandën ishte Bashkimi Sovjetik. Për Kosovën, ky skenar do të nënkuptonte një shtet formal, por me sovranitet të kushtëzuar, me autonomi asimetrike, me vetëpërmbajtje të detyruar dhe me varësi strukturore nga vullneti i aktorëve më të mëdhenj (lexo Serbia). Në teoritë politike kjo gjë vlerësohet si një rrezik më i madh se aneksimi, pasi prodhon stabilitet të rremë dhe e bën humbjen graduale të sovranitetit të pakthyeshëm.
Përfundimisht, vlen të theksohet se problemi themelor për Kosovën nuk është Serbia. Ajo nuk është mjaftueshëm e fortë për të ndryshuar e vetme arkitekturën e sigurisë europiane. Pra, skenari ukrainas nuk mund të ndodhë.
Por, Serbia fiton nëse përballet me një komb shqiptar të ndarë, pa bosht strategjik dhe pa doktrinë mbojtëse afatgjatë. Rreziku më i madh për Kosovën nuk është pushtimi ushtarak, por kompromisi i fuqive të mëdha dhe përçarja shqiptare. Sikurse koha po tregon, në epokën e re imperialiste kombet nuk zhduken nga lufta, por nga kompromisi i më të mëdhenjve, kur kombet e vegjël janë të ndarë dhe pa strategji.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
